Protesta e pestë e banorëve të Divjakës është mbajtur mbrëmjen e së martës në sheshin kryesor të qytetit.
Edhe pse më të paktë në numër, qytetarët protestues kanë kundërshtuar me forcë reformën e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Divjakë me Lushnjen.
Largimi i shërbimeve, realiteti ekonomik e shoqëror kanë qenë argumentat për të kundërshtuar shkrirjen e bashkisë Divjakë.
Protestuesit kanë kërkuar që në shesh për të protestuar të vijnë më shumë qytetarë e banorë si dhe angazhimin maksimal nga punonjësit e administratës.
“Duhet që shërbimet t’i marrim këtu, që çdo gjë ta kemi këtu. Sepse po u largua kjo, çdo gjë do na vështirësohet. Dhe baballarët tanë e kanë provuar këtë gjë”, tha mes të tjerash një protestues.
“Dua t’i them kryetarit të Bashkisë, nëse ato dy fjalë që i tha ditën e parë, që na tha ‘na ka ardhur një bombë’ dhe ‘jam i zhgënjyer’, duhet ato dy bomba mos t’i mbajë në dorë, por t’ja plasë atij palloshit që vetë ja ka vënë emrin. Që të mbushet ky shesh me divjakas, sepse nuk është Divjaka kaq. Nuk e besoj që ai është frikacak. Por t’i japë mesazh këtij populli, që është me Divjakën dhe për Divjakën”, tha mes të tjerash një tjetër protestues.
Ndër të tjera, banorët protestues janë shprehur se nuk do e ndërpresin protestën deri në momentin që qeveria do të njoftojë anulimin e projektit të 'Territoriales', i cili parashikon shkrirjen e bashkisë.
Në fund të fjalimeve protestuesit zhvilluan dhe marshimin në rrugët e qytetit, ku bënë thirrje që kauzës t’i bashkohen më shumë qytetarë të Divjakës.












Komente
Komento