7 vjetori i pavarësisë së Kosovës
politika shqiptare mesazhe urimi

7 vjetori i pavarësisë së Kosovës<br />politika shqiptare mesazhe urimi
TIRANE - Në 7 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës mesazhe urimi kanë dalë dhe nga Tirana. Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar një letër homologes kosovare ku përcjell përcjell urimet më të mira për mirëqenien dhe begatinë e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj. 

Kreu i Shtetit thotë se në këto 7 vite pavarësi, Kosova është një shembull suksesi. Sipas Presidentit pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, ndërsa tani duhet që të jetë pjesë e hapësirës europiane. 

Edhe Kryeministri Edi Rama i është bashkuar urimeve të politikës shqiptare për 7-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke shprehur njëkohësisht edhe nderimin e tij më të thellë për të rënët e luftës. 

Nga ana e tij Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi homologut të tij Kadri Veseli ku thekson mbështetjen e Shqipërisë dhe aleatëve ndërkombëtarë për Kosovën. Sipas Metës Pavarësia e Kosovës solli paqe dhe stabilitet për rajonin.
 
Ndërkohë Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte i pari që shprehu urimin për 7-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa e cilësoi këtë ditë historike të një gëzimi legjitim të shqiptarëve kudo ku janë.

Ndërsa ish-Kryeministri Sali Berisha në urimin e tij, ka vlerësuar ish-Presidentin Ibrahim Rugova dhe ish-Komandantin e UÇK-së Adem Jashari ku sipas tij falë kontributit dhe sakrificave të këtyre heronjve u arrit Pavarësia e Kosovës.

nishani-jahjaga


Mesazhi i Presidentit Bujar Nishani
Marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, përtej marrëdhënieve ndërshtetërore, janë marrëdhënie vëllazërore, që i shërbejnë më së miri bashkëpunimit të gjithanshëm e strategjik në të mirë të qytetarëve të dy vendeve tona, por dhe bashkëpunimit në nivel rajonal e evropian. Kosova sot është një shtet i pavarur dhe unë ndjehem shumë i lumtur që në këto shtatë vjet pavarësi, Kosova ka qenë një shembull suksesi. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe koha po tregon se mbështetja e pavarësisë së Kosovës i ka shërbyer jo vetëm Kosovës dhe qytetarëve të saj, por edhe paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit si dhe të hapësirës evropiane. Kam, gjithashtu, kënaqësinë që në këtë Ditë të Pavarësisë, të përshëndes të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, si dhe të shpreh mbështetjen e palëkundur të të gjitha institucioneve të Republikës së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare. Jam i bindur se shumë shpejt, Kosova do të zërë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, Ju lutem pranoni e nderuar Zonja Presidente, konsideratat e mia më të larta.

Rama: Nderim për të gjithe të rënët në luftën çlirimtare
Kryeministri Edi Rama gjithashtu ka uruar 7 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në një status në rrjetin social Facebook Rama shkruan: "Gezuar Diten e Pavaresise se Kosoves me nderimin e thelle per te gjithe te renet ne luften çlirimtare!"

Meta: Pavarësia e Kosovës solli paqe dhe stabilitet në rajon
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi homologut të tij Kadri Veseli me rastin e 7 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në letrën e tij Kryeparlamentari Meta vlerëson kontributin dhe sakrificat e figurave historike si ish-Presidenti Ibrahim Rugova dhe komandanti i UÇK-së Adem Jashari.

Po ashtu Meta shpreh vlerësimin e tij edhe për arritjet e deritanishme të Kosovës, duke shtuar se shteti më i ri i Ballkanit ka krijuar paqe dhe stabilitet në rajon. Meta thekson se si Shqipëria ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë do të mbështesin Kosovën drejt të ardhmes së saj të sigurt në Bashkimin Evropian dhe njohjes edhe më të madhe nga ana e shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Më poshtë letra e Kreut të Kuvendit Ilir Meta dërguar homologut Kadri Veseli:

