Ervin Salianji është i bindur se nën drejtimin e tij, Partia Demokratike do të ishte fituese në zgjedhjet vendore 2027. Nga ‘Studio Live’ në Report Tv, ai shpreh gatishmërinë për të kontribuar për opozitën.
Njëkohësisht, ka një sfidë të hapur për Sali Berishën që e quan “sëmundje” e “barrë” për opozitën.
“Të më thonë se në cilën zonë duan të jap kontribut dhe do të jem aty për opozitën, edhe unë mund të fitoj prapë aty ku do të jem. Ma kanë ndaluar me ligj për këto zgjedhje. Nëse PD thotë shiko po të vish ti këtu ne fitojmë, do të jem aty. Barra më e rëndë e opozitës është Sali Berisha. Që ta shërosh një sëmundje duhet ta identifikosh atë, ne duhet të bëjmë një garë duke tërhequr edhe ca thasë mbrapa që është Berisha”, tha ish-deputeti.
Suksesin e tij potencial, Salianji e mbështet te betejat e shkuara politike.
“Po të isha unë s’ka diskutim që do të fitonte shumicën. Kam treguar që i fitoj edhe kur duket e pamundur”, shprehet ai.
Plani për t’iu rikthyer aktivisht politikës do të vijojë fillimisht me takimet me qytetarët, disa prej të cilave do të jenë edhe publike.
“Do të vazhdoj prapë takimet në këtë periudhë. Kam bërë takime nëpër qytete. Do të ketë takime me struktura e qytetarë. Disa do të jenë edhe publike, për të dëgjuar ata më shumë. Unë do të them mendimet e mia pse PD nuk fitoj dot me Sali Berishën, tani do të dëgjoj qytetarët dhe të gjejmë zgjidhje”, tha Salianji.
Lajmi kryesor:
Vendoret 2027, Salianji për Report Tv: Opozita është me vonesë, Berisha s’ka kandidatë për 90% të bashkive! Me mua PD do të fitonte, i kam dhënë provat








