Janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive. Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 52 automjete zjarrfikëse, 394 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e forcave të MZSH-së, ADZM-së, 50 efektivëve të FA-së dhe 1 helikopteri të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Priskë dhe Shën Mëri janë shuar plotësisht.

Situata më problematike paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, ku zjarri ka marrë përmasa dhe vijon të rrezikojë zonat e banuara. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të FA-së, 1 helikopter dhe avioni “Air Tractor”. Për arsye sigurie janë evakuuar 4 familje në fshatin Riban.

Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Vatrat janë nën kontroll ose të izoluara dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, zjarri ka rritur intensitetin në territorin e zonës së mbrojtur, por nuk ka rrezik për banesat.

Në Penkovë, bashkia Selenicë, zjarri është shuar plotësisht, pasi preku rreth 2 hektarë pyll me pisha dhe 40 automjete të braktisura. Në Pocest, bashkia Dibër, vatra është izoluar dhe po mbahet në monitorim, ndërsa në Vërzhezhë, bashkia Skrapar, situata paraqitet nën kontroll.

Si pasojë e zjarreve janë prekur rreth 18 hektarë me barishte, shkurre dhe bimësi pyjore, ndërsa sipërfaqja e prekur nga vatrat aktive mbetet në vlerësim.

AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.


Lajmi kryesor:

Fier/ Flakët në Mallakastër jashtë kontrollit, situatë kritike në Riban e Ngraçan! Digjen masive me pisha, nesër rinis ndërhyrja nga ajri (VIDEO)