KAVAJË- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me forcat e Policisë së Shtetit dhe forcat xheniere, shembi ditën e sotme rreth orës 15:12 minuta me shpërthim të kontrolluar Prestige Resort, godinën 7 katësh në vijën bregdetare të Kavajës në pronësi të botuesit të News 24,  Irfan Hysenbelliu.

Për këtë operacion, në trupin e objektit forcat xheniere kishin hapur më përpara 730 furnela nga ku u montuan 70 kilogramë tritol si dhe 4 mijë metër linear fitil.

IKMT thotë se vendimi për shembjen e këtij resorti erdhi pasi ishte pa leje, teksa një fakt i tillë është mohuar nga pronarët. Hysenbenlliu në një lidhje telefonike me News 24 deklaroi se kjo është një hakmarrje jo vetëm mediatike por edhe personale dhe politike.

“Unë jam i qartë. Gjithçka që ka ndodhur. E njoh shumë mirë trurin e Ramës. E njoh prej kohësh, kemi qëndruar bashkë shpesh. Unë u prononcova tani. Ai bëri një zgjedhje ekstreme. Nuk është vetëm hakmarrje mediatike por edhe personale. Fëmijët e mi u shkolluan në Londër dhe unë i ktheva këtu.

Kjo që bëri sot, nuk më demoralizon. Unë kam provuar edhe ’97 që humba të gjithë importin. Sot me këtë veprim që ka bërë kryeministri i vendit tim tregon si kërkon ta zhvillojë këtë vend. Arkitektët shqiptarë i ka nxjerrë jashtë loje. Ka neveri prej tyre. I dinë shumë mirë veprimet e tij”, deklaroi Hysenbelliu.

Hysenbelliu deklaroi se duke e parë që grupi mediatik denoncon çdo ditë korrupsionin, PPP-të, infrastrukturën kryeministri Rama mori këtë vendim me zëvendës kryeministren Balluku.

“Më vjen keq për Dallëndyshe Bicin që më njeh shumë mirë dhe kemi folur shpesh në telefon. Kryeministri vetë vinte dhe jepte mendime duke zgjedhur arkitektin e projektit. Për të gjitha godinat bashkia e Kavajës merrte taksë, tatimet gjithashtu, punëtorët i kemi pasur të gjithë me sigurime . Pse nuk i bëri këto veprime në shtator kryeministri? Ai vajti dhe i çoi njerëzit barbarisht në mes të pushuesve dhe dha një sinjal.

Një përgjigje ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili thekson se shembja e 'Prestige Resort' nuk ka lidhje me goditjen e lirisë së medias, ashtu siç pretendohet nga pronarët, por është një operacion që po merret në kuadër të ndërtimeve pa leje.

Më herët rreth 1 muaj më parë, po në këtë resort janë shembur edhe 2 pishina në Golem duke ndezur kështu një debat mes mediave të pronarit të resortit, Irfan Hysenbelli dhe autoriteteve. Mediat e Hysenbelli kanë shkruar se IKMT ka hyrë në mënyrë të paligjshme në objekt pasi dokumentit për ndërtimin e këtij resorti janë konform ligjeve dhe madje leja është firmosur pikërisht nga kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të KKT. Mirëpo ky i fundit, tha se është shkelur leja e ndërtimit duke theksuar se “askush s’do guxojë të bëjë të fortin mbi ligjin’.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:04
Shembja e ‘Prestige Resort’, çfarë pretendojnë palët! Pronari: Lejen e ka firmosur Rama. KKT: Ishte leje me kushtet qe pastaj nuk u plotesuan

IKMT ka shembur sot me shpërthim të kontrolluar ‘Prestige Resort’ në Kavajë, në pronësi të botuesit të Irfan Hysenbelliut. Para se shembej godina e këtij resorti, IKMT ndërmori një tjetër aksion para tre muajsh, aksion i cili nisi vetëm me prishjen e pishinës së resortit.

Por çfarë pretendojnë palët mbi këtë aksion?

