Në Urdhrin e Stomatologut, për çudi ka 2 presidentë që nuk njohin njëri-tjetrin, dhe një paraardhës u tyre i pezulluar më herët, që ende i bën shkresa institucioneve me vulën e vjetër. Presidenti Almiro Gurakuqi, arriti që në vitin 2025 të marrë një vulë të re të institucionit, në rrethana të paqarta nga policia, me të cilën janë licencuar 700 stomatologë. Por një hetim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore zbulon se vula është nxjerrë në kundërshtim me procedurat ligjore.

***

Licencimi i rreth 700 stomatologëve në Shqipëri vitin e fundit (prill 2025-prill 2026) është bërë me një vulë të paligjshme. Një hetim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arritur në konkluzionin se vula që aktualisht përdoret nga Presidenti i Urdhrit të Stomatologut, Almiro Gurakuqi, është nxjerrë nga strukturat e Policisë së Shtetit në kundërshtim me procedurat ligjore (ligjin e vitit 1993 dhe një urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë i vitit 2023).

Por çfarë ka ndodhur?! Situata duket shumë e paqartë. Historia nis në vitin 2023. Në nëntor të atij viti, kreu i atëhershëm i Urdhrit të Stomatologëve Nikoll Deda u pezullua nga detyra me vendim gjykate pasi u akuzua se kishte kryer abuzime të shumta financiare dhe punësime të paligjshme. Ai ishte zgjedhur Presidenti i parë i Urdhrit të Stomatologut në vitin 2015 dhe ishte rizgjedhur në vitin 2020 për mandatin e dytë dhe të fundit 5-vjeçar.  Në nëntor 2024 çështja në ngarkim të Dedës çohet për gjykim dhe ai vazhdonte i pezulluar, ndërkohë që ishte marrë edhe masa e sigurisë arrest me burg.

1775897550_nikolldeda.jpg

Nikoll Deda

Më 9 prill 2025, Almiro Gurakuqi, në atë kohë Presidenti Rajonal në Tiranë i Urdhrit të Stomatologut i kërkon Policisë së Shtetit pajisjen me një vulë të re për zyrën kombëtare të USSH.  Ai argumentonte se Nikoll Deda vijonte të ishte i pezulluar nga detyra me vendim gjykate dhe se ndaj tij ishte caktuar masa e sigurimit (Arrest me burg); Zv/Presidentja e USSH kishte dhënë dorëheqjen pasi edhe ajo vazhdonte në ndjekje penale, Sekretari i Përgjithshëm ishte shkarkuar nga detyra, zyra e USSH ishte e bllokuar dhe vula origjinale nuk gjendet. Për këtë arsye kërkonte zëvendësimin e vulës.

1775897602_almirogurakuqi.jpg

Almiro Gurakuqi

Përmes një procedure, ende të paqarte nga policia, pasi Gurakuqi nuk e kishte tagrin të kërkonte vulë për institucionin, del një tjetër vulë për të njëjtin ent më datë 18 prill. Por 3 ditë më herët, më 15 prill 2025, Almiro Gurakuqi thërret zgjedhje dhe merr pozicionin e Presidentit të Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë.

9 muaj më vonë, bëhet një tjetër proces zgjedhor në USSH dhe në dhjetor 2025 njoftohet se Arben Muçaj është zgjedhur President. Muçaj së bashku me ish Presidentin Nikoll Deda, nuk e njohin si president Almiro Gurakuqin dhe e konsiderojnë si uzurpues të postit dhe të zyrave.

1775897653_arbenmucaj.jpg

Arben Mucaj

Më 29 janar 2026, Deda i nis një shkresë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, shkresë të cilën e vulos me vulën e vjetër, ku i kërkon verifikimin e procedurave të nxjerrjes së vulës së re. AMP pasi bëri verifikimet, doli në përfundimin se procedurat nuk ishin respektuar dhe më datë 2 prill njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë të marrë masa ndaj shkelësve, të ndalë paligjshmërinë dhe të rregulloja procedurat që ngjarja të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

AMP i thotë Dedajt, i cili tashmë ka marrë një shkresë si përfaqësues legjitim i Muçajt (presidentit të zgjedhur në dhjetor 2025) se nuk është ai autoriteti që mund ta nxjerrë jashtë funksionit vulën e dalë nga kjo procedurë por e këshillon t’i drejtohet vetë policisë së Shtetit, ashtu siç edhe e orienton që të bëjë kallëzim në prokurori për “përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore”.

I kontaktuar nga Report Tv Nikoll Deda konfirmoi se padia është bërë që më 3 prill, ndërsa janë në kontakt me strukturat e policisë për vendimmarrjen. Do të jenë autoritetet që do të vendosin përfundimisht se cila vulë është në fuqi

Pergjigjja e AMP për Nikoll Dedën

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë