Shkon në 11 numri i viktimave nga koronavirusi në Itali/ OBSH: S'ka vend për alarm, epidemia nën kontroll! SHBA: Vaksina gati në korrik (VIDEO)

Numri i të infektuarve në Itali rritet, ndërsa autoritetet vijnë të theksojnë se nuk vend për panik. Deri tani janë shënuar 11 viktima, ndërsa numri i të infektuarve ka arritur 323.  Në Lombardi numri i të infektuarve ka shkuar në 240 dhe janë shënuar 9 viktima, në  Veneto janë 43 raste të infektuar dhe 2 viktima, në Emilia Romagna janë 26 raste të konfirmuara me koronavirus,  3 në Piemonte, 3 në Lazio, 3 në Sicili, 2 në Toscana, 2 në Liguria dhe 1 në Tirolin e Jugut.  

Gjatë konferencës për mediat, kryeministri italian Conte me një ton të sigurt tha se 'Sot Italia është një vend i sigurt, më shumë se të tjerët'.  Edhe për Organizatën Botërore të Shëndetësisë pavarësisht alarmit për përhapjen e koronavirusit nuk ka vend për panik. "Sëmundja nuk duhet të nënvlerësohet,  por  mund të vihet nën kontroll", tha një nga përfaqësuesit  e OBSH-së.

Gjithashtu OBSH thekson se për momentin nuk flitet ende për një pandemi, sepse ende nuk ka një përhapje në shkallë të gjerë të koronavirusit në të gjithë botën, por u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të marrin masat e nevojshme.

Mobilizimi kundër virusit në Itali ka rritur masat edhe në Shqipëri duke dyfishuar kapacitetet dhe kontrollet në pikat hyrëse me vendin fqinj. Deri tani në Shqipëri nuk është shënuar asnjë rast, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Në vende të ndryshme të botës është duke u punuar për krijimin e një vaksine kundër koronavirusit që deri tani ka shkaktuar mbi 2,000 viktima vetëm në Kinë. Një kompani farmaceutike në SHBA njofton se është shumë afër vaksinës që do të testohet te njerëzit deri në muajin prill 2020. Ende nuk është e qartë se kur do të jetë momenti që vaksina të jetë në raftet e farmacive, por mendohet se ato do të jenë gati midis korrikut dhe gushtit.

Lexo ketu cfare ndodhi dje ne Itali

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:28
11 të vdekur në Itali nga koronavirusi, viktima një 76-vjeçare nga Veneto  

Një grua 76-vjeçare, e cila rezultoi pozitive me koronavirus ka ndërrua jetë në spitalin Treviso në Veneto. Ajo ishte shtruar në spital për komplikime me sistemin respirator të mëprashme, ndërsa ndërroi jetë mbrëmjen e së martës.

Numri i viktimave në Itali deri tani ka shkuar në 11 ndërsa 322 janë të infektuar në të gjithë vendin. Pak orë më herët humbën jetën edhe 3 persona të tjerë në moshë të tretë, konktretisht një 84-vjeçare në provincën e Bergamos, një burrë 91 vjeç nga San Fiorano dhe një grua 83 vjeçare. Rajoni i Lombardisë është zona më e prekur në Itali, ku është shënuar dhe numri më i lartë i viktimave.

Ora 18:33
Rritet në dhjetë numri i vdekjeve nga koronavirusi në Itali, viktimat mbi 80 vjeçarë

Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në Itali është 322 kurse numri i vdekjeve ka shkuar në dhjetë.

Tre viktimat e orëve të fundit në Lombardi janë të moshës mbi 80 vjeç me probleme të mëparshme shëndetsore.

Lajmi për viktimat u dha nga Komisioneri Angelo Borrelli gjatë një konference për shtyp.

Për sa i përket të infektuarve dhe viktimave Lombardia është rajoni italian më i prekur nga koronavirusi.

Më herët, këshilltari për Mirëqenie, Giulio Gallera tha se në rajon ka vdekje të reja që mund t'i atribuohen koronavirusit, por pritet që fjalën e fundit ta thotë Instituti i Lartë i Shëndetësisë.

