Rasti i dyshuar rezultoi negativ, Manastirliu: Asnjë i infektuar me koronavirus në Shqipëri! Jo koha për mbyllje të shkollave e kufijve me Italinë (VIDEO)

TIRANE-  Shqipëria nuk ka asnjë rast deri më tani të prekur nga koronavirusi, ndërsa i vetmi i dyshuar si i infektuar i është nënshtruar analizës në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, ka rezultuar negativ. Ky ishte rasti i tetë në Shqipëri që dyshohej për koronavirus, por që ka dalë negative. Deri tani në vendin tonë nuk ka asnjë të infektuar. Në mbledhjen e Task-Forcës për masat parandaluese të koronavirusit, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tha se bluzat e bardha dhe policia kufitare janë në gatishmëri, por pavarësisht përhapjes së virusit në Italinë fqinje, risku brenda Shqipërisë është shumë i ulët. Ministrja tha se është shpërndarë protokolli kombëtar në të gjitha institucionet e shërbimit shëndetësor sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhe se të gjitha bluzat e bardha po trajnohen nga inspektorët e ISHP-së.

Ndërkohë, në të gjitha pikat kufitare janë dyfishuar personelet mjekësore prej ditës së djeshme, janë krijuar korridore intervistimi për të gjurmuar dhe mbajtur në survejim rastet që mund të quhen të dyshuar për shfaqjen e virusit, veçanërisht udhëtarët e ardhur nga Italia, apo që kanë pasur historik udhëtimesh së fundi me Kinën.

Ministrja e Shëndetësisë tha se nga analizimi i situatës deri më tani, nuk ka vend për mbylljen e kufijve me Italinë, apo për mbylljen e shkollave në vend. Megjithatë, tha ajo çdo gjë do të vlerësohet në varësi të riskut dhe çdo vendim do të merret në të mirë të shëndetit të shqiptarëve - theksoi Manastirliu. Po ashtu, tha ministrja Manastirliu është shpërndarë urdhri prej ditës së sotme për të rritur higjienën në të gjitha institucionet e arsimit, nga çerdhet deri tek universitetet.

Referuar akuzave nga Partia Demokratike se karantina spitalore është ngritur në Spitalin e Kavajës, ministrja tha ky është përdorim politik i situatës, dhe nuk duhet shfrytëzuar për të marrë vëmendje. Por sërish ministrja nuk tha se në cilin spital është ngritur karantina për trajtimin dhe mbajtjen nën survejim të izoluar të rasteve që mund të ketë në vazhdim të infektuar me koronavirus.  

Ministrja e Shëndetësisë tha se spitalet janë të furnizuara me maska mbrojtëse për të përballuar situatën nëse do të shkojmë në nivele të tjera ku do të jenë të domosdoshme për përdorim, ndërkohë që tregu ka mjaftueshëm stok - theksoi ajo. Apeli i ministres ishte që të gjithë qytetarët t'i marrin informacionet vetëm në rrugë zyrtare, nga strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe jo përmes burimeve të tjera që ministrja i quajti të rreme siç është rasti i audios që qarkulloi dje në Whatsapp ku një vajzë fliste për 12 raste të infektuarish në vendin tonë, ngarje për të cilën tashmë ka nisur një hetim.

Ndërkohë nga ana tjetër, drejtoresha e ISHP-së, tha se laboratori i këtij instituti ka mjaftueshëm furnizime me kite për të bërë analizën e koronavirusit.

Nëse keni dyshime se iu janë shfaqur simptoma të koronavirusit, nuk duhet të shkoni në spital, por të telefononi në numrin e gjelbër me shërbim 24 orë, 127, për të komunikuar me ekipin e specializuar të mjekëve. Ministrja e Shëndetësisë tha se është ngritur një njësi që i ka të gjitha kapacitetet për të pritur telefonatat

Në aeroportin e Rinasit, në portet e Vlorës e Durrësit, dhe në pikat e tjera në vend, janë shtuar edhe maskat mbrojtëse, me dizifektues, maska, dhoma izolimi provizor pranë këtyre pikave, për t'u spostuar më tej në karantinë spitalore nëse është e nevojshme. Kontrolli i parë në kufi është përmes një aparature për matjen e temperaturës, por më e rëndësishmja nis nga higjiena personale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:47
Rasti i dyshuar me koronavirus në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë: Rezultoi negativ

