746 biznese operojnë në turizmin e Beratit, por vetëm 50 janë me TVSH. Në këtë realitet, ministri i Financave Petrit Malaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve,Ilir Binaj kërkuan sot më shumë formalizim dhe deklarim real të pagave.
Gjatë një takimi me subjekte që operojnë në fushën e turizmit, Ministri Malaj vuri theksin tek ndikimin e sektorit të turizmit dhe të sektorëve të ndërlidhur me të në ekonominë kombëtare dhe rëndësinë formalizimit real të tij.
Në vlerësimin e tij, rritja e deklarimit të pagave është thelbësore për transparencën fiskale dhe qarkullimin real të bizneseve, por nga ana tjetër përkthehet edhe në rritje të mirëqenies për punonjësit dhe më shumë siguri për të ardhmen e tyre.
Malaj e vlerësoi qytetin e Beratit si një histori suksesi në turizmin shqiptar, por nga ana tjetrë kërkoi një angazhim më të madh të bizneseve për të garantuar konkurrencë të ndershme, rritje të cilësisë së shërbimeve dhe përmirësim të nivelit të pagave.
Kontributi i sektorit të turizmit në TVSH përbën 2.3% të totalit të aktivitetit ekonomik në qytet, me një vlerë prej 16.5 milionë lekësh.
Numri i të punësuarve në këtë sektor ka pësuar rritje me 11 %, megjithatë, sipas Malajt ka ende nevojë dhe hapësirë për përmirësim të strukturës së pagave dhe formalizimit të marrëdhënieve të punës.
Në prag të sezonit turistik, bizneset dhe autoritetet u dakordësuan mbi domosdoshmërinë e garantimit të konkurrencës së ndershme dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të sektorit.
Formalizimi i aktivitetit dhe përmirësimi i standardeve, shtoi Malaj, janë kyç për të rritur besimin dhe zhvillimin ekonomik.
Komente