Ora 16:54
Itali/ Prifti në Genova mban meshë me sallë bosh për shkak të koronavirusit (FOTO)

ITALI-Don Giacomo Martino, një prift i San Tommaso-s në Genova, ka zhvilluar meshën në një sallë bosh por në transmetim online, për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Sipas Tigicom, mesha e cila zakonisht realizohet të shtunë dhe të djelë u mbajt ditën e sotme për të gjithë besimtarë dhe jobesimtarë për gjendjen të cilën po kalojnë.

Për shkak të situatës dhe vendimeve të marra për ndërprerjen e tyre deri në 1 mars, Don Martino ka vendosur ta mbajë në këtë mënyrë çdo ditë në orën 18:30.

Foto nga mesha
Ora 16:54
Itali/Instituti i Lartë i Shëndetit: Jo panik, gripi sezonal dhe komplikimet e tij shkaktojnë 8,000 vdekje çdo vit

Sa njerëz vdesin nga gripi në Itali çdo vit?

Llogaritja është bërë nga Instituti i Lartë i Shëndetit i cili ka publikuar një raport në portalin e tij Epicentro.

Studiuesit e Institutit kanë llogaritur rreth 8 mijë vdekje në vit në lidhje me sëmundjen sezonale të gripit apo ndërlikimet e tij, madje numri i viktimave ka shkuar deri në 12 mijë në varësi të stinëve.

Instituti gjithashtu bën një analizë të thelluar për sezonin 2019-2020.

"Nga të dhënat e disponueshme deri më tani kulmi i epidemisë së mes viteve 2019-2020 ka patur 13 raste të prekur nga viroza për 1000 persona të testuar apo thënë ndryshe, rreth 5,632,000 raste të sindromës së gripit në të gjithë Italinë"

Po sipas institutit, 30-82% e personave kanë patur forma të rënda dhe të ndërlikuara të gripit sezonal kurse 97% e personave që kanë humbur jetën, kanë patur të paktën një sëmundje kronike para-ekzistuese.

Ora 16:02
Presidenti i rajonit të Lombardisë: Numri i madh i të infektuarve edhe për shkak të shumëllojshmërisë së testeve që janë bërë

Attilio Fontana, Presidenti i Rajonit të Lombardisë në Itali, duke folur në Këshillin rajonal tha se numri i lartë i të infektuarve është edhe për shkak të faktit se Rajoni ka bërë vlerësim tepër të kujdesshëm të rasteve që i janë nënshtuar analizave që në pjesë të tjera të botës nuk janë bërë në të njëjtën mënyrë.

Sot në ndihmë të policisë dhe karabinierisë që kontrollojnë hyrje daljet dhe patrullojnë në 11 komunat e mbyllura në karantinë në zonën e Lodi, kanë shkuar edhe personel ushtarak dhe është shtuar numri i pikave të kontrollit në vendet e klasifikuara si 'Zona të Kuqe'.

Masat e aktivizuara nga autoritetet përfshijnë mbi 50 mijë njerëz në 11 bashki në Itali në rajonin verior, që janë në gjendje karantine, ku janë pezulluare eventet publike dhe shkollat do të qëndrojnë të mbyllura për të paktën 1 javë.

Ora 15:52
Koronavirusi/Kryeministri Conte: Italia është një vend i sigurt...por shumë vende po vendosin masa nga frika e infektimit

Tonet e Kryeministrit italian Giuseppe Conte sot kanë qenë më siguruese sesa shqetësuese krahasuar me ditët e mëparshme kur edhe shpërthyen infeksionet prej koronavirusit kinez.

“Italia është një vend i sigurt, ku mund të udhëtosh dhe të bësh turizëm. Ka vetëm pak zona që i janë nënshtuar kufizimeve përmes dekretit qeveritar. Ndoshta Italia është një vend më i sigurt se shumë të tjerë".

Reagimi i Conte vjen pas reagimit të disa vendeve fqinje me Italinë të cilat kanë vendosur masa të ndryshme nga frika e koronavirusit.

Bosnja, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Irlanda dhe Izraeli janë vendet që kanë këshilluar qytetarët e tyre të mos udhëtojnë në Itali kurse Gjermania, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë aq drastikë, por ftojnë udhëtarët e tyre ti kushtojnë më shumë vëmendje situates së krijuar.

Qeveria franceze ishte e para në Europë që reagoi ndaj emergjencës shëndetësore në Itali.

