TIRANE - Në këtë 8 Mars, kanë festuar edhe gratë që vuajnë dënimin për veprat penale në burgun 325 në kryeqytet. Dhurata më e bukur, që ato kanë marrë në këtë ditë ka qenë prania e fëmijëve në ambientet e burgut.

"U bënë 13 "8 Marse" që unë jam një nënë e mohuar dhe shpresoj që në një të ardhme, me rritjen e fëmijëve të jem dhe unë një nënë e gëzuar dhe të ndodhem dhe unë mes luleve si të gjitha gratë sot"- thotë  Mirena Ziri.  "Gjëja më e bukur për 8 Marsin është ardhja e fëmijëve brenda ambienteve. Mua më erdhi goca.

Është 10 vjeç dhe sot e sollën këtu. Ndihem shumë e lumtur"- thotë  njëra prej të dënuarave. Në përfundim të aktivitetit të zhvilluar në burgun e grave janë shpërndarë certifikatat e kurseve profesionale dhe arsimore të organizuara nga Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional në Tiranë, që gratë e kanë kryer gjatë dënimit.

Certifikata këto që  janë të vlefshme në tregun e punës dhe do t'ju shërbejnë këtyre femrave  pasi ato të kenë përfunduar dënimin. Gratë e privuara nga e drejta e lirisë, kanë festuar së bashku me fëmijët e tyre, këtë ditë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.032013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)