'80 të zhdukur nga Vlora', Salianji: Mashtrim, policia po bashkëpunon me bandat e krimit

Deputeti demokrat, Ervin Salianji ka deklaruar sot përmes një deklarate për shtyp se denoncimi i dy muajve më parë i forcës së tij politike, se njerëzit rrëmbehen në Vlorë dhe zhduken pa lënë gjurmë, rezulton cdo ditë e më shumë i vërtetë. Salianji u shpreh se policia nuk po bën asnjë përpjekje për të hetuar këto akte mafioze e konkretisht zhdukjen e personave të përfshirë në trafik droge. 

Duke u bazuar edhe tek shifrat  dhe dëshmitë që ka transmetuar emisioni 'Top Story', Salianji tha se pohimi i Prokurorisë se numri i të zhdukurve në 3 vjet është 80, është fals. Sipas deputetit demokrat, numri 80 përkon vetëm me numrin e denoncimeve që familjarët kanë bërë në polici për të afërmit e tyre.

Ai citoi ndër disa dëshmi edhe atë të babait të Mario Metushit, të zhdukurit në 16 qershor 2017, për të argumentuar pohimin se policia është bashkëpunuese e ngushtë e bandave të krimit.  “Sa herë shkoja në polici për të denoncuar zhdukjen e djalit, më merrnin në celular dhe më thoshin, pse ke shkuar në polici? – citoi Salianji babain e Metushit.

Salianji u shpreh më tej se ajo çka i bashkon këto dëshmi është fakti se familjarët i bëjnë të gjitha denoncimet në Policinë e Fierit, sepse sipas tij, deklarojnë se jo vetëm nuk kanë besim por kanë frikë të shkojnë në Policinë e Vlorës.


Dëshmitë e familjarëve tregojnë se të afërmit e tyre ishin të përfshirë në trafik droge, por lidhja e bandave me drejtuesit e lartë të policisë ka ndaluar hetimet.
Ky është realiteti i botës së errët kriminale me policinë bashkëpunëtore në fshehje vrasje dhe krim pikërisht në zonën elektorale të KM Rama. Kjo është situata në shumicën e qyteteve të Shqipërisë, ku krimi ka marrë revansh ndaj shtetit, sepse bashkëpunëtor kryesor ka kryeministrin e vendit Edi Rama. Vendi është në emergjencë kombëtare, prandaj është jetik ndarja e politikës nga krimi nëpërmjet vetingut të politikanëve, duke nisur që nga kreu i qeverisë.
 

Ervin Salianji, Deputet i Partisë Demokratike

Në përfundim të fjalës së tij, Salianji garantoi se Partia Demokratike do t'i shtypë me forcën e ligjit bandat dhe kriminelët dhe do të kthejë rendin dhe sigurinë. "Do të bëjmë gjithçka për rihapjen e hetimeve për zhdukjen e 80 personave për të vënë në vend drejtësinë e munguar!"- premtoi ai.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë