80-vjetori/ Shtatorja e Kadaresë 
do të vendoset në Gjirokastë

80-vjetori/ Shtatorja e Kadaresë <br />do të vendoset në Gjirokastë
TIRANE- Bashkia e Gjirokastrës e ka shpallur vitin 2016 si “Viti kulturor i Ismail Kadaresë”. Kjo nismë është marrë në kuadrin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar shqiptar. “Në kuadër të 80–vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh, gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, në 28 janar të vitit 1936, Bashkia Gjirokastër e shpall vitin 2016: “Viti Kulturor Ismail Kadare”, ka deklaruar kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami. Kryetarja Rami ka theksuar se përgjatë gjithë vitit 2016 do të zhvillohen aktivitete të shumta në qytetin e lindjes së shkrimtarit.

“Në vitin 2016 do të hapet shtëpia Muze “Ismail Kadare”, e cila u restaurua së fundi. Shtëpia e lindjes së shkrimtarit pritet të kthehet në një itinerar për mijëra vizitorë vendas dhe të huaj”, ka deklaruar Rami, e cila ka theksuar në kalendarin e aktiviteteve edhe një surprizë që do t’i bëhet shkrimtarit të njohur, për të cilin do të ngrihet një shtatore. “Bashkia pritet të propozojë edhe ngritjen e një shtatoreje të shkrimtarit në një nga sheshet qendrore të qytetit”, është shprehur kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës.

Duke argumentuar më tej se “Gjirokastra, vendlindja e shkrimtarit të jashtëzakonshëm, ka privilegjin dhe nderin e madh të çelë e para Festën e Nderimit, të promovojë e organizojë eventet e duhura për t’i dhënë të gjithë vëmendjen, dashurinë e mirënjohjen e merituar këtij kolosi të letërsisë shqiptare e botërore”, kryetarja e Bashkisë Zamira Rami ka kujtuar ndërkohë bisedat e fundit të Ismail Kadaresë në vendlindjen e tij, duke cituar këto fjalë:“Ky nderim që vjen nga Gjirokastra ka një peshë e vlerë të veçantë e me këtë rast, më lejoni të citoj intervistën e dhënë nga vetë shkrimtari me rastin e dhënies së titullit “Nderi i Gjirokastrës”: "Ndjehem i prekur dhe shumë i nderuar. Kjo vjen, sepse të gjitha nderimet që mund të ketë një shkrimtar, nderime në vendin e vet, ose në vende të tjera, kanë diçka të mangët, në qoftë se mungon ai, nderimi fillestar, mungon vlerësimi i qytetit të lindjes, i vendit ku ai ka parë për herë të parë botën me sy...”.

Sipas kryetares së bashkisë i gjithë viti 2016, i shpallur “Viti Kulturor Ismail Kadare” do të ketë në fokus ngjarje, aktivitete, festivale, ekspozita, premiera teatri me krijimtarinë e shkrimtarit dhe të Gjirokastrës. Rami ka theksuar se “Bashkia Gjirokastër dhe Ministria e Kulturës janë duke punuar bashkërisht, jo vetëm për ngritjen e muzeut të jetës dhe veprës së shkrimtarit Ismail Kadare në banesën e tij të lindjes, por edhe për hartimin e një kalendari të plotë aktivitetesh”.

Disa nga aktivitetet kryesore që përmendi kryetarja e bashkisë Rami do të vijojnë sipas këtij kalendari: a)Muaji Janar 2016 do të jetë muaji ku çdo ditë e tij do të ketë një event nga krijimtaria e shkrimtarit; b)Trupa e teatrit profesionist do ngjisë në skenë veprën “Darka e gabuar”; c)Ekspozitë e piktorit Bashkim Ahmeti “Kadare dhe Gjirokastra”; d)Festivali poetik “Ca pika shiu ranë mbi qelq”; e) Çmimi letrar “Kadare” në Gjirokastër, etj.

Gjithashtu Rami theksoi se Bashkia do t’i propozojë Këshillit Bashkiak miratimin e nismës për ngritjen e shtatores së shkrimtarit të shquar në një nga sheshet kryesore të qytetit Gjirokastër, duke shtuar se pas këtij vendimi Ismail Kadare do të kujtohet gjithë vitin në vendlindjen e tij. “Në panairin mbarëkombëtar të artizanatit do të ketë suvenire me emrin, firmën dhe portretin e shkrimtarit Kadare”, tha kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami.

Aktiviteve për vitin e Kadaresë do t’ju bashkohen edhe studentët e pedagogët e universitetit “Eqrem Çabej”, ku do të mbahen një sërë kumtesash kulturologjike si shprehje e nderimit e mirënjohjes për veprën e shkrimtarit Ismail Kadare.
 
Ismail Kadare, një emër i vlerësuar edhe në botë
 
Ismail Kadare lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër dhe është shkrimtari më i njohur shqiptar. Ai është  përkthyer sot në botë në rreth 50 gjuhë dhe është nominuar disa herë për çmimin NOBEL të Letërsisë.  Gjithashtu Ismail Kadare tre ditë më parë është vlerësuar me dekoratën më të lartë në Francë, “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Ndërsa që nga viti 1996, Ismail Kadare është zgjedhur anëtar i përhershëm i Akademisë Franceze të Shkencave Politike dhe Morale. 80-vjetori i lindjes së shkrimtarit shqiptar kurorëzohet me disa nga çmimet më të mëdha të letërsisë në rang ndërkombëtar. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man Booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Ndërsa një vit më parë në shkurt të 2015-s, Ismail Kadare fitoi një tjetër çmim të rëndësishëm, siç është çmimi i letërsisë në Jeruzalem International Book Fair.
 
 
2016-Viti i Kadaresë
 
-Muaji Janar 2016 do të jetë muaji ku çdo ditë e tij do të ketë një event nga krijimtaria e shkrimtarit.
-Trupa e teatrit profesionist do ngjisë në skenë veprën “Darka e gabuar”
-Ekspozitë e piktorit Bashkim Ahmeti “Kadare dhe Gjirokastra”
-Festivali poetik “Ca pika shiu ranë mbi qelq”…
-Çmimi letrar “Kadare” në Gjirokastër.
-Çelja e shtëpisë Muze “Ismail Kadare”
-Miratimi nga Këshilli Bashkiak për ngritjen e shtatores së shkrimtarit në një nga sheshet kryesore të qytetit.
-Panair artizanati me suvenire me portretin dhe firmën e Ismail Kadaresë.


Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   


 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin