Sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë vijuar operacionin në bregdet për të prishur ndërtimet abuzive. Sipas një komunikate të Ministrisë së Brendshme “deri tani janë prishur 434 objekte të paligjshme në vijë bregdetare”. Mes këtyre objekteve të konsideruara abuzive, janë edhe dy pishina të resortit “Prestige” tek Mali i Robit në Durrës, të cilat kanë bllokuar 4.000 metra katrorë të plazhit.

Pak kohë më parë ishte prishur dhe muri i ndërtuar për bllokimin e lirshëm të lëvizjes në bregdet. Rezorti është i botuesit Irfan Hysanbelliu, pronar i grupit editorial përbërë nga News24, Balkanweb dhe Panorama. Disa përfaqësues të grupit editorial thonë se pishinat nuk janë abuzive dhe se “urdhëri i prishjes është dhënë nga kryeministri Edi Rama si formë hakmarrje politike kundër linjës editoriale të mediave të Hysenbelliut që prej disa kohësh kanë një qëndrim kundër qeverisë”. 

Deklarata e plotë e  Ministrisë së Brendshme: 

Sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë rifilluar operacionin "Bregdeti Ynë", i cili është ndërprerë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, për të rinisur në shtator. 

Ky operacion ka synuar rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe deri tani ka prishur 434 objekte të paligjshme në vijën bregdetare. 

Ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre. 

Nuk është hera e parë që mediat Neës24, BalkanËeb dhe Panorama synojnë të mbulojnë problemet e pronarit të tyre me ligjin, duke marrë rolin e viktimës së lirisë së shtypit. 

Edhe më keq se kaq, këto media e kanë bërë mesa duket rrugë përdorimin e  shantazhit,  shpifjes dhe denigrimit ndaj autoriteteve shtetërore, sa herë zoti Irfan Hysenbelliu ka rënë në rrjetën e kontrolleve ligjore. 

Pre e kësaj mënyre të ulët të keqpërdorimit të mediave si imunitet ndaj ligjit të pronarit, kanë rënë kohët e fundit drejtori i tatimeve dhe më pas drejtori i doganave. 

Ata u kthyen në shënjestra fushatash denigruese të News24, Balkanweb dhe Panorama, sepse agjencitë e të ardhurave të shtetit konstatuan një evazion fiskal me përmasa shqetësuese në biznese të lidhura me zotin Irfan Hysenbelliu. 

Sot këto media e kanë nisur ditën me shantazhe, shpifje dhe me denigrimin e drejtores së sapoemëruar të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. 

Ato kanë thënë se drejtori i këtij Inspektoriati paska dhënë dorëheqjen sepse ka kundërshtuar rifillimin e operacionit "Bregdeti Ynë" me pikërisht aksionin për çbetonizimin e plazhit dhe detit para resortit të zotit Irfan Hysenbelliu. Kjo është krejtësisht e pavërtetë. 

Zoti Ajet Zyberi do të drejtojë operacionin e ri kombëtar të Task Forcës kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, i cili do të nisë  javën e ardhshme pas shpalosjes së planit të qeverisë për të përballuar vjeshtë-dimrin në kushtet e krizës ndërkombëtare të energjisë. 

 

Reagimi i Zëvendëspresidentes se ‘Focus Media Grup’, Fabiola Hysenbelli

Zëvendëspresidentja e ‘Focus Media Grup’, Fabiola Hysenbelli pohoi se kryeministri Edi Rama duhet të përgjigjet para të gjithë shqiptarëve se pse po prish një pronë të ligjshme, për interesa të tij. Ajo tha për News24 se Rama kërkoi që të ndryshohej politika editoriale, ndërsa tha se ai duhet të tregojë dokumentet mbi të cilat është bazuar që po shemb sot dy pishina të ‘Prestige Resort’ në Golem, në pronësi të “Hysenbelliu Group”.

“Kjo situatë ishte e planifikuar nga zoti Edi Rama. Ai është mundur të negociojë për editorialin e News24 dhe Panorama. Ne jemi këtu për ti thënë; ne nuk ndryshojmë editorianlin. Kjo që po bën ti nuk na mposht. Ne nuk mposhtemi me fadroma dhe Dallëndyshet. Sot këto dy pishina ishin duke u përdorur nga turistë. Sot duhet t’ia shpjegojmë sot 100 amerikanëve që kanë ardhur për një dasmë. Kemi turistë nga Skandinavia, nga Europa, dhe thonë si kam mundësi? Shteti te ne është kthyer në privat dhe jo në shtet. Ta dëgjojë mirë sot Edi Rama. Këtë që po bëjë sot, do ta mbajë mend, ai dhe stafi i tij që po shkelin ligjin dhe gjykatat. Gjithçka është firmosur nga ai. Edi Rama nuk mund të na mposhtë ne. Kjo pishinë do të bëhet edhe më e bukur se dje. Ti nuk na mposht ne. Ai ka qenë këtu dhe shëtiste, dhe bënte xhiro, tregonte se si duhet ti bënim ngjyrat e goditës, të bardha apo kafe. Ku je Edi Rama? Hajde këtu dhe trego po qe burrë, trego letrat e tua. Nuk është shtëpia e tij, por prona e të gjithë shqiptarëve. Kemi njerëz në hotel, nuk harrojë të kuptojë. Por dhe Policia është me ta. Të ishte Dallëndyshja sot zonjë të ishte këtu sot bashkë me atë tjetrin. Nuk është vetëm turizmi që sulmohet, por e drejta që ka çdo qytetar, prona private, një zë i lirë. Ne nuk e mbyllim gojën kur do Edi Rama. Kur i ndodh kjo një media, imagjino se çfarë do i ndodhë një individi? Si do të flasë sot Edi Rama para botës. Si mund të vish të prishës një resort, kur njerëzit janë brenda. Si vjen pa njoftim? Ai dha idenë se si duhet të ishte projekti, donte të ndërtonte një ishull në mes të detit. Sot iu prishën interesat dhe flet me gjuhën e ekskavatorëve. Kjo është përgjigja që ai flet sot?!”, tha Hysenbelliu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:44
Shembja në ‘Prestige Resort’, debati mbi lejen e ndërtimit! Hysenbelliu: E firmosi vetë Rama! Ministria: Ishte me kushte, nuk u plotësuan, s'ka paguar taksat

