LEZHË - Kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli në kuadër të 70-vjetorit të çlirimit të Lezhës, kanë vendosur kurora me lule dhe kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve të këtij qyteti.
 
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin te pranishëm edhe deputetë, drejtues vendor e veteranë të luftës antifashiste. Pas nderimit të dëshmorëve, aktivitetet për 70-vjetorin e çlirimit të Lezhës janë zhvilluar në pallatin e kulturës së këtij qyteti.
 
Duke iu referuar shënimit të kësaj date, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli është shprehur se forcat e armatosura i kushtojnë një vëmendje të veçantë bashkëpunimit civilo-ushtarak në përballimin e fatkeqësive natyrore.
 
Sipas saj pasojat e shkaktuara në Lezhë janë si pasojë e neglizhencave gjatë 23-viteve, duke shtuar se duhet të reflektohet për të gjendur këto shkaqe dhe mënyrat e mëdha për të përballuar të tilla situata.
 
Nga ana tjetër Kreu i Kuvendit Meta duke vlerësuar këtë ditë të shënuar për Lezhën është shprehur se shteti shqiptar u ndërtua përmes vuajtje dhe sakrificave, ndaj nderimi për ata që dhanë jetën për liri është një detyrim i secilit prej nesh.
 
Më pas aktiviteti për 70-vjetorin e çlirimit të Lezhës u mbyll me një koncert festiv kushtuar kësaj dite të shënuar për mbarë kombin Shqiptar.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)