Kryetari i lëvizjes 'Shqipëria Bëhet', Adriatik Lapaj, është shprehur se propozimi i PS për uljen e numrit të deputetëve në 101, nga 140 që janë aktualisht, e bën Parlamentin lehtësisht më të kontrollueshëm.
Në emisionin 'Sot Live në Shqipëri' me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, teksa foli për Reformën Zgjedhore, Lapaj tha se sa më i vogël të jetë numri i deputetëve, aq më të lehtë e kanë kryeministri apo grupe të ndryshme interesi që të lobojnë për miratimin e ligjeve për interesa të tyre.
"Nuk janë shumë 140 deputetë. E para, me miratimin e ligjit që miraton diaspora, numri i votuesve në Shqipëri është rritur. Sot, ndryshe nga më parë, kanë mundësi të votojnë 3.7 milionë votues. Sa e ushtrojnë të drejtën e tyre, kjo është çështje tjetër pastaj. Numri i deputetëve nuk është çështje dëshire. Por ka një arsye pse duhet numri të jetë jo aq i vogël. Sepse sa më i vogël të jetë numri, bëhet lehtësisht i kontrollueshëm, qoftë nga kryeministri, qoftë nga lobingjet e grupeve të interesit. Sepse e ka shumë të thjeshtë një grup interesi që të shkojë e të lobojë te 30-40 deputetë për të mirëtuar një ligj që u intereson atyre, por nuk i intereson vendit. Tani që është qelbur sistemi, nuk do të thotë që të ulim numrin. Do të thotë që duhet të ndryshojmë sistemin. S'ka asnjë lidhje me kostot. 40 deputetë, po të marrim kostot mujore të rrogave të tyre dhe t'i llogarisim për 4 vite, është një vlerë e papërfillshme në raport... Sot ligji parashikon favore që ne duhet t'i heqim", tha mes të tjerash Lapaj.
Lapaj theksoi më tej se kodi i ri zgjedhor i ndan me Partinë Demokratike. Ai akuzoi PD-në për kodin zgjedhor të miratuar në bashkëpunim me PS-në disa vite më parë, që sipas tij i dha kryeministrit Edi Rama 9 mandate më shumë.
Nga PD dhe Sali Berisha ai kërkoi një meaculpa dhe më pas rakordimin e veprimeve që do të çonin në një sistem zgjedhor me lista 100% të hapura.
"Në 27 korrik unë kam qenë në komisionin e posaçëm parlamentar, kam depozituar 21 mijë firma qytetarësh dhe 2 projektligje. Një për votën e diasporës dhe një për kodin zgjedhor. Vota e diasporës u miratua, kodi zgjedhor jo. U votua kundër, sepse përfaqësuesit e PD-së bashkuan votat me Damian Tërmetin, për të miratuar një kod zgjedhor që Ramës i ka dhënë 9 deputetë më shumë në raport me votat që ka marrë. Një kod zgjedhor që ishte një dhuratë për Edi Ramën. PD duhet të kërkojë falje për kodin zgjedhor. Të 80 mijë e 600 qytetarët që ne na kanë votuar, ma thonë 'të kemi votuar të luftosh për kodin zgjedhor, të kemi votuar të luftosh për demokratizimin e ligjit elektoral shqiptar'. Unë s'mund të dal përtej vullnetit të atyre që më kanë mandatuar me votëbesim për të kërkuar demokratizimin e vendit", shtoi Lapaj.
Teksa ftoi edhe partitë e tjera të reja për t'u bashkuar për zgjedhjet lokale, Lapaj tha se mund të përdoren edhe 'primaret' për zgjedhjen e kandidatëve të përbashkët që do të garojnë në disa bashki të vendit.
"Ne nuk pranojmë të votojmë një kandidat të PD-së. Jo. Le të vijë PD të mbështesë një kandidat tonin. Ne propozojmë Dorina Prethin. Partive të tjera u kam shtrirë dorën për herë të dytë. Unë jam dakord që sot, për t'i bashkuar votat. Këto zgjedhje janë për qytetarin, për administrimin e qytetit. Specifika është kjo, janë zgjedhje bashkiake, janë maxhoritar. Janë zgjedhje në 2 nivele, një për kryetar bashkie dhe tjetra për këshillta bashkiakë. Këto zgjedhje na japin mundësinë që ne ta ruajmë identitetin tonë partiak. Kjo do të thotë se për këshillat bashkiakë secili nga ne garon me listën e vetë, ndërkohë për kryetar bashkie ne mund të dakordësojmë që për filan bashki të mund të garojmë me kandidatë të përbashkët. Ftoj edhe qytetarët e protestës unë. Bëhemi 3 partitë e reja dhe protestuesit. Parimi që ne mblidhemi e themi që partitë e reja e qytetarët në shesh bëhen bashkë e propozojnë listat e këshilltarëve, kandidatët për kryetarë bashkish dhe i gjejmë rast pas rasti. Doni ju, fusim edhe primare në çdo qytet për ta bërë", përfundoi Lapaj.







Komente
Komento