Botuesi Ifran Hysenbelliu dhe përfaqësues të këtij grupi editorial pretendojnë se shembja e resortit është me prapavijë politike. Sipas Hysenbelliut kjo është një hakmarrje e kryeministrit Edi Rama për shkak të linjës editoriale që po ndjekin mediat të Hysenbelliut 

Që prej aksionit të parë të IKMT-së me prishjen e pishinës, pronarët e ‘Prestige resort’ pretendojnë se resorti ka leje ndërtimi te leshura nga KKT ne data 7.03.2016. Sipas tyre aksioni i IKMT është ndërmarrë në mënyrë të paligjshme, pasi pretendojnë se dokumentet për ndërtimin e këtij resorti janë konform ligjeve dhe madje leja është firmosur nga kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të KKT.

Por pas prishjes së pishinës së resortit para tre muajsh, pati një reagim nga Ledia Tota, drejtoresha e Agjencia e Zhvillimit të Territorit që kundërshton pretendimet e Hysenbelliut. Në reagimin thuhej se:

 Pretendimi i mediave të zotit Irfan Hysenbelliu se ndërhyrja e IKMT është e paligjshme pasi resorti paska leje të miratuar është një tjetër manipulim i opinionit publik.  Dokumenti i nxjerrë në mediat në fjalë me firmën e kryeministrit Edi Rama si kryetar i KKT provon të kundërtën e pretendimit. Leja është një leje me kusht, ku thuhet qartësisht se dokumenti i lejes së ndërtimit do të jepet vetëm pasi tē plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse.  Asnjëri nga kushtet nuk është plotësuar dhe sot zoti Irfan Hysenbelliu i detyrohet shtetit dhe qytetarëve kthimin e sipërfaqeve të zaptuara si edhe borxhin financiar nga mospagimi i taksave", thuhet në reagim.  

Pra sipas AZHT-KKT ''‘Prestige Resort’ i ishte dhënë një leje me kusht dhe dokumenti i lejes së ndërtimit do t’i jepej vetëm pasi të plotësohej dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguheshin taksat përkatëse. Sipas AZHT, ‘Prestige Resort’ nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet dhe prandaj është bërë edhe ndërhyrja'' për prishjen e pishinës, aksion që më pas vijoi edhe me shembjen e godinës së resortit.

Dokumenti i publikuar nga AZHT
Ora 17:00
Shembja e ‘Prestige Resort’, Rama: S’ka lidhje me lirinë e medias, ishte ndërtim pa leje! Investitorët s’do i bëjnë më karshillëk ligjit

1669900824_WhatsAppImage20221201at13.28.20.jpeg

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shembjes së ‘Prestige Resort’ në Kavajë në pronësi të Irfan Hysenbelliut. Rama thotë se ky operacion nuk ka lidhje me goditjen e lirisë së medias, ashtu siç pretendohet nga pronarët, por është një operacion që po merret në kuadër të ndërtimeve pa leje.

“Një leje zhvillimi është njësoj me një leje ndërtimi sa ç’është një çertifikatë lindjeje baraz me një leje drejtimi! Të bësh viktimën e lirisë së medias pse t’u prish një pallat pa leje është njësoj si të bësh viktimën e dhunës policore pse s’të lënë ta ngasësh makinën pa patentë!

Ky operacion i përfolur, përqeshur e anatemuar nga gjithë kundërshtarët tanë s’ka asnjë lidhje me median. Ka të bëjë vetëm me fundin e një historie mizerabël babëzie ndërtimesh në shkelje të ligjit për qëllime fitimi! Zor se ndonjë ndërtues do i bëjë dot karshillëk ligjit paskëtaj!

Janë deri tani 15 vendime konfiskimi. Kjo e sotmja s’është e vetmja prishje, e në ndërkohë kontrollet po vazhdojnë. Do të futet një normë e re ligjore për kontrollin e detyruar sistematik (maksimumi çdo 60 ditë) të zbatimit të lejeve të ndërtimit. Të tjerat janë llogje pa lidhje!