Një rast që dyshohej ditën e sotme me koronavirus në vendin tonë ka rezultuar negativ. Që prej shpërthimit të sëmundjes ky është rasti i 8 në Shqipëri, ku rezultati ishte negativ. Lajmi u konfirmua nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila ka mbledhur pasditen e sotme sërish Task-Forcën ku u raportua situata e deritanishme në vendin tonë dhe masat e marra.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik deri tani të 8 rastet e dyshuara kanë rezultuar negative. Ekspertët konfirmuan në mbledhjen e Task-Forcës se deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit në vendin tonë.

Pas evidentimit të situatës shëndetësore me prezencë komunitare të koronavirusit në Itali po vijohet me përforcimi i masave në pikat kufitare, sigurimi i sasisë së shtuar të mjeteve të mbrojtjes personale, përforcimin e gjurmimit të rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të koronavirusit COVID-19.

U vendos që ISHP, ISHSH, strukturat e njësive vendore të shëndetit  të ndjekin zbatimin e urdhrit të ministres Manastirliu për masa të shtuara higjieno-sanitare në institucionet arsimore, si një masë shumë e rëndësishme në këtë situatë. Përfaqësuesit e Task Forcës kanë bërë apel edhe për qytetarët të jenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.

Task Forca raportoi se po vijohet me forcimin e masave për kontrollin dhe parandalimin e koronavirusit COVID-19 si më poshtë:

Dyfishim të personelit në Njësitë Shëndetësore në pikat kufitare, aeroport, porte dhe pika kufitare tokësore, monitorimi i pasagjerëve nga ekipi shëndetësor edhe nëpërmjet matjes së temperatures.

Përforcim i kontrolleve në pikat kufitare, për çdo udhëtar për çdo udhëtar që vjen nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare, e përcaktuar nga OBSH.

Shtimi i informacionit dhe rritja e vizibilitetit të mesazheve në pikat kufitare, për të dhënë më shumë informacion për udhëtarët mbi vetëdeklarimin në strukturat shëndetësore, në rast të një shenjë klinike apo kontaktit me raste të konfirmuar me koronavirus në këto vende.

Rritja e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike.

Task Forca theksoi se duhet të vijojë masa e paracaktuar për vetëkarantinim të personave që vijnë nga vende me shpërthime komunitare të virusit.

Gjithashtu siç është bërë me dije, nga komiteti teknik tashmë janë vlerësuar disa vende për karantinim, në rast se do të jetë e nevojshme.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së cdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në frymën e transparencës do të ketë komunikim të përditshëm me publikun, duke ftuar dhe qytetarët t’i referohen informacioneve zyrtare.

Ora 17:47
Virusi kinez, OBSH qetëson situatën: Shkalla e vdekshmërisë jashtë Kinës vetëm 0.7%

1581834174_koronavirusi1.jpg
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesu ka qetësuar në kushtet e një situate alarmi nga virusi kinez. "Shkalla e vdekshmërisë nga Covid-19 “është midis 2% -4% në Wuhan, Kinë dhe 0.7% jashtë Wuhan”. Kjo është konfirmuar nga drejtori i përgjithshëm i OBSH-së. “Për njerëzit me sëmundje të butë, koha e rikuperimit është rreth dy javë, ndërsa njerëzit me sëmundje të rëndë ose kritike shërohen brenda 3-6 javësh” tha ai.

Ora 17:36
Porti i Durrësit: 8 mjekë kontrollojnë udhëtarët që vijnë nga Italia


Autoriteti Portual Durrës njofton se së bashku me ISHP-në kanë marrë masat duke dyfishuar personelin për kontrollin e personave që vijnë nga Italia pas rasteve të virusit kinez, që u mori jetën 6 personave në vendin fqinj. Në sheshin e trageteve është dyfishuar numri i personelit shëndetësor, nga 4 në 8 mjekë. Mjekët janë pajisur me mjetet e nevojshme dhe termometra lazer.