Në faqen e internetit të qeverisë, Italia është e vendosur në të njëjtin nivel me Kinën, Korenë e Jugut dhe Japoninë dhe iu bëhet thirrje atyre që kanë udhëtuar ditët e fundit në rajonet veriore të gadishullit, të limitojnë daljet në ambiente publike si dhe kontaktet me të tjerë kurse zyrtarët e arsimit janë urdhëruar që të trajtojnë me karantinë 14 ditore të gjithë ata fëmijë që janë kthyer kohët e fundit nga rajonet italiane Lombardi dhe Veneto. Mendohet se ky lloj rrethimi do të jetë një goditje e vërtetë për të gjithë sektorin e turizmit në Itali.

Në aeroportin e Pragës janë shtuar masat e sigurisë për fluturimet që vijnë nga Italia.

Bullgaria ka pezulluar fluturimet me Milanon deri më 27 Mars. Iraku ka ndaluar hyrjen e italianëve dhe udhëtarëve që vijnë nga Italia.

Bagdadi ka rënë dakord të zgjasë pafundësisht ndalimin e hyrjes në vendin arab të udhëtarëve që vijnë nga Kina dhe Irani dhe ka vendosur ndalime të ngjashme për udhëtarët që vijnë nga Italia. Kuvajti ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt dhe nga Italia.

Edhe Jordania gjithashtu ka ndaluar udhëtarët nga Italia të hyjnë në mbretëri. Britania e Madhe imponon kushte të ndryshme, në varësi të origjinës: ata që vijnë nga qendrat e “izoluara” do të duhet t’i nënshtrohen një izolimi ose karantine edhe në mungesë të simptomave kurse ata që vijnë nga pjesa tjetër e Italisë veriore do të duhet ta bëjnë këtë vetëm në prani të simptomave.

Ora 15:29
Walter Ricciardi i OBSH: Koronavirusi mund të vihet nën kontroll, zgjerohet harta e të infektuarve në Itali

Walter Ricciardi i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) tha se alarmi për epideminë e koronavirusit është i madh dhe nuk duhet të nënvlerësohet por sëmundja mund të vihet nën kontroll

Gjatë një conference për shtyp ai tha se "Nga 100 njerëz të sëmurë, 80 shërohen spontanisht, 15 kanë probleme serioze por të menaxhueshme në mjedisin e kujdesit shëndetësor, vetëm 3 përqind vdesin”.

Ndërkohë, rastet e para me koronavirus janë regjistruar, në Firence, Pistoia, dhe Palermo.

I infektuari në Pistoia, një shkencëtar 49-vjeçar i kompjuterave, tashmë është në izolim vullnetar, mendohet se është infektuar në Codogno, një nga epiqendrat e përhapjes së infeksionit.

Rasti i konstatuar në Bergamo, u shtrua në spital në ‘Cervello’ për kontrolle pasi tregoi simptoma të gripit.

Personi i konstatuar i infektuar në Firence kishte pak kohë që ishte kthyer nga vendet e lindjes ku mendohet se edhe prekur nga sëmundja.

Ora 15:17
Koronavirusi, 288 të infektuar, Qeveria Conte: Mbyllja e shkollave në të gjithë Italinë, Fake news

Itali është rritur në 288 numri i personave të infektuar nga koronavirusi.Sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile, rastet e infektuar janë identifikuar në 20 provinca, në Lombardi, Lodi (101 raste), Kremona (39), Pavia (17), Bergamo (14), Milano (3), Monza Brianza (2), Sondrio (1); në Veneto, Padova (30), Venecia (7), Treviso (1); në Emilia Romagna, Piacenza (17), Parma (4), Modena (1), Rimini (1); në Piemonte, Torino (3); në Toscana, Firence (1), Pistoia (1); në Trentino Alto Adige, Bolzano (1); në Siçili, Palermo (1); në Lazio, Romë (3). Në Lombardi ka 35 raste të konstatuar pozitiv dhe ndodhen në spital.

Në zbatim të dekretit qeveritar të ditës së shtunë, administratorët e rajoneve më të prekur - Lombardi dhe Veneto - por jo vetëm, kanë marrë masa si mbyllja e shumë bareve, diskotekave, pezullimin e mësimit në shkolla për të paktën një javë si dhe pezullimin e eventeve publike.

