Ndërsa opozita i është bashkuar festimeve të Bashkisë së Tiranës, kryeministri Rama, kryeparlamentari Meta, ministrat e kabinetit qeveritarë e deputetë socialistë i zhvilluan homazhet në ceremoninë e mbajtur nga Prefektura. Ajo që ra në sy në ceremoninë tek “Ushtari i Panjohur” ishte prania e fotografive të ish-diktatorit të komunizmit, Enver Hoxha të mbajtura nga veteranët e luftës dhe dashamirës të figurës së tij.
Lufta për çlirimin e Tiranës u zhvillua në fund të tetorit deri më 17 nëntor të vitit 1944 dhe shënon aktin më të rëndësishëm politik e ushtarak pasi kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Lufta për çlirimin e Tiranës ishte operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga shqiptarët për çlirimin e qyteteve.
Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës ndërsa vendimi përfundimtar u mor në vitin 1925 nga Asambleja Kushtetuese.
Qeveria homazhe tek “Ushtari i Panjohur” në ceremoninë e Prefekturës. Veteranët foto me Enver Hoxhën
Qeveria i zhvilloi homazhet e saj tek “Ushtari i Panjohur”, në një ceremoni të organizuar nga Prefektura e Tiranës. Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Ilir Meta, njëherësh aleati i tij në qeverisje, ministra të kabinetit qeveritar dhe deputetë socialistë vendosën kurora me lule pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur, ndërsa në mesin e veteranëve që iu bashkuan festës, u vunë re disa prej tyre që mbanin foton e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Opozita i bashkohet ceremonisë së Bashkisë së Tiranës, mungon Basha e Berisha
Ceremonia përkujtimore e Bashkisë së Tiranës për të rënët e Luftës është udhëhequr nga nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo, në mungesë të kryebashkiakut Basha. Por kësaj feste i janë bashkuar edhe përfaqësues të opozitës, ku ra në sy prania e kreut të grupit parlamentar të demokratëve, Edi Paloka, deputetes Majlinda Bregu, deputetëve Florion Mima, Kastriot Islami etj. Në një prononcim për mediat pas vendosjes së kurorave me lule në monumentin “Nënë Shqipëri” tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në një linjë me kryetarin Basha, Bozdo tha se shembulli i atyre që dhanë jetën për lirinë duhet të shërbejë si sfidë për një vend demokratik.
“Më shumë se 100 partizanë e partizane të reja dhanë jetën e tyre për çlirimin e Tiranës. Jemi këtu për të nderuar idealin e këtyre të rinjve që dhanë jetë për një atdhe të lirë. Sot 70 vite më vonë sfidat e brezit tonë janë kaq të ndryshme, në të njëjtën kohë aq të ngjashme me idealet e tyre: Për një demokraci funksionale, një vend evropian. Kur shohim shembullin e tyre të krenohemi e të mësojmë se si jeta ja vlen të jetohet vetëm në liri e dinjiteti”, tha Bozdo.
Por ndërsa lideri i opozitës Lulzim Basha ndodhet në Bruksel, ajo që ra në sy në këtë ceremoni ishte dhe mungesa e liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Basha nuk merr pjesë në festë, ndodhet në Bruksel. Uron nga Facebook-u: Të frymëzuar nga sakrifica e të rënëve për t’i dhënë Shqipërisë të ardhme!
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, njëherësh lideri i opozitës nuk mori pjesë në përkujtimin e 70-vjetorit të çlirimit të Tiranës pasi ndodhet në Bruksel ku merr pjesë në punimet asamblesë politike të Partive Popullore Europiane. Por ai e ka uruar këtë ditë përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku shkruan:
“Sot përkujtojmë 70 vjetorin e çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazifashistë. Mirënjohje përjetë bijve dhe bijave të këtij qyteti që luftuan dhe dhanë jetën për liri. Ky përvjetor i gjen qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë para sfidave të mëdha. Ekonomia në krizë, varfëria dhe papunësia, shpërfillja, dhuna dhe arroganca qeveritare po hapin plagë të thella kudo. Por të frymëzuar nga vepra e atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe zhvillimin e vendit, ne do t'i japim Shqipërisë të ardhmen që meriton”.
Ceremonia e zhvilluar nga prefektura e Tiranes ku mori pjese kryeministri Rama, kryeparlamentari Meta, deputete e minsitra te kabinetit qeveritar
Ceremonia e zhvilluar nga Bashkia ku moren pjese dhe deputete te PD-se
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)