"APD/ Instituti i Shëndetit Publik dhe Autoriteti Portual Durrës bashkërendojnë zbatimin e masave

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, z. Pirro Vengu, znj. Silva Bino, shefe e sektorit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Prefekti i Qarkut Durrës z. Roland Nasto, diskutuan sot paradite në mjediset e APD, mbi bashkërendimin dhe shtimin e masave të kontrollit nga rreziku i koronavirusit në pikëkalimin kufitar të portit më të madh të vendit.

Tashmë në Terminalin e Trageteve, Njësia e përherëshme e APD për Mbrojtjen e shëndetit, është pjesë e grupit kombëtar të Task Forcës, me anëtarë edhe nga ISHP dhe Drejtoria vendore e Shëndetit Publik.

Nën kujdesin e APD, në sheshin e trageteve është dyfishuar numri i personelit shëndetsor.

8 mjekë, nga APD, institucionet vendore dhe nga Tirana monitorojnë çdo ditë hyrjet e udhëtarëve me tragete nga portet e Italisë.

Të pajisur me mjetet e nevojshme dhe termometra lazer, mjekët dhe personeli mbështetës, përveç parametrave shëndetsorë kontrollojnë gjithashtu edhe itineraret e lëvizjes së udhëtarëve para mbërritjes në portin e Durrësit.

Që nga Njoftimi i parë për rrezikun nga koronavirusi, në portin e Durrësit janë zbatuar në bashkëpunim me ISHP, një sërë masash shtesë, që synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve vendas dhe të huaj që zgjedhin të lundrojnë me tragetet" njofton porti Durrës.

Ora 10:52
1 rast i dyshuar me koronavirus në Shqipëri?! Drejtoresha e ISHP: Është negativ, por le ta 'thotë' përgjigjja e analizës (VIDEO)

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albina Fico, thotë se në laboratorin e ISHP-së, aktualisht pritet përgjigjja e analizës për një rast të dyshuar me koronavirus, për të cilin ajo tha se është thuajse e sigurt që është negativ, megjithatë nuk dëshirojë ta japë përgjigjen 100% të saktë pa pasur në dorën përgjigjen zyrtare të analizës.

"Praktikisht kemi vetëm 1 që është duke u procesuar, gjasat janë negativ, por pa e parë me sy letrën negativ, nuk do e them", u shpreh Fico.

Kryerja e analizës vjen pas dyshimeve se një qytetar mund të jetë infektuar, pasi mund të ketë shfaqur simptoma të ngjashme me të koronavirusit. Pas konsultimeve dhe trajtimit nga stafi mjekësor i trajnuar dhe specializuar, është marrë vendimi që këtij pacienti t'i bëhen analizat, edhe pse siç tha Fico, janë thuajse zero mundësitë që ai të dalë pozitiv.

Më herët, në vendin tonë 6 raste të dyshuar si të infektuar, pas kryerjes së analizës, rezultuan negativ.

E pyetur nga Report Tv, nëse ISHP ka mjaftueshëm kite për kryerjen e analizave për zbulimin e kronavirusit, Fico tha se vetë ISHP ka bërë blerje të këtij mjeti të nevojshëm për zbulueshmërinë e koronavirusit. Por shtoi se duke qenë një institut që bashkëpunon me institucione ndërkombëtare, kanë ardhur kite edhe nga "MediLabSecure", dhe priten furnizime të tjera nga jashtë.

Ora 10:46
Karantinë në spitalin e Kavajës? Manastirliu i përgjigjet PD-së: Ngjarja po përdoret politikisht, është e ulët të shfrytëzohet për të marrë vëmendje (VIDEO)

Deklaratën e Partisë Demokratike se qeveria ka ngritur një karantinë në spitalin e Kavajës, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e ka quajtur të ulët dhe politike. Ajo tha kjo situtatë duhet trajtuar me racionalitet nuk mund të përdoret politiksht.

