Prej vitesh, Kryqi i Kuq Shqiptar ka zgjedhur që të kremtojë këtë ditë me dy veprimtari mjaft të rëndësishme të saj që janë : Konkursit kombëtar i Ndihmës së Parë dhe Ekspozita kombëtare e vizatimit "Fëmijët dhe Kryqi i Kuq" .
Ekspozita finalja e një konkursi në kuadër të një fushate disa mujore për promovimin e vlerave humanitare, qe u çel ne Muzeun Historik Kombetar ne Tirane, synon të kontribuojë në edukimin qytetar të fëmijëve dhe të ndërgjegjësojë pjesëmarrësit dhe publikun mbi veprimtarinë e Kryqit të Kuq Shqiptar.
Në të janë përfshirë një numër i madh nxënësish, mësuesish, vullnetarësh dhe të punësuarish në të gjithë vendin. te cilet ekspozojne piktura nga aspekte te ndryshme te jetes.
Nga ekspozitat në 38 degë janë përzgjedhur rreth 370 vizatimet më të mira të nxënësve të shkollave nëntëvjeçare. Ato konkurrojnë midis tyre në Ekspozitën XIX Kombëtare të Vizatimit, e cila finalizon fushatën në kuadër të 8 Majit, Ditës Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Veprimtaria e dytë e rëndësishme në këtë jubile është Faza finale e Konkursit Kombëtar të Ndihmës së Parë që zhvillohet në lulishten përpara Muzeut Historik Kombëtar.
Të gjithë dëshirojmë të ndihmojmë dhe të na ndihmojnë në vështirësi e tragjedi, por në se për këtë ndihmë nuk kemi menduar e mësuar si jepet më përpara, para nesh do të shfaqet paniku dhe vetë tragjedia. Prandaj Kryqi i Kuq Shqiptar prej vitesh është i angazhuar dhe luan rol të rëndësishëm në sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit në përhapjen e njohurive të ndihmës së parë. Objektivi kryesor i Konkursit Kombëtar të Ndihmës së Parë është që në çdo situatë, të jemi të gatshëm dhe të aftë për të larguar rrezikun me qëllim që të shpëtojnë jetë njerëzish. Siç dihet kjo dekadë është shpallur "Dekada e sigurisë rrugore".
Janë 39 takime në nivel degësh dhe tre takime rajonale që kanë përzgjedhur 9 ekipet më të mira që do të konkurrojnë në fazën finale, të cilat janë: ekipet e NP të degëve të KK Tiranë, Durrës, Librazhd, Shkodër, Mat, Lezhë, Fier, Lushnjë dhe Kuçovë. Organizimi i këtij aktiviteti-konkurrues realizohet sipas të njëjtit standard që ndjek dhe Konkursi Evropian i Ndihmës së Parë. Për këtë konkurrim janë përgatitur "stacione simulimi" të aksidenteve të ndryshme, ku vullnetarët do të demonstrojnë dhënien e ndihmës së parë për personat e aksidentuar.
Ndihma e parë duhet të konsiderohet, jo si një alternativë për të ndërhyrë në shërbimin e urgjencave, por si një hap i parë jetësor për të ofruar një ndërhyrje të shpejtë dhe efektive. Ndihma e parë e menjëhershme mund të kontribuojë për të ulur shkallën e dëmtimit dhe për të rritur shanset për mbijetesë. Në këtë kuadër gjatë javës dytë të muajit maj (4-10maj), Kryesisht pranë shkollave 9 vjeçare po zhvillohen veprimtari për sigurinë rrugore ku motoja e këtij viti është: "Mbroni jetën e fëmijëve".
Ekspozita vizatimore do të mirëpres për herë të parë vizatime të fëmijëve të Kosovës me tematikë nga veprimtaria e Kryqit të Kuq në ndihmë të njerëzve në nevojë, ashtu si dhe Konkursi Kombëtar i Ndihmës së Parë do të mirëpres Ekipin e Ndihmës së parë të kryqit të Kuq të Kosovës.
Kryqi i Kuq Shqiptar është organizata më e madhe humanitare në Shqipëri që vepron si ndihmëse e pushtetit për çështjet humanitare. Ai është krijuar në vitin 1921 dhe është anëtar i Federatës Ndërkombëtare që prej vitit 1923. Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, së bashku me Federatën Ndërkombëtare, përbëjnë Lëvizjen Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.