8 Marsi, deputetet shqiptare në
seancë: Detyra jonë rikthimi i besimit!

8 Marsi, deputetet shqiptare në<br />seancë: Detyra jonë rikthimi i besimit!
PRISHTINE - Gratë deputete të rajonit janë mbledhur sot në një seancë të përbashkët në Kuvendin e Kosovës duke e kthyer atë në një vend ceremonial ku janë diskutuar çështje të barazisë gjinore në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Në seancën mbarëshqiptare kanë marrë pjesë gratë deputete të rajonit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe të Luginës së Preshevës. Para fillimit të seancës kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli priti në një takim mysafiret e Kuvendit.

Drejtuese e seancës ka qenë deputetja e Partisë Socialiste të Shqipërisë Arta Dade e cila në fjalën e saj ka theksuar rolin që kanë gratë në politikë duke sjellë këtu rastin e pranimit të Shqipërisë në NATO për të cilin tha se nëse nuk do të kishte qenë kontributi i grave sot nuk do të ishim pranuar në këtë strukturë e madje nuk do të ishim as vend kandidat për Bashkimin Evropian e po ashtu edhe Kosova nuk do të kishte fituar pavarësinë.

Deputetet shqiptare të cilat folën në Kuvendin e Kosovës thanë se gratë janë një forcë e madhe e madhe dhe se ato kanë një detyrë mjaft të rëndësishme, atë të përçimit të mençurisë e të konceptit të barazisë. Gratë deputete theksuan edhe njëherë nevojën për përfshirjen sa më të madhe të grave jo vetëm në politikë por në të gjithë fushat e jetës, akademike e sociale. 

Ora 12:45 Bregu: Gratë politikane kanë detyrën të rikthejnë besimin tek politika

Deputetja demokrate Majlinda Bregu tha se gratë që kanë mundësin e përfshirjes dhe të jetës sociale kanë po ashtu edhe detyrën që të rikthejnë besimin e munguar tek politika, parlamenti, shkolla dhe drejtësia.

"Kam më shumë se 3-4 ditë që kur diskutoj me të afërm kam vënë re se jemi përballë një rreziku prepotent. Sfida më e madhe është ajo e kapërcimit të një faze ku të vërtetat nuk thuhen dhe politika është përfshirë nga antipatizmi. Gratë prezantojnë të gjithë ciklin jetësor e megjithatë e kanë të pamundur t’ia dalin. Gratë nuk hyjnë në politikë për të bërë marrëveshje të pista, nuk rrinë as në tavolina të pista. Gratë kanë detyrimin të rikthejnë besimin tek politika, tek parlamenti, tek shkolla tek drejtësia. Duhet ti japim mundësi qytetarëve të besojnë se demokracia është e vetmja formë e qeverisjes së lirë. Unë kur flas për të ardhmen kam merakun e fëmijëve të mi. Unë besoj që ju e ndieni si kudo se sot nuk ka ideologji të mëdha që e ndajnë të majtën apo të djathtën. Ne kemi vendosur ti japim vetes mundësinë të përfaqësojmë një ide. Nëse nuk do jemi ne të parat për të ofruar një shembull shoqëria do ta ketë të vështirë ti bëjë ballë zhgënjimit. Unë nuk besoj se politika është përmbledhje e gjithë të këqijave, ndaj në këtë situatë unë kam vetëm frikën e rikthimit të besimit tek njerëzit dhe që veprimet tona të mos jenë të efektshme," - tha Bregu. 

Ora 12:30 Kryemadhi: Të hapim shpirtin e të pranojmë më shumë vajza në politikë

Deputetja e LSI Monika Kryemadhi ka folur në seancën e Parlamentit të Kosovës duke thënë se shoqëria nuk duhet të fokusohet tek numrat por tek forca që një grua ka në Kuvend. Ajo ka thënë se tashmë ka ardhur koha që gratë deputete të hapin shpirtin dhe të pranojnë më shumë vajza të reja në politikë.  

Kryemadhi: Unë për herë të parë festoj jashtë Shqipërisë 8 marsin dhe nuk mendoja se do vija në Prishtinë pasi për ne dikur Prishtina ishte vendi më i largët. Ne kemi vetëm kufij konfidencial. Mua më pëlqen familja dhe të qenit tradicionale. Nuk më pëlqen të them që ne duhet të jemi lidere, sepse ne kemi ndonjëherë nevojë që burrat të luftojnë për gratë. I kemi kuotat por megjithatë nuk është problemi tek numrat por tek forca. Gruaja duhet të jetë e fortë. Misioni ynë është që sot ti krijojmë grave dhe vajzave mundësinë për më shumë pjesëmarrje në politikë. Më pëlqejnë gratë politikane të Kosovës sepse kur një deputete grua ofendohet ato largohen të gjitha, ne nuk jemi ende në këtë pozitë por jemi në rrugë të mbartë. Nuk dua që netëork ynë të mbetet vetëm në atë të politikës sepse ne kemi në çdo profesion gra shumë të mira. Unë propozoj të mos jemi vetëm politikane në këtë sallë por edhe të profesioneve të tjera. Unë do të dëshiroja që të kishte më shumë vajza në forumet tona politike. Ne duhet të hapim shpirtin që të pranojmë më shumë vajza në politikë për ti bërë politikat më paqësore dhe më mendjendritura. Dua që nga kjo seancë mesazhi të jetë i qartë që të gjitha gratë të jenë të përfshira në jetën sociale e politike të vendit.

12:05 Doda:Të marrim shembull nga gratë e Kosovës

Në fjalën e saj, deputetja Mesila Doda tha se gratë kanë marrë shembull nga grupi i grave deputete të Kosovës.

“Sot pas 1 viti e gjysmë që krijuam grupin e grave deputete që ka marrë disa iniciativa.  E fundit ka të bëjë me ndryshimin e kodit zgjedhor dhe kërkuam që në zgjedhjet e të ardhshëm të ketë mbi 40% të grave në këshillin bashkiak, kjo do të thotë rritja e politikaneve të vërteta. Politikanët tentojnë të kenë gra por me zë të ulët, por gratë nuk janë kukulla do duhet të imponohen në politikën shqiptare. Kosova sot ka një presidente, ne nuk kemi krerë shtetesh përveç një zonje ish kryetare kuvendi dhe një ish kryeprokurore. Nisur edhe nga kjo traditë që po bëjmë për 8 marsin dua t’ju them që gratë shqiptare kanë sjellë një leksion të madh: jemi bashkë në sfidën tonë për progres. Po afrohemi natyralisht në politikë ekonomi dhe sfidë, gratë shqiptare ti mësojnë burrave se ato janë bashkim, ato mësojnë kombin të përparojë, këtë ide tonën për të qenë më afër njëra tjetrës shumë shpesh do të hasim në indiferencën nga burrat megjithatë ne do duhet të vazhdojmë në rrugën tonë përveç se të jemi të bashkuar në rrugën tonë,” tha Mesila Doda.


  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Nëse s'fiton a do të pranojë ofertën e Vangjel Tavos? Gjikuria nxehet me gazetarët: Sikur keni ngrënë limona që në mëngjes

Nëse s'fiton a do të pranojë ofertën e Vangjel Tavos? Gjikuria nxehet me gazetarët: Sikur keni ngrënë limona që në mëngjes