"Duhet që të jemi shumë serioz në trajtimin e kësaj situate dhe kjo ngjarje nuk duhet trajtuar me mendjelehtësi dhe nuk mund të përdoret politikisht. Duhet unitet kombëtar dhe jo përdorimi politik. Ftoj këdo që ka një shqetësim ta ngrenë në institucione. Nuk duhet të përhapin panik sepse panik dëmton më shumë se vetë virusi. Vendimet tona bazohen në ekspertizën ndërkombëtare. Ato konsultohen me ekspertët më të mirë. Është e ulët të shfrytëzohet për një gjë të tillë një hapësirë në media dhe ju marrin kohë për një lajm që nuk ka asnjë dashamirësi ndaj publikut. Jo të gjithë qytetarët kuptojnë se çfarë është karantina. Në karantinë nuk shkojnë njerëzit e sëmurë. Të gjithë ata që e përdorin duan ta politizojnë këtë ngjarje. Duhet të jemi të gjithë së bashku për ta udhëhequr këtë situatë që qytetarët të dalin të pacenuar. Këto ngjarje duhet të trajtohen me racionalitet dhe jo me ngjyrime politike dhe as me thirrje publike. Përdorimi politik i kësaj ngjarje është turpi i atyre që duan të fitojnë kredo politike", tha Manastirliu.

Ora 10:45
Drejtoresha e ISHP: Asnjë vend nuk e ka gjetur pacientin ZERO! Virusi nuk kërkon 'pasaportë' (VIDEO)

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albina Fico,u shpreh se është rritur survejanca dhe mbikëqyrja. Ajo sqaroi se kontrollet dhe izolimi i rasteve të dyshuara nuk mund të bëhet në spitale publike.

"Raste të konfirmuara ne nuk kemi. Ne në mënyrë aktive kemi rritur survjancën dhe mbikqyrjen. Në shumë vende nuk e gjen dot pacientin zero. Në fund të ditës ke vetëm një instrument të bësh mbikëqyrjen. Ne po kontrollojmë me shumë kujdes ccdo lloj aspekti. Virusi nuk kërkon për të hyrë në Shqipëri sepse nuk ka kërkuar në asnjë vend tjetër.

Ka njerëz që duan të vijnë në ISHP për kontrolle. Ky nuk është një testim si bëhet për turbekulozin. Nuk është ccështje para. Është çështje sistemi.  Nëse do kishte 100 vetë që do donin të vinin ne do e zhvendosnim strukturën dikur tjetër. Ne testojmë të gjitha rastet e dyshuara. Ata duhet të telefonojnë në urgjencën kombëtare. Numri i rasteve të dyshuara pranë ISHP është 6 dhe të gjitha kanë rezultuar negative", deklaroi ajo.

Ora 10:43
Manastitliu: Kemi rritur survejancën para se OBSH të shpallte emergjencën globale! (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se masat e marra në lidhje me koronavirusin janë në kuadër të rekomandimeve të OBSH ndërsa shtoi se kontrollet dhe ndërtimi i strukturës ka nisur që para nisjes së emergjencës globale.

"Ne bazohemi në fakte dhe në atë që ekspertetë janë duke hulumtuar. Një rast i prekur duhet të ketë kaluar në të gjitha protokollet dhe të jetë i konfirmuar. Kur ne themi se Shqipëria deri më tani nuk ka asnjë rast me koronavirus i referohemi evidencës së kësaj sëmundjeje. Ne po shtojmë masat nëpërmjet kontrolleve të përcaktuara ndërkombëtarisht. Po veprojmë për të zbatuar rekomandimet e OBSH. OBSH përckaton rastin se kur  kemi rastin e parë me koronavirus. Sfida është kapja e hershme e rastit. Prandaj ne kemi vendosur alertin dhe survejancën që nga pikat kufitare deri në qendrat shëndetësore. Nuk është vetëm sfida jonë. Pas zbulimit në paralel hetimi dhe kontaktet e më pas izolimi dhe karantinim i janë masa të përforcuara nga dje. Ne kemi planin nga momenti i parë deri në vijimin. Qytetarët duhet të kenë besim në raport me masat dhe kapacitetet. Të gjtha masat janë në proporcion me shkallën e rriskut. Masat nuk të lënë as të gabosh as të mos marrësh masa e të flesh mbi dafina. Ne e kemi nisur punën përpara se OBSH të shpallte emergjencën globale. Ne dimë se si do veprojmë në skenarin 1 dhe në skenarin final. Jemi në kontakt me OBSH, por kjo nuk do të thotë që ne të vihemi në panik. Situata po ndiqet sipas protokolleve ndërkombëtare dhe nga ato shtete që ndoshta janë të prekura', tha Manastirliu.

