Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 4 autorët e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Mujalli, Fier, ku u gjetën rreth 7000 rrënjë kanabisi. Ndërkohë që dje u arrestuan Fatjon Gremi e Amarildo Xhafa dhe një tjetër u shpall në kërkim.
Ata janë identifikuar si: H. D., 58 vjeç, banues në Tiranë; E. Q., 82 vjeç, banues në Baltëz, Fier; G. Q., 47 vjeç, banues në Baltëz, Fier; A. M., 60 vjeç, banues në Baltëz, Fier.
Nga hetimet rezulton se 2 shtetasit e arrestuar një ditë më parë dhe shtetasi i shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit të koduar "Zhavar", të zhvilluar nga Policia e Fierit, gjatë të cilit u sekuestruan 83 kg lëndë narkotike kanabis dhe 2 automjete, dyshohet se janë bashkautorë edhe në kultivimin e bimëve narkotike, në fshatin Mujalli.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 4 personat e shpallur në kërkim janë autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, në parcelën me misër, në fshatin Mujalli, Fier.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 gjeneratorë, 1 radio si e Policisë dhe pajisje të ndryshme pune që shërbenin për mbjelljen dhe rritjen e bimëve narkotike. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Komente