Ministria e Brendshme në Itali ka mohuar lajmin për mbylljen e shkollave në të gjithë Italinë. Në deklaratën e saj thuhet se "Policia e Shtetit ka raportuar përhapjen në mediat sociale të shumë mesazheve të rreme apo lajmeve të rreme, të cilat prodhojnë alarm të pajustifikuar, përfshirë lajmin Fake se të gjitha shkollat në Itali për shkak të urgjencës së koronavirusit janë mbyllur”.

Ministria e Brendshme ka vendosur të pezullojë eskursionet arsimore, duke filluar nga data 23 Shkurt 2020, si për destinacionet në Itali, por edhe jashtë saj, dhe ka pezulluar përkohësisht vizitat në muze, parqe arkeologjike dhe vende të tjera të kulturës.

Ora 14:22
Koronavirusi/ Përse shërbejnë maskat mbrojtëse, kush duhet t'i përdorë, llojet e tyre dhe si përdoren

“Maskat nuk shërbejnë për personat e shëndetshëm por vetëm për të sëmurët dhe personelin e kujdesit shëndetësor," thotë Walter Ricciardi.

Profesor Ricciardi, anëtar i komitetit ekzekutiv të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) dhe këshilltar i Ministrit Italian të Shëndetësisë, Roberto Speranza, tha gjatë një konference për shtyp se "Maskat e zakonshme shërbejnë si masë paraprake kurse ato të sofistikuara, të cilat kanë filtra, përdoren për të mbrojtur punonjësit e shëndetit".

"Masat higjienike (larja e duarve) dhe shmangia e kontakteve të ngushta me njerëzit, ashtu si edhe për gripin, janë të mjaftueshme për të parandaluar infektimin, ndërsa për ata që janë tashmë të sëmurë, maskat janë të domosdoshme për të shmangur përhapjen e patogjenëve", konfirmoi kryetari i Federatës së Urdhërit të Farmacistëve Italianë (Fofi), Andrea Mandelli.

Atherë, kush duhet t'i përdorë maskat?

“Ata që dyshojnë se kanë kontraktuar koronavirusin e ri dhe kanë simptoma të tilla si kollë ose teshtitje, ose ata që kujdesen për një person i dyshuar i infektuar nga koronavirusi, siç janë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe njerëzit që jetojnë në zona të konsideruara si vatra të shpërthimit të infeksionit, 'zona të kuqe', si për shembull në komunën e Codogno, në Itali. Përdorimi i maskës ndihmon për të kufizuar përhapjen e virusit, por duhet të shoqërohet me masa të tjera shtesë te higjenës së frymëmarrjes dhe të duarve. Nuk është e dobishme të mbani maska të shumta e të mbivendosura. Përveç kësaj, maskat nuk janë të nevojshme për popullatën në përgjithësi, në mungesë të simptomave të sëmundjeve të frymëmarrjes”. Kështu shkruan Ministria e Shëndetësisë në faqen e saj të internetit.

Cilat maska janë më efektive?

Maskat më të përshtatshme janë ato të klasës ‘FFP3’ ose ‘FFP2’, të çertifikuara në përputhje me ‘EN 149’, i cili konsiderohet një standard i nevojshëm për të siguruar mbrojtje të sigurt kundër rrezikut biologjik. Kjo shpjegohet nga Shoqata e prodhuesve dhe shpërndarësve të pajisjeve mbrojtëse personale dhe kolektive (Dpi), e cila në një shënim zyrtar thotë se maskat ‘FFP3’ kanë një efikasitet filtrimi prej 98% (krahasuar me 92% të garantuar nga ato të klasës ‘FFP2’ ).

Ora 13:24
Koronavirusi/Spanjë, 1000 turistë në karantinë në hotel

Rreth një mijë turistë po qëndrojnë në një hotel në Adeje, në jug të Tenerife, të bllokua në karantinë të detyruar nga autoritetet shëndetësore spanjolle pasi një turist Italian u shtrua në spital i identifikuar i infektuar me koronavirusin e Wuhan.

Sipas burimeve spanjolle, i infektuari me profesion mjek është i izoluar në spitalin Candelaria në kryeqytetin e Tenerife. Dy anëtarët e familjes së mjekut që janë me dhe që kanë pas testit rezultuan negative ndaj virusit, po mbahen nën vëzhgim në të njëjtin spital.

