Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet lidhur me shoqërimin në komisariat të një 14-vjeçari gjatë protestës së Partisë Demokratike më 24 janar.
AMP referoi praktikën në Prokurorinë e Tiranës për të verifikuar ligjshmërinë dhe kushtet e shoqërimit të të miturit. Burime bëjnë me dije se pritet që efektivët e policisë që kryen shoqërimin e tij të merren në pyetje, ndërsa do të shqyrtohet edhe relacioni zyrtar i mbajtur nga komisariati.
Ngjarja ndodhi gjatë protestës së dhunshme të PD-së, protestuesit e së cilës hodhën molotovë, fishekzjarrë dhe gur drejt Kryeministrisë, Kuvendit dhe efektivëve të policisë. Gjatë tubimit pati përplasje, përdorim të gazit lotsjellës dhe hedhje uji me autobote.
Sa i përket pretendimeve për përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar, Prokuroria e Tiranës pritet të vlerësojë mundësinë e nisjes së hetimeve kryesisht, për të verifikuar ligjshmërinë e veprimeve të policisë gjatë menaxhimit të protestës. Të martën, 19 personat e arrestuar gjatë protestës dolën para Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi t’i lirojë, duke caktuar për të gjithë masën “detyrim paraqitje”.
Komente










