Forcat e Armatosura pritet të hyjnë në një fazë të re modernizimi gjatë vitit 2027, me investime në sisteme të avancuara ushtarake, kapacitete ajrore dhe pajisje të reja mbrojtëse.
Projektbuxheti i vitit të ardhshëm parashikon 76.3 miliardë lekë për sektorin e Mbrojtjes, ose 2.6% të Produktit të Brendshëm Bruto, me synim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
Në listën e pajisjeve të parashikuara janë sistemet HIMARS, dronët luftarakë, sistemet anti-dronë dhe ato të mbrojtjes ajrore.
"Kjo do të thotë që Forcat e Armatosura, përmes këtij buxheti, do të pajisen me sisteme moderne: sisteme HIMARS, me dronë luftarakë, me sisteme anti-dronë, me sisteme të mbrojtjes ajrore, me avionë krahëfiks e me mjete e kapacitete shtesë për emergjencat civile. Kjo do të thotë përmbushje e angazhimeve dhe reformave si një vend anëtar dhe i përkushtuar në NATO. Ky projektbuxhet mundëson më shumë infrastrukturë për mbështetjen e Forcave të Armatosura".- shkruan Ermal Nufi.
Lajmi kryesor:
Buxheti 10 miliardë euro, Demo: Rritja e ekonomisë duhet të ndihet në çdo familje shqiptare, më shumë siguri dhe mirëqenie për qytetarët (VIDEO)