Ora 10:27
Drejtoresha e ISHP: Kemi mjaftueshëm kite për koronavirusin! Risku për Shqipërinë është i ulët (VIDEO)

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albina Fico, tha se në laboratorët e këtij institucioni janë të mjaftueshme kitet dhe ragentët për të kryer analizën e koronavirusit, në rastet kur do të ketë dyshime të mundshme. Fico tha se risku për Shqipërinë është i ulët. Ajo shpjegoi se fakti që koronavirusi ka prekur Italinë fqinje nuk e rrit riskun në vendin tonë.

"Kemi numrin e duhur të kiteve dhe të ragentëve për të bërë analizat në laboratorët e ISHP-së. Risku për Shqipërinë është i ulët. Fakti që është në Itali, nuk e ndryshon nivelin e riskut brenda në Shqipëri. Alerti është parapërgatitje e mirëmenduar nëse do të kemi disa zhvillime të reja. Ne vijojmë të kemi risk të ulët, nuk kemi rast të konfirmuar", tha drejtoresha e ISHP-së.

Ora 10:22
A ka Shqipëria maska për të gjithë popullsinë? Manastirliu: Spitalet janë të furnizuara! Tregu ka mjaftueshëm stok (VIDEO)

Ministrja e Shëndetëisë Ogerta Manastirliu ka qetësuar qytetarët lidhur me gjendjen e maskave në vend për të përballuar koronavirusin. Ajo tha se spitalet janë të furnizuara, ndërsa shtoi se tregu ka mjaftueshëm stok për të përballuar kërkesën.

"Përgjigja do të përmbush pritshmëritë tuaja. Ashtu si ekspertët rekomandojmë maskat nuk parandalojmë virusin. Vendosen tek ata persona që kanë probleme më shëndetin ose i shërbejnë dikujt që është i sëmurë. Kemi bërë një verifikim të importeve të maskave. Ekzistojnë dhe kompanitë që janë distributor. Spitalet disponojnë të gjitha masat mbrojtëse duke nisur nga maskat. Ndërsa farmacitë janë private dhe porosisin sipas kërkesë. Tregu ka stokun e mjaftueshëm që të përballojë kërkesën. Spitalet kanë marrë të gjitha masat për furnizimin e tyre. Kështu që pa asnjë lloj shqetësimi", tha Manastirliu.

Ora 10:14
A do të mbyllen shkollat dhe kufijtë me Italinë?! Përgjigjet Manastirliu (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se sipas shkallës së rrezikshmërisë do të merren masat përkatëse, por deri më tani, nisur nga fakti që sipas saj nuk ka asnjë rast të prekuri në vendin tonë, nuk do të shkohet drejt mbylljes së kufijve me Italinë fqinje.

E pyetur nga gazetarët, Manastirliu tha se nuk ka asnjë të infektuar me koronavirus në Shqipëri, dhe fokusi aktualisht është për të dyfishuar masat shëndetësore për të mbrojtur shëndetin e shqiptarëve.

"Masat që do të marrim do të jenë orientuar nga qëllimi madhor për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve", tha Manastirliu.

Megjithatë, ajo tha se çdo vendim do të merret sipas shkallës së riskut.

"OBSH rekomandon të vlerësohet mundësia hap pas hapi bazuar në shkallën e riskut, por mbyllja e kufijve realizohet kur paraqiten raste, kur kemi situatë të epidemisë me përhapje të gjerë, kur edhe në këto raste nuk vendosen masa agresive kombëtare, por izolohet lokalisht rasti gjurmohet kontakti dhe vendosen masa", tha ministrja.

"Do të përgjigjemi sipas situatës dhe shkallës së riskut. Vendimet do të merren hap pas hapi me qëllim mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë", theksoi ministrja e Shëndetësisë.

Po ashtu, të njëjtin qëndrim dhe përgjigje ministrja dha edhe përballë pyetjes nëse duhen mbyllur shkollat. Sipas saj, nuk është momenti.

