TIRANE-Pas dyshimeve për produkte të kalbura, zyrtarisht nuk duhet konsumuar mish pule e derri i importuar nga Brazili deri në në konfirmim nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, (AKU). 

Shqetësimi mbi mishin e kalbur u ngrit nga Report TV pas denoncimit se në Shqipëri janë futur produkte të mishit të Pulës nga Brazili, të kompanive që janë përfshirë në skandalin e mishit të kalbur ka reaguar edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, AKU theksoi sot se për të gjitha ngarkesat me mish pule dhe mish derri të importuara së fundmi në Shqipëri nga Republika Federale e Brazilit, ka bërë bllokimin e tyre, deri në përgjigjen e analizave prej mostrave të marra nga këto produkte.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në lidhje me lajmet nëpër media se importohet “mish i kalbur viçi nga Brazili” bën me dije se, nga periudha nëntor 2016 –mars 2017 janë importuar nga Republika Federale e Brazilit drejt Republikës së Shqipërisë, vetëm ngarkesa me mish pule dhe ngarkesa me mish derri.
 
Gjithashtu AKU pohon se të gjitha ngarkesat e importuara drejt Shqipërisë plotësojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi për ushqimin.

“Sqarojmë se të gjitha ngarkesat e importuara drejt Shqipërisë plotësojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi për ushqimin, si dhe kërkesat e marrëveshjes me urdhër Nr.294, datë 13.06.2006. “Mbi importin e mishit nga Republika Federale e Brazilit “ e arritur midis Autoriteteve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Brazilit”, shkruan AKU.
 
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se, Shqipëria importon nga stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian, shoqëruar nga certifikata veterinare të miratuara nga autoritetet veterinare qendrore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Brazilit.
 
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pavarësisht se nuk ka alert nga sistemi RASFF, për të gjitha ngarkesat me mish pule dhe mish derri të importuara së fundmi në Shqipëri nga Republika Federale e Brazilit, ka bërë bllokimin e tyre, deri në përgjigjen e analizave prej mostrave të marra nga këto produkte.

"Gjithashtu ju bëjmë me dije se, nga sistemi RASFF(Rapid Alert System for Food and Feed) , sistemi i lajmërimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë, instrument i Komisionit Europian i krijuar për të garantuar ndjekjen e informacionit ndërkufitar, për të reaguar, në mënyrë të menjëhershme në rast rreziku ndaj shëndetit të konsumatorëve, nuk ka një njoftim të tillë për Shqipërinë për problematikën në fjalë".
 
Nga ana tjetër, Report TV ka investiguar në lidhje me ngarkesat e produkteve shtazore që janë importuar nga Brazili dhe rezulton se në territorin e Shqipërisë janë importuar nga Brazili, gjatë vitit 2016 nga një subjekt shqiptar, rreth 2.5 ton mish viçi, pjesë kurrizi i ngrirë. Kjo ngarkesë me vlerë afro 64 milionë lekë është zhdoganuar nga autoritetet shqiptare kundërejt të gjitha rregullave.

Por ajo që mbetet për tu verifikuar është fakti nëse ngarkesa prej 2. 5 ton mishë vicci është i njëjtë me atë që po në vitin 2016 në disa vende të Evropës është cilësuar si i kalbur dhe me përmbajtje të substancave kancerogjene.

Nuk dihet më tej se kush ka qenë destinacioni përfundimtar i kësaj ngarkes me mish, nëse ëhstë tregëtuar në treg të lirë apo është përdorur për nënprodukte më bazë mishi.

(d.b/Shqiptarja.com)