Dy rastet e mëparshme në Spanjë

Dy rastet e tjera të infektimit në Spanjë kanë të bëjnë me një anglez, i cili u testua pozitiv në Mallorca më 9 shkurt, dhe një gjerman, i cili u tesatua pozitiv në La Gomera më 1 shkurt.

Ora 13:22
Kroacia konfirmon rastin e parë me koronavirus, edhe dy serbë të infektuar

Kroacia konfirmon rastin e parë me koronavirus. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri kroat, Andrei Plenkovíc, i cili njoftoi se i infektuar është një i ri nga Zagrebi.

“Pacienti është në spitalin e Zagrebit duke u kuruar tek reparti i sëmundjeve infektive. Bëhet fjalë për një djal të ri, i cili është i izoluar dhe në gjendje të mirë shëndetësore për momentin.”, tha kreu i qeverisë kroate, në një konferencë për shtyp.

Ministri i Shëndetësisë, Vili Beros sqaroi më tej se pacienti kishte qëndruar në Milano nga 19 shkurti deri me 21 shkurt.

Dy shtetas serbë, anëtarë të ekuipazhit të anijes “Diamond Princess” që është bllokuar në Japoni, janë infektuar nga koronavirusi. Raportimi erdhi nga Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç.

Daçiç i tha Tanjug se dy nga njëmbëdhjetë shtetasit e tjerë serbë, anëtarët ekuipazhi të anijes së  karantinuar në Yokohama të Japonisë, ishin testuar pozitivisht për koronavirusin.

Ora 10:38
Koronavirusi, vaksinë nga Shtetet e Bashkuara, testet te njeriu në muajin prill

Mund të jemi afër krijimit të një vaksine kundër koronavirusit i cili deri tani ka shkaktuar mbi 2,000 viktima në Kinë.

Lajmi vjen nga SHBA, nga kompania farmaceutike ‘Moderna’, në Kembrixh, mjaftë e kuotuar në tregun e New Yorkut, Nasdaq, e cila në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Amerikan për alergji dhe sëmundje infektive dhe me Qendrën e Kërkimit të Vaksinave, që kanë deklaruar se janë shumë afër vaksinës e cila sipas tyre duhet të testohet te njerëzit deri në muajin prill 2020.

Testimi do të kryhet në rreth 20-25 vullnetarë të shëndetshëm, ndërkohë që ‘Moderna’ ka dërguar disa mostra të vaksinës eksperimentale në Institutin Bethesda, në Maryland, me të cilin ka bashkëpunuar.

Kontrollet duhet të përcaktojnë nëse dy doza të vaksinës janë të mjaftueshme për të mbrojtur njerëzit nga infeksioni i koronavirusit.

Ende nuk është e qartë se kur do të jetë momenti që vaksina të jetë në raftet e farmacive, por mendohet se ato do të jenë gati midis korrikut dhe gushtit.

Imunologu Anthony Fauci, kreu i Institutin Kombëtar Amerikan për alergji dhe sëmundje infektive, shpjegoi se është e mundur që përhapja e koronavirusit të jetë më e paktë në muajt e ngrohtë, por që më vonë do kthehet fuqishëm në dimër, por që deri athere vaksina mendohet të jetë gati.

Ora 09:52
Koronavirusi/David Sassoli: Të pezullohet Shengen? Virusi nuk është terrorist që mund të arrestohet në kufi

Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli tha se emergjenca e koronavirusit mund të kapërcehet me shkencë dhe jo me magjistarë.

Ai tha gjithashtu se asnjë vend nuk mund të përballojë i vetëm sfidat e tanishme dhe se vendet e unionit duhet të rrisin fondet për të fituar luftën me epideminë.

"Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është një situatë serioze që mund të ketë ndikim të paparashikueshëm. Ne nuk duhet të krijojmë alarmizëm por duhet të mbështetemi te shkenca, e cila duhet të mbështetet me financa, dhe për këtë duhet investuar më shumë.”

Në lidhje me idenë e pezullimit të lëvizjes së lirë në Zonën Shengen, Sassoli tha se "Nuk ka kuptim. Ajo që ka rëndësi është që Europa ka aftësinë të koordinojë masat e përbashkëta”.