Ora 10:07
Urdhri i Manastirliut për çerdhet, kopshtet, shkollat e universitetet: Shtohen masat higjieno-sanitare (VIDEO)

Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë urdhër për rritjen e higjienës në të gjitha institucionet arsimore, për të marrë masat e duhura tek fëmijët e deri tek studentët për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

"Sot kamë firmosur urdhrin për masa të shtuara higjieno sanitare në strukturat arsimore, duke filluar nga erdhët deri tek universitet", tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se janë këshilla të domosdoshme, të thjeshta por me rëndësi të madhe për të ulur infeksionet ngjitëse, që kanë të bëjnë me ruajtjen e higjienës, si larta e shpeshtë e duarve.

Ora 10:00
Manastirliu: Protokoll kombëtar për koronavirusin, bluzat e bardha në gjendje gatishmërie! Dje u kontrolluan 4500 udhëtarë në kufi (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se vetëm ditën e djeshme, me dyfishimin e personeleve mjekësore në pikat kufitare, janë vlerësuar dhe kontrolluar 4500 udhëtarë në total, të ardhur nga jashtë, veçanërisht nga Italia, ku koronavirusi ka shënuar viktimat e para. Pas kontrolleve, udhëtarëve që vijnë nga zona me risk u merren edhe adresat e qëndrimit për të paktën dy javë, ku kontaktojnë vazhdimisht me mjekët dhe qëndrojnë në vëzhgimin e tyre, brenda kohës 2 javore që koronavirusi mund të shfaqet tekrastet e dyshuara.

Manasterliu tha se ministria ka protokollin kombëtar të punës për të përballuar situatën, sipas parametrave dhe udhëzuesve të OBSH-së. Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik, janë ata që trajnojnë bluzat e bardha në të gjitha shërbimet shëndetësore. Ministrja bëri të ditur, se strukturat e kujdesit shëndetësor në të gjithë Shqipërinë janë vendosur në gjendje gatishmërie.

"Sipas parametrave dhe udhëzuesve të OBSH,  janë përkthyer në protokolle kombëtare të punës sonë. Në të gjithë protokollin që ne zbatojmë, jemi duke ndjekur situatën. Masat e shtuara kanë të bëjnë me dyfishimin e strukturave tonë në pikat e kalimit kufitar. Po bëhet vlerësim i imtësishëm i të gjithë udhëtarëve, në raport me vendin nga vijnë, për të pasur më pas një gjurmim të çdo rasti. Po vijon trajnimi kaskadë në të gjithë strukturat e kujdesit shëndetësor në gjithë Shqipërinë, për vendosjen në gjendje të gatishmërisë, për informacionet dhe protokollet e ndjekjes e trajtimit të simptomave të kësaj sëmundje. Jo vetëm po vijon forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore, por puna ka qenë edhe me strukturat paralele, kufirin, policinë, arsimin", tha Manastirliu.

Ministrja tha se gjithçka është nën monitorimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhe sa i përket gatishmërisë së sistemeve - tha Manastirliu - vendi ynë ka marë vlerësim.

Ora 09:50
Manastirliu: Nuk ka asnjë rast me koronavirus në Shqipëri, besojini vetëm informacioneve zyrtare, jo vend për panik (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manasterliu, tha se çdo informacion duhet marrë në rrugë zyrtare, nga strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe jo përmes burimeve të tjera që ministrja i quajti të rreme siç është rasti i audios që qarkulloi dje në Ëhatsapp ku një vajzë fliste për 12 raste të infektuarish në vendin tonë. Shqipëria deri më tani nuk ka asnjë rast me koronavirus

"Ju kemi informuar për rastet e mundshme, ku 6 raste që janë analizuar nga ISHP kanë rezultuar negative", theksoi ministrja. 

"Jemi të përgjegjshëm dhe duhet të ecim me transparencë maksimale me publikun, për të gjitha masat që jemi duke ndërmarrë. Komunikimin me publikun e kemi thelbësor për të shmangur çdo dezinformim. Edhe dje jo pak mesazhe kanë qarkulluar që kanë nxitur panik. Nuk është koha që paniku t'i zë vendin arsyes. Është koha të vlerësojmë dhe dëgjojmë ekspertët, që në Shqipëri nuk mungojnë, të cilët po ndjekin planin e veprimit të miratuar nga tas-forca dhe strukturat në qeverinë shqiptare. Dua t'iu ftoj si media për t'iu pasur bashkëpunëtorë ashtu si dhe qytetarë, në një situatë që nuk kërkon panik, por përgjegjësi, transparencë dhe racionalitet. Jemi përballur dje me mesazhe të rreme, të cilat menjëherë kemi informuar nëpërmjet Ministrisë për jo vërtetësinë e tyre", tha ministrja e Shëndetësisë. 

Ora 09:45
Merkaj: Korridore intervistimi në kufi, efektivët me pyetësorë për pasagjerët! Po hetohet audio e rreme në Whatsapp (VIDEO)

Drejtori i Përgjithshëm i Kufirit, Eduard Merkaj tha se veç korridoreve të intervistimit të udhëtarëve që vijnë në vendin tonë, veçanërisht ata nga vendet e riskut, me urdhër të drejtorit të Policisë, Ardi Veliu, secili efektiv në kufi ka në dorë pyetësorët e posaçëm për rastin për pasagjerë.

Duke theksuar se policia kufitare është në gatishmëri totale, Merkaj iu referuar edhe rastit të mesazhit shpërndarë në Whatsapp të audios së një vajze që fliste për 12 raste të infektuarish në Shqipëri, ku tha se "kanë filluar hetimet sa i përket keqpërdorimit të këtyre mesazheve. Kolegët e mi po vazhdojnë veprimet".

Ora 09:40
Masat për koronavirusin/ Hashrova tregon skemën e kontrollit në pikën kufitare (VIDEO)

Lorenc Harshova Shef i Njësisë së Inspektimit Shëndetesor Rinas deklaroi gjatë mbledhjes së task-forcës për koronavirusin se në çdo pikë kufitar ka 4 inspektorë në turn të cilët merren me intervistimin dhe matjen e temperaturës së pasagjerëve që vijnë nga vendet fqinje.

"Tani ka 4 inspektorë në çdo turn që bëjnë intervistimin dhe matjen e temperaturës. Të gjithë pasagjerëve i është matet temperatura. Deri më tani i është matur temperatura  2803 pasagjerëve, nuk kanë shfaqur shenja dhe janë lënë të lirë. Ka pesë kabina policie ndaj kemi krijuar dy korridore dhe pas kontrollit të temperaturës kalohen pasaportat", u shpreh Hashrova.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vlonjati Pjella Lushnjarit: 24/02/2020 20:33

    Kur të vije flama në Shqiperi ç fare do thotë kjo? A do shkoje ne burg?

    Përgjigju
  • Ana: 24/02/2020 18:15

    Deri tani kisha respekt per ministren. Por mes apo shof po mbulon disa gjera. Sa per maskat kam dal vet ne gjith Tiranen beper farmaci dhe depo dhe kudo magazina dhe nuk ka pasur. Kam perfunduar ne magazina ne durres qe kam gjetur ato pak qe kishin mbetur. Sic nuk duan kta informacione te rreme mos te leshoj dhe ministrja info te rreme mbi maska sepse kan mbaruar dhe nuk ka.

    Përgjigju
  • Emi: 24/02/2020 12:47

    Erdhi koha si me myll kofite si ne koh te PPSH

    Përgjigju
  • Vloraaaa: 24/02/2020 11:41

    Pse nuk ndjekim shembullin e rumanise... karantine 14 ditore kush hyn ne shqiperi..

    Përgjigju
    • Demi: 24/02/2020 20:18

      Ooooo selenicaaaaaa gëk

    • Selenice: 24/02/2020 14:20

      Shembullin e syve të të dalin, shiko mbetjete kimike. Njerese te liqe vlonjatet!

  • O Milet!: 24/02/2020 11:35

    Mos pershtyni apo shfryni hundet pertoke! Mos shtrengoni duart e njeri tjetrit as me variantin klasik edhe as me variantin e qepallimit Rama-Basha! Pini sa me shume vitamina C 500 e 1000 mg! Maskat jane kot, por lajini duart me sapun edhe uje te ngrohet vazhdimisht! Rrini ne ambjent te ngrohte se çdo gje do te kaloje!