I nderuar Zoti Kryetar,

Me rastin e 7 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës më lejoni t’Ju përcjell urimet më të përzemërta dhe më të ngrohta në emër të Kuvendit të Shqipërisë. Sot është një ditë e shënuar jo vetëm për popullin e Kosovës por për të gjithë shqiptarët, ndaj dhe i gjithë kombi ynë kujton me mirënjohje të thellë politikën e mençur dhe vizionare të Presidentit Ibrahim Rrugova dhe të gjithë së bashku nderojmë e përulemi përpara sakrificës së heronjve të UÇK-së me në krye Komandantin legjendar Adem Jasharin. Shtatë vjet pas aktit të guximshëm e historik të shpalljes së pavarësisë, akt i cili i ka shërbyer jo vetëm lirisë dhe begatisë së popullit të Kosovës, por edhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë, jemi krenarë për arritjet dhe sukseset e deritanishme, dhe ndjehemi shpresëplotë për të ardhmen e sigurt të Kosovës në Bashkimin Evropian. Shqipëria dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do vazhdojnë t’a mbështesin fuqimisht forcimin demokratik e institucional të Kosovës, shtimin e njohjeve të saj ndërkombëtare si dhe konsolidimin e perspektivës evropiane për të gjithë qytetarët e Kosovës. Duke shprehur dhe një herë urimet e mia më të ngrohta, si dhe dëshirën për lumturi e prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës, lutem pranoni, i nderuar Zoti Veseli, ndjenjat e konsideratës time më të lartë.


Basha: Ditë krenarie, rruga më e sigurtë 
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qënë i pari që ka uruar 7 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në një status në rrjestin social Facebook, Basha shkruan se kjo është një ditë krenarie e gëzimi legjitim. Kreu i opozitës shqiptare shkruan se i bashkohet këtij gëzimi si mik dhe aleat. Sipas tij sot festohet një arritje e madhe historike, e për këtë duhet të falenderohen SHBA, NATO dhe vendet europiane. Basha thekson se rrugëtimi i nisur ende s’ka mbaruar, por sipas tij rruga e zgjedhur është më e sigurta për të ardhmen.

"Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Në këtë përvjetor të shtatë të pavarësisë së Kosovës, kam nderin,krenarinë dhe gëzimin ti uroj popullit te Kosovës,institucioneve të saj dhe mbarë shqiptarëve kudo ndodhen , Gëzuar Pavarësinë e Kosovës. Kjo e sotmja është një ditë krenarie e gëzimi legjitim për cdo bashkëkombas në cdo skaj të globit, kudo ku jeton, punon e me dashuri ndjek ecjen e kombit të tij në rrugën e lirisë dhe zhvillimit. Kësaj krenarie e gëzimi sot i bashkohem dhe unë. I bashkohem si një i ri i cili ndjeu në palce ëndrrën e familjareve te tij, dëshirën e vëllezërve në Kosovë për liri e pavarësi, i bashkohem si një deshmitar që përshkoi hapat e pavarësimit të Kosovës, hapa jo të lehte, mbushur me dhimbje, krenari e plot dinjitet. I bashkohem si shtetari që Zoti e bekoi me mundësinë të jetojë e kontribuojë në momentin historik të kurorëzimit të procesit madhor të pavarësimit të Kosovës, si dhe për realizimin e një vepre infrastrukturore të pakrahasueshme në dekada e që bashkoi shqiptaret, Rrugën e Kombit.
I bashkohem këtij gëzimi me premtimin, sot si lider i opozitës shqiptare dhe nesër ne krye të një shumice qeverisëse, se me cdo forcë demokratike në Kosove do të shnderrojmë në yll polar të politikës e punës tonë, ndërtimin e një Ballkani në paqe, te sigurtë, të zhvilluar dhe të integruar në bashkësinë euroatlantike, si pjesë solide e projektit tonë kombëtar. Sot ne së bashku festojmë një arritje të madhe historike për kombin tonë. Në këtë ditë, ashtu sic në cdo ditë e brez pas brezi, kujtojmë dhe përulemi me nderimin dhe mirënjohjen me te thelle, para presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, intelektualëve, veprimtareve, bijëve dhe bijave të kombit tone që dhanë jetën për ta gëzuar këtë ditë. Sot rikonfirmojmë mirënjohjen tonë të përjetshme për miqtë dhe aleatët e mëdhenj që mundësuan e ndihmuan ëndrrën e Kosovës së pavarur, SHBA , NATO dhe vëndet mike Europiane, mirënjohje qeverive të cdo vendi që duke njohur pavarësinë e Kosovës mundësuan realizimin e aspiratës thelbesore të një populli, ëndrrën e lirisë. Me një mesazh zemre dua ti drejtohem sot cdo qytetari të Kosovës: Deri më sot ne kemi arritur shumë, por rrugëtimi ynë ende ska mbaruar, ai shpesh na ballafaqon me vështirësi e të perpjeta, shpeshherë na sprovon e na mundon, por rruga qe kemi zgjedhur është e drejta , është me e qarta, është me e sigurta për të ardhmen tonë si komb. Ta përshkojmë së bashku këtë rrugetim, duke u mbështetur në krahe të njeri-tjetrit, me bindjen se po ecim në rrugën e duhur ,me bindjen se na mbështesin miq të vërtetë, ta përshkojme këtë rrugë me force e dinjitet, me besimin në Zot dhe në virtytet e kombit tone.  Është rruga e një Kosove më të mirë e një Shqipërie më të mirë, të bashkuar në aspiratën europiane, është rruga drejt të ardhmes tonë të sigurt. Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! Zoti i bekoftë shqiptarët anembanë globit." shkruan Basha


