/ATSH- I. Vata/-Me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të vendit, ne ministrine e Mbrojtjes u organizua sot ne mesdite një paradë ushtarake në nder të të gjithë shqiptarëve që sakrifikuan për çlirimin e Atdheut. Në cermoni merrnin pjesë Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë, presidenti i vendit, Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, Shefi Shtabit të Përgjithshëm, gjeneneral major Jeronim Bazo, ambasadore, atashe ushtarake, përfaqesues të komuniteteve fetare etj.

Ministrja e Mbojtjes, Mimi Kodheli, duke folur në paradën e organizuar me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të vendit, tha se "Jemi këtu për të kujtuar 29 nëntorin, këtë ditë të shënuar të historisë së popullit tonë, kur forcat partizane të ndihmuara nga aleatët tanë britanike dhe amerikanë, përzunë okupatorin e fundit nazist-fashist nga Shqipëria. Për pesë vite të gjata, Shqipëria ishte futur në një hije të zymtë të pushtimit të huaj dhe Evropa po ashtu, vuante nga skllavëria. Kombe të lira ishin nënshtruar, miliona njerëz vuanin dhe shqiptarët 70 vjet më parë finalizuan një përpjekje heroike kundër tiranisë me përpjekje të pa parë më parë në historinë e Shqipërisë".

"Fituam një luftë kundër një ushtrie më të fortë në botë dhe me armatimin më modern të asaj kohe dhe kjo falë sakrificës sublime të djemve dhe vajzave të këtij vendi, që vunë idealin për Atdheun përpara jetës së tyre. Partizanë, nacionaliste e legaliste, me ndihmen e aletëve tanë të natyrshëm britanike e amerikane, e bënë Shqipërinë të vetmin vend në Evropën Lindore që u çlirua pa ndihmën e ushtrisë së kuqe", tha Kodheli.

Kodheli vlerësoi lart kontributin e veteranëve duke thënë se "Këtu janë veteranët njerëzit që e panë armikun në sy, janë trimat që cliruan atdheun dhe i dhanë fund luftës. Ju e patë vdekjen në sy dhe nuk u kthyet pas. Respekti është për ju. Ka disa gjera që ia vlen të vdesësh dhe ajo është liria e Atdheut. Aleatët tonë të sotëm që i gjetëm pas disa dekadash, nuk do të na kishin radhitur mes tyre nëse me 29 nëntor 1944, Shqipëria nuk do të ishte çliruar nga bijtë e saj".
"Shqipëria është aleate e denjë e NATO-s dhe flamurin e saj e ka valvitur në cdo vend të botës ku vlerat dhe të drejtat themelore janë nëpërkembur. Përvjetorë të tjerë na presin dhe ne të gjithë së bashku do ta bëjmë Shqipërinë më të bukur", tha Kodheli.