    Përgjigju
    • Kupapakapak: 24/02/2020 20:37

      Big up O Milet!

    • Lui: 24/02/2020 20:10

      Oooo.., me ne fund lexova nje koment nga nje njeri me llogjike normale.. Jam plotesisht dakord o Milet!

  • Loran: 24/02/2020 11:26

    Ca gatishmerie ke ti mi

    Përgjigju
  • O ministre: 24/02/2020 11:13

    Hapni sytë ministre se ketu ku jemi ne lombardi po shikojm me sytë tane cfare po bëhet.. Komplet shteti italian është ne gjunj dhe jan ne panik te gjithe. Nuk din nga tja mbajn.. Na kan mbyllur në fshat me ushtri si ne kohen e luftës.. Mos e nënvlerësoni se perhapet shumë shumë shpejt si virus, është me te vertet i rrezikshëm.. Hapni sytë dhe sa per maskat sbejn shumë punë..

    Përgjigju
  • Fredi MOTÉRQIRI: 24/02/2020 11:13

    Ishalla O ZOT mbase KoronaVirus bje tek Protestuesit Terroristé né Bulevard né Datén 2 Mars dhe i merr me vete PIDH MOTRAT e LSI KORRUPSIONIT dhe PD KRRIMIT té ORGANIZUAR !! ISHALLA O ZOT i MARTÉ KoronaVirusi dhe pastaj ti dérgojné né Karantinén e Kavajés sé KRRIMIT , dhe ti Mbyllin atje derisa té Ikin pér LESH KARI nga kjo BOTÉ

    Përgjigju
    • Kupamekapak: 24/02/2020 20:35

      Mish, patate, salce kosi?

  • Toni: 24/02/2020 10:33

    Në Durres, asnjë Farmaci nuk ka maska, asnjë qendër shëndetësore NUK ka maska, spitali nuk e di. Ndaj të thuash ka stok mjaftueshëm është gënjeshtër.

    Përgjigju
    • Lui: 24/02/2020 20:08

      Toni, me sa di une maska eshte max nje ditore se ndotet edhe nga smogu i rrugeve. Keshtu qe duhen miliona maska qe te pakten te shtyjme muajin.. Dhe ne fund prap nuk eshte zgjidhje..

  • HEUUU: 24/02/2020 10:26

    Italia eshte futur ne karantine, kjo thote do mbajme kufijte hapur me Italine.

    Përgjigju
  • Tutu: 24/02/2020 10:17

    Zonja ministre dje mbasdite ne Morine 0 kontroll

    Përgjigju
  • A...Zh: 24/02/2020 09:58

    Per nje numer me te vogel te prekurish nga coronavirusi se ne Itali, Turqia ka mbyllur kufirin me Iranin. Po ne a duhet ta bejme? Nuk jam i sigurt, nuk i di rrjedhojat. Por jam i bindur qe duhet te operojme sikur ky virus te jet prezent edhe tek ne.

    Përgjigju
    • Lui: 24/02/2020 20:04

      A...Zh: Ku e ke marre ate info ti qe ne Iran ka me pak te prekur se ne Itali?! Nga infot qe qarkullojne neper network dihet qe ne Iran jane te pakten 9 te vdekur, ndersa ne Itali 4.. Apo e leshove njehere lajmin me tendence negative sa per pak panik..

  • Corona: 24/02/2020 09:52

    Po cfare do mbrohemi, nuk po mbrohen dot vendet perendimore do mbrohemi ne. Ah po po te ishte ne pushtet Vasili, Nard Ndoka e Lul-Mona, po qe e kishim nje shans;)

    Përgjigju
    • A.n.: 24/02/2020 11:01

      Nard Ndoka do ia kishte shtypur koken virusit me cekanin qe kishte kur punonte ne hidrocentral

  • Kafsha: 24/02/2020 09:29

    Ka dhe nje super të mire ky virusi, do detyrojë gjith funderrinat qe kanë derrmuar udhetarët për dhjetra vjet ti ulin çmimet e biletave në 1 euro. Do kënaqemi!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja