Lidhja jashtëmartesore mes shefit të Nvidia, Jensen Huang, dhe një gruaje të dyshuar si spiune kineze është kthyer në çështje hetimi për FBI-në amerikane. Konfirmimi ka ardhur nga vetë presidenti Donald Trump, ndërsa në qendër të dyshimeve është edhe një kompani që bleu nga Nvidia çipa të avancuar me vlerë mbi 4 miliardë dollarë.
Trump deklaroi se kishte biseduar të hënën me Huang, pasi dolën raportimet se drejtuesi i gjigantit amerikan të teknologjisë mund të ishte vënë në shënjestër të një operacioni spiunazhi nga Kina.
“E pyeta drejtpërdrejt: ‘A e dije që ajo ishte spiune?’. Ai më tha: ‘Nuk e kisha idenë që ishte spiune’. Dhe unë e besoj vërtet”, u tha Trump gazetarëve.
Më vonë, gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan konfirmoi se FBI po merret me çështjen.
“E di që FBI po e heton”, deklaroi ai, pa dhënë hollësi të tjera dhe pa sqaruar se kur kishte nisur hetimi.
Megjithatë, Trump doli në mbrojtje të Huang, duke e cilësuar si një njeri të ndershëm dhe duke shprehur bindjen se ai do ta kalojë këtë situatë.
Kush është gruaja në qendër të skandalit?
Në qendër të historisë është Alice Huang Le, një grua kineze që dyshohet se ka lidhje me shërbimet e inteligjencës së Pekinit.
Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, ajo arriti të krijonte jo vetëm një marrëdhënie sentimentale me Jensen Huang, por edhe lidhje biznesi me Nvidia, një nga kompanitë më të rëndësishme amerikane në fushën e inteligjencës artificiale.
Dyshimet lidhen edhe me kompaninë Megaspeed, me të cilën Alice Huang Le dyshohet se kishte lidhje drejtuese, madje mund të ketë qenë edhe themeluesja e saj. Megaspeed, një kompani pak e njohur në industrinë e teknologjisë, arriti në vitin 2024 të krijonte marrëdhënie biznesi me Nvidia dhe të blinte çipa të avancuar me vlerë mbi 4 miliardë dollarë.
Sipas marrëveshjes, këta çipa do të përdoreshin për ndërtimin e qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale në Azinë Juglindore. Por pikërisht këtu nisën dyshimet e autoriteteve amerikane.
Çipa miliarda dollarësh, por të lënë në kuti
Sipas Corriere della Sera, Megaspeed ishte krijuar vetëm një vit përpara marrëveshjes me Nvidia, pasi ishte shkëputur nga një kompani kineze që merrej me videolojëra.
Kur inspektorët e Departamentit Amerikan të Tregtisë vizituan një qendër të dhënash në Azi, ku Megaspeed pretendonte se po përdorte çipat e blerë nga Nvidia, zbuluan se pajisjet ndodheshin ende të paketuara në kuti.
Kjo ngriti dyshime, pasi bëhej fjalë për pajisje shumë të shtrenjta, të cilat normalisht do të duhej të viheshin në punë sa më shpejt për të justifikuar investimin. Autoritetet amerikane dyshuan se kompania me bazë në Singapor mund të përdorej si mbulesë për të dërguar në Kinë çipa, eksporti i të cilëve ishte i ndaluar.
Edhe një investigim i New York Times, i kryer vitin e kaluar, kishte zbuluar të dhëna të pazakonta për aktivitetin e Megaspeed. Në selinë e kompanisë në Singapor ndodheshin vetëm dy punonjës. Një degë në Malajzi ishte regjistruar në një dyqan pothuajse të braktisur në periferi të Kuala Lumpurit, ndërsa një tjetër zyrë ndodhej në një qendër tregtare.
Kur një punonjëse e kësaj zyre u pyet se me çfarë merrej kompania, përgjigjja ishte: “Nuk është e qartë”.
Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se tetë nga dhjetë kontratat e qirasë për tokat ku Megaspeed pretendonte se do të ndërtonte qendra të dhënash ishin anuluar. Por historia bëhet edhe më e dyshimtë me atë që ka ndodhur me 23 bashkëpunëtorët e Megaspeed.
Sipas Corriere della Sera, të gjithë personat që kompania i paraqiste në profilin e saj në LinkedIn si bashkëpunëtorë në zyrat e Singaporit, Malajzisë dhe Indonezisë, tashmë nuk gjenden. Numrat e telefonit janë shkëputur, ndërsa i vetmi numër ku gazetarët arritën të merrnin përgjigje rezultoi i regjistruar në një banesë private. Nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur me këta 23 persona.
Dosja që shkoi në Shtëpinë e Bardhë
Dyshimet për destinacionin e çipave dhe marrëdhënien e Jensen Huang me gruan e dyshuar si spiune kineze u përfshinë në një memorandum që iu dorëzua Shtëpisë së Bardhë pranverën e kaluar. Sipas informacioneve të publikuara nga New York Times dhe Wall Street Journal, duke iu referuar burimeve anonime, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dyshohet se mbikëqyri përgatitjen e dosjes.
Ai mësohet se kishte paralajmëruar zyrtarë të tjerë të administratës Trump për marrëdhënien e Huang me një grua që dyshohej se ishte spiune kineze. I pyetur nëse kishte qenë në dijeni të këtyre informacioneve, Trump tha se shërbimet e inteligjencës mund t'ia kishin përmendur memorandumin, por ai nuk e mbante mend.
“Me siguri nuk duhet të ketë pasur ndonjë ndikim të madh tek unë”, deklaroi presidenti amerikan.
Pavarësisht hetimeve dhe dyshimeve, Huang vazhdoi të kishte akses te presidenti amerikan. Ai ishte pjesë e delegacionit që shoqëroi Trump gjatë vizitës në Pekin në muajin maj. Trump deklaroi se nuk do të kishte problem ta merrte sërish me vete drejtuesin e Nvidia në një tjetër vizitë në Kinë.
“Nuk kam dëgjuar që të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar. Ka pasur një marrëdhënie me dikë, por e dini, të gjithë e bëjnë këtë”, tha ai.
Nvidia nis hetim të pavarur, Kina mohon akuzat
Nvidia ka porositur një hetim të pavarur për marrëdhënien e drejtuesit të saj me Alice Huang Le. Kompania ka deklaruar se nuk ka arsye të besojë se sekretet e saj tregtare apo siguria kombëtare amerikane janë cenuar.
Nga ana tjetër, FBI nuk pranoi të komentonte kur u kontaktua nga BBC. Edhe Pekini i ka hedhur poshtë akuzat se Jensen Huang ishte vënë në shënjestër të një operacioni spiunazhi.
Ministria e Jashtme kineze i cilësoi pretendimet si “krejtësisht të pabazuara, spekulative dhe të qëllimshme për të njollosur dhe diskredituar Kinën”.
Nvidia është një kompani kyçe për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe për konkurrencën teknologjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Sipas Corriere della Sera, vlera e saj në bursë ka kaluar 5.500 miliardë dollarë.
-
A do e bleje Mira Murati firmen Invidia dhe te behet CEO Mira ? Apo nuk I dihet?
Përgjigju



Komente
Komento