Berisha: Mirënjohje heronjve Rugova e Jashari që sollën Pavarësinë
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka uruar Kosovën me rastin e 7 vjetorit të Pavarësisë së saj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar pavarësinë e Kosovës, si ngjarjen e dytë më të rëndësishme të lirisë dhe të drejtave të njeriut, që pas rënies së Murit të Berlinit.
 
Berisha ka shprehur mirënjohjen e tij për arkitektin e Pavarësisë, ish-Presidentin Ibrahim Rugova dhe për ish-komandantin e UÇK-së Adem Jashari që sipas tij, me mundin dhe sakrificën e tyre bënë realitet që Kosova të jetë e pavarur.
 
Po ashtu Berisha ka vlerësuar edhe kontributin dhe mbështetjen e BE-së, SHBA-së dhe NATO-s në krijimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
 
Më poshtë postimi i plotë në rrjetet sociale të Sali Berishës:
 
"Gezuar Pavarsine e Kosoves! Te dashur miq, sot qytetaret e Kosoves dhe se bashku me ta mbare kombi shqiptare, festojne 7 vjetorin e pavaresise se Kosoves, ngjarjen me te rendesishme te pas renies se Murit te Berlinit ne historine e lirise jo vetem te shqiptareve por dhe te rajonit dhe Europes ne teresi. Sot ne perkulemi me mirenjohen me te thelle, veneracionin me madh, para arkitektit te Kosoves se pavarur, politikanit vizionar e burrit te shtetit te pashembullt ne historine tone kombetare, presidentit Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova udhehoqi rezistencen paqesore te popullit te Kosoves dhe nen shtypjen me te eger krijoi shtetin e tyre paralel qe paralizoi de fakto administraten e pushtuesit. Ikone e rezistences paqesore te kombit, presidenti Rugova me urtine e tij te madhe, civilitetin e admirueshem dhe vendosmerine e tij te pathyeshme, paraqiti dhe mbrojti ceshtjen e drejte te shqiptareve te Kosoves ne Shtepine e Bardhe dhe kancelarite e medha te tjera te Europes dhe botes. Ai udhehoqi pas çlirimit Kosoven e lire drejt Pavaresise. Kosova sot eshte e pavarur sepse ne patem burra si Ai. Kete dite te bekuar per Kosoven dhe mbare kombin tone, ne perulemi me nderimin me te madh, shprehim mirenjohjen me te pakufishme dhe krenarine e ligjshme per kryeheroin e shqiptareve, komandanin legjendar Adem Jasharin, per mijera martire qe prehen sot ne altarin e lirise e dhjetera mijera luftetare, qe me nje kurajo e trimreri ne kufijte e legjendes i kthyen pushken pushtuesit barbar ne te kater anet e Kosoves. Ata bene luften e fundit clirimtare ne Europe mbrojten me gjakun e jeten e tyre lirine dhe dinjitetin tone kombetar dhe me sakrificen e tyre sublime firmosen lirine dhe pavaresine e Kosoves. Kosova sot eshte e pavarur sepse ne patem kryehero si Ai dhe heronj si Ata. Por sot çdo shqiptar shpreh nderimin dhe mirenjohjen me te thelle per aleatin tone te madh SHBA, NATO-n dhe vendet anetare, Presidentin Klinton, qe udhehoqi Aleancen ne betejen per clirimin e Kosoves. Falenerojme nga zemra Presidentin George Ë Bush per rolin e tij percaktues ne pavaresine e Kosoves dhe te gjithe ato vende mike qe e kane njohur Kosoven si shtet te pavarur. Sot ne jemi krenar me Kosoven, e cila ne 7t vjetorin e pavaresise ecen e sigurte drejt horizonteve euro-atllantike dhe europiane si nje faktor paqe, stabiliteti dhe bashkepunimi ne rajon dhe me gjere. Gezuar dhe nje here ditelindjen e Kosoves! Urimeee! sb" shkruan Berisha

Redaksia Online
(e.c/g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

455 nxënës mësim me turne prej 5 vitesh, protestë në Nikël: Ministria e Infrastrukturës të rindërtojë shkollën e re

455 nxënës mësim me turne prej 5 vitesh, protestë në Nikël: Ministria e Infrastrukturës të rindërtojë shkollën e re