PUKE- E konsideruar si parajsa e fshehur e veriut, Puka këtë vit ka edhe një destinacion të ri për të apasionuarit pas natyrës. Maja e Vo-Pulës është një tjetër ballkon natyror mbi pasqyrën ujore të liqenit të Komanit, e cila ofron pamje mahnitëse nën heshtjen qetësuese të majave të larta të maleve ndër Alpet tona.

Një ndër të rinjt e zonës, guidisti Emanuel Pjetri, thotë se hapja e shtegut drejt një lartësie me bukuri të rralla është një mundësi më shumë dhe i shtohet ofertës turistike që ofron Puka.

“Maja e Vo-Pulës është destinacioni më i ri që i është shtuar Pukës. Një destinacion për ata që duan të shmangin ecjet e gjata. Në Pukë ka disa pika natyrore për të apasionuarit pas ecjes, siç është edhe Maja e Murgës, Kabashi dhe plot zona të tjera”, tha për Report TV, Emanuel Pjetri,  guidë turistike.

Puka, ndër pasuritë e saj turistike, ka edhe turizmin speleologjik, ndërsa ende ka shumë shpella të paeksploruara.

“Puka ka dhe shumë shpella, disa prej të cilave janë: “Shpella e Kolikës, Shpella e Dakës, Shpella e Shqiponjës, Shpella e Lekë Dukagjinit në Mërtur, Shpella e Orëve dhe plot të tjera”, thekson Pjetri.

Puka, tashmë pjesë e ofertës turistike që ofron Shqipëria falë resurseve natyrore, ka nevojë edhe për dorën e shtetit dhe investime private, kryesisht në infrastrukturë dhe strukturat akomoduese, si një mundësi më shumë për vizitorët.