Jo vetëm një ditë pushimi, një e diel me diell, që i fton të gjithë në shëtitje! 

Dita ndërkombëtare e 8 marsit në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë, mblodhi qytetarë nga të gjitha moshat, në një mision simbolik: Një maratonë vrapi për të promovuar fuqizimin e gruas.

“Ne, UN Women Albania, jemi shumë krenarë që jemi pjesë e kësaj maratone. Titulli i eventit ‘Ajo Vrapon’ dërgon një mesazh shumë të fortë që lëvizja për të drejtat e grave globalisht, në rajon dhe në Shqipëri, nuk do të ndalet.”, tha për “Report TV”, Michele Ribotta, drejtues i “UN Women Albania”.

Mesazhi më i fortë, është përcejllë edhe përmes pjesëmarrjes së burrave në këtë garë për të drejtat e grave.

“Kjo nismë është nisur nga katër persona që vijnë nga profile të ndryshme dhe kemi punuar fort për ta realizuar këtë event. Mbështetja e bizneseve, agjencive dhe ambasadave ka qenë shumë e rëndësishme. Pjesëmarrja ka qenë e gjerë, burra dhe gra, në formë simbolike për reziliencën e grave dhe rrugën drejt barazisë dhe dinjitetit të tyre. Ne duam që ky event të bëhet i përvitshëm.”, tha Gentiana Susaj, drejtore e “ESD Albania”, një ndër organizatoret e aktivitetit.

Fituesja e garës është Naile Seferaj, një nënë me fëmijë.

“Sot morëm pjesë në këtë maratonë që u organizua për nder të gruas. Motivi im kryesor ishte t’u tregoj të gjithëve që zëri i femrës është i fortë, është një nga forcat më të mëdha që ekziston. Thirrja ime për gratë është që gjithmonë të luftojnë për të drejtat e tyre dhe asnjëherë të mos heshtin.”, tha Seferaj për “Report TV”.

I pranishëm në garë ishte edhe ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström.

“Suedia është një mbështetës i vërtetë i Shqipërisë dhe një nga prioritetet tona është fuqizimi i grave dhe barazia gjinore. Por kjo është gjithashtu diçka e rëndësishme edhe në politikat e vendit për t’iu bashkuar familjes evropiane.”, tha Ström.

Jo shumë larg Liqenit, pranë Universitetit të Arteve, 8 marsi u shoqërua me një marshim- protestë organizuar nga Kolektivi Feminist.

“Marshimin për këtë vit e kemi quajtur ‘Revoltohu motër’. Është një thirrje për të gjitha vajzat dhe gratë në Shqipëri, për gratë që përballen me dhunë, me padrejtësi në punë dhe me mungesë sigurie. Vetëm në dy vitet e fundit janë vrarë 35 gra dhe vajza dhe ne nuk duam që ato të mbeten vetëm statistika në kronikat e zeza.”, tha për “Report TV”, aktivistja Deni Sanxhaku.

Që prej vitit 1977, 8 Marsi është vendosur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Gruas, si një thirrje për veprim për përshpejtimin e barazisë gjinore, nderimin e të drejtave të grave dhe reflektimin mbi progresin e bërë drejt barazisë.