“Ka nga ata që duan të rivendosin kontrollet kufitare. Është e pakuptimtë. Një terrorist mund të arrestohet në kufi, por jo një virus”.

Ora 08:57
Trump-Kongresit: 2.5 miliardë dollarë për vaksinën, OBSH: Ende epidemi dhe jo pandemi

Për Organizatën Botërore të Shëndetit, për momentin nuk flitet ende për një pandemi, sepse ende nuk ka një përhapje në shkallë të gjerë të koronavirusit në të gjithë botën. Por alarmi është i lartë dhe OBSH u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të marrin masat e nevojshme.

Ndërkohë, deri në gjetjen e vaksinës po përshpejtohet gara në të gjithë botën për të gjetur terapi efektive kundër koronavirusit.

Ekzistojnë të paktën tetëdhjetë teste klinike, nga Kina në Europë dhe SHBA, ndërsa OBSH, Organizata Botërore e Shëndetit, synon të përgatisë një protokoll standard për të unifikuar parametrat laboratorikë ndërkombëtarisht.

Për momentin rastet më të rënda, madje edhe në Itali, po trajtohen me një kombinim të dy ilaçeve kundër HIV.

Në Kinë gjithashtu po studiohen efektet e një antivirali të tretë, një ilaç kundër malaries.

Sipas "Politico", presidenti Trump i ka kërkuar Kongresit amerikan një fond shtesë në buxhet prej 2.5 miliardë dollarë për ti përdorur në betejën me koronavirusin.

Paketa shtesë kërkon edhe përdorimin e fondeve të papërdorura në luftën me Ebola.

Mbi 1 miliardë dollarë mendohet të shkojnë për zhvillimin e vaksinës dhe pjesa tjetër për të rritur fleksibilitetin në situatën e krijuar nga epidemia e koronavirusit.

Sot Presidenti Donald Trump shkroi në Twitter se "Epidemia e koronavirusit në SHBA është nën kontroll dhe se Qendrat amerikane për parandalimin e sëmundjeve dhe shëndetin global po punojnë shumë për të fituar luftën me virusin kinez".
 

Ora 08:34
Koronavirusi, 71 vdekje të tjera në Kinë për një total prej 2669 viktimash, 80 150 numri i përgjithshëm i të infektuarve

71 persona të tjerë vdiqën në Kinë nga koronavirusi në 24 orët e fundit duke arritur në total 2,669 vdekje në territorin kinez. Po dje janë identifikuar më shumë se 500 raste të reja të infektuar për një total prej 80 150 personash.

Përhapja e infeksionit është shfaqur më shumë në krahinën Hubei, aty ku dhe lindi, kurse në pjesën tjetër të vendit numri i personave të prekur është ulur për të katërtën ditë radhazi.

Ndërkohë situata në Korenë e Jugut vazhdon të jetë e rëndë. 60 të identifikuarit të infektuar e kanë rritur në rreth 900 numrin total të të prekurve nga koronavirusi.

Në tragetin Diamond Princess me spirancë të hedhur në ujrat e yokohama numri i viktimave ka shkuar në katër kurse në Japoni deri tani numërohen 850 të infektuar, perfshi 690 pasagjerët e anijes që rezultuan pozitiv nga analizat.

Në Iran, sipas agjencisë ISNA numri i të vdekurve vetëm në qytetin Qom ka shkuar në 50 por autoritetet hedhim poshtë njoftimin duke deklaruar vetëm 12 viktima dhe 61 të imfektuar.

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • pjeter: 25/02/2020 17:34

    Jo nje jave do rrine karantine komunat e zonave te kuqe,por 2.Sipas OBSH-se,Sars-cov-19,rri ne inkubacion nga 2 deri ne 11 dite,dhe karantina eshte percaktuar 14 dite.

    Përgjigju
  • Lol: 25/02/2020 14:01

    Virusin do e bi Meta

    Përgjigju
  • Selim: 25/02/2020 11:21

    Konte i lau duart

    Përgjigju
  • Kafsha: 25/02/2020 08:44

    Po po, e gjeti Kontja justifikimin direkt! Keshtu do e gjejne dhe keta tanet sepse Drapërkotherja po afron!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit