Sot është 76 vjetori i ditëlindjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Për të nderuar veprimtarinë e tij, forcat kryesore politike në vend kanë kryer homazhe në nder të tij.

Ditën e sotme në Istog është mbajtur inaugurimi i Kompleksit Memorial “Ibrahim Rugova” . Në ceremoni ishin të pranishëm kryeministri Avdullah Hoti, kryetari i Istogut Haki Rugova, vajza e ish-Presidentit Teuta Rugova, e anëtarë tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Hoti ka thënë se Rugova është  simbol i Kosovës që formimin e tij intelektual e vuri në shërbim të shtet ndërtimit.

“Rugova në frymën e Bogdanit dhe pasuesve të tij e drejtoi Kosovën drejt Evropës. Rugova e mori në dorë fatin e populli të Kosovës në një periudhë të rëndë. Kërkesa e kamotshme për mëvetësi u legalizua nga LDK-ja dhe prijësi i saj Ibrahim Rugova”.

Kush është Ibrahim Rugova dhe cila është veprimtaria e tij ?

Ibrahim Rugova, u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë.

Më 10 janar 1945, i ati i tij u pushkatua së bashku me gjyshin nga komunistët jugosllavë për veprimatrinë e tyre çlirimtare.

Rugova u diplomua në vitin 1971, në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës.

Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.

Në vitin 1984, ai përfundioi doktoraturën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.

Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist jugosllav.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shume partiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.

Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.

Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.

Dr. Ibrahim Rugova gjatë jetës së tij ka marrë një sërë çmimesh titujt ndërkombëtarë:

– Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

– Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.

– Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

– Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).

– Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë.

– Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Çmimin e Evropës për vitin 2004.

– Në vitin 2004, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën më 2 shkurt 2004, pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës.

– Më 9 shtator 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

– Më 20 nëntor 2005, Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka nderuar presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me një mirënjohje të veçantë për përkushtimin e tij në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe për udhëheqjen e tij politike frymëzuese.

Ish-presidenti Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006.