Shembja e 2 pishinave në ‘Prestige Resort’ në Golem ka ndezur një debat mes mediave të pronarit të resortit, Irfan Hysenbelli, dhe autoriteteve. Mediat e z. Hysenbelli kanë shkruar se IKMT ka hyrë në mënyrë të paligjshme në objekt pasi dokumentit për ndërtimin e këtij resorti janë konform ligjeve dhe madje leja është firmosur pikërisht nga kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të KKT.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme, e cila ka botuar dokumentet e lejes dhe shkruan në Facebook se këto dokumente vërtetojnë pikërisht të kundërtën. Ministria e Brendshme shkruan se leja është me kusht, ku thuhet ajo do të jepet vetëm pasi të plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse dhe asnjëra prej tyre nuk është plotësuar.  

 “Pretendimi i mediave të zotit Irfan Hysenbelliu se ndërhyrja e sotme e IKMT është e paligjshme pasi resorti paska leje të miratuar është një tjetër manipulim i opinionit publik.  Dokumenti i nxjerrë në mediat në fjalë me firmën e kryeministrit Edi Rama si kryetar i KKT provon të kundërtën e pretendimit.  Leja është një leje me kusht, ku thuhet qartësisht se dokumenti i lejes së ndërtimit do të jepet vetëm pasi tē plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse.  Asnjëri nga kushtet nuk është plotësuar dhe sot zoti Irfan Hysenbelliu i detyrohet shtetit dhe qytetarëve kthimin e sipërfaqeve të zaptuara si edhe borxhin financiar nga mospagimi i taksave", thuhet në reagim. 

\

Dokumentet e lejes së ndërtimit
Ora 11:05
Prishja e 2 pishinave të ‘Prestige resort’, Meta dhe Berisha kundërshtojnë aksionin e IKMT: Sulm ndaj medias

1661956491_berisha.jpg

Aksionin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të prishur në bregdet ndërtime abuzive, ku mes këtyre objekteve të konsideruara të tilla janë edhe dy pishina të resortit “Prestige”, Ilir Meta dhe grupi i Berishës në PD e kanë quajtur një sulm ndaj medias.

Fillimisht, përmes një postimi në Facebook, ka qenë kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili ka shkruar se aksioni i paligjshëm i IKMT në “Prestige Resort” në kulmin e sezonit turistik, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë dhe pavarësisë së medias. Sipas tij është koha për t’i dhënë fund iluzioneve ndaj një skizofreni që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj dhe asnjë të drejtë themelore!

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se Rama po përpiqet të shkatërrojë një grup mediatik. Ai tha se Rama meriton burg për këtë që ka bërë. 

“Edi Rama ka urdhëruar prishjen e resortit në kundërshtim flagrant me ligjin. Gjithçka është ndërtuar mbi bazën e lejeve të firmosura nga vetë Edi Rama. Kjo e bën atë përgjegjës penalisht për shkatërrimin antiligjor të pronës së tjetrit. Ndërmarrje e një akti të tillë, qoftë edhe në zbatim të ligjit, kur resorti është plot me turistë, është akti i mirëfilltë banditesk dhe është një goditje që i jepet këtij sektori. Unë dënoj me forcën më të madhe dhe nuk mund të pajtohem kurrë është sfondi politik i këtyre veprimeve. Janë përpjekje e hapur për të shkatërruar një grup mediatik, i cili duket se nuk u përputh plotësisht me kërkesat politike të Edi Ramës. Në çdo rast, ndaj çdo ndërhyrje me background politik ne e dënojmë me forcë”, ka thënë Berisha.

Nga PD e Berishës, Edi Paloka, Albana Vokshi, Flamur Noka, Luçiano Boçi, Luan Baçi etj, kanë shprehur edhe ata kundërshtinë e tyre ndaj këtij aksioni të IKMT. Deputetja Albana Vokshi, ajo e ka quajtur aksionin një sulm të pastër politik, ndërsa ka shtuar se kryeministri Edi Rama po përpiqet që të të bëjë një tjetër shembull, se ç’mund t’u ngjasë atyre që nuk i binden për linjën editoriale. Sipas saj këtë politikë do ta kishte zili edhe Enver Hoxha. Paloka tha se ky është një tjetër krim i kryeministrit që sot po konsumohet në sytë e të gjithë publikut.