Kryeministri Edi Rama ndodhet në Musée de l’Homme në Paris, ku po zhvillohet Forumi i Paqes. Rama po merr pjesë në një bashkëbisedim kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe të ardhmes së brezit të ri.

Forumi i Paqes zhvillohet përgjatë dy ditëve, më 10 dhe 11 nëntor. Këtë vit, në qendër të diskutimeve është qeverisja efektive si një nga kushtet për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.

Kryeministri shqiptar do të jetë pjesë e një sesioni të posaçëm në formatin “Spotlight”, ku do të diskutohet për perspektivën europiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian për brezat e rinj.

Gjithashtu, Rama do të marrë pjesë në seancën plenare të Forumit të Paqes, me temë “Nga sovraniteti te bashkëpunimi”, ku do të trajtohen dimensione të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar.