Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, u shpreh te "5 pyetjet nga Babaramo" se Rama ka humbur qetësinë dhe po tregon dobësi.
"Është një lojë tipike e Ramës kur është në hall. Kërkon të mbulojë largimin e problemit kryesor që pati, ministrin e Brendshëm, kërkon të tërheqë vëmendjen dhe nga kjo çadër e cila ka një simbolikë si ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një qeveri pa atë të Edi Ramës. Kjo tendë po jep impaktin e saj dhe Rama është në një reagim tipik të tij që tregon dobësi përpara kësaj faze. Tentativa për të zhbërë këtë apo edhe çështje të tjera. Kjo është një protestë deri sa të arrijë objektivin, largimin e Ramës dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme", u shpreh Bylykbashi.
Deputeti demokrat paralajmëroi se pavarësisht shkarkimit të një prej ministrave më të kontestuar nga opozita, atij të Brendshëm, Saimir Tahirit, opozita nuk do të tërhiqet nga protesta në çadër deri në largimin e kreut të qeverisë.
Sipas tij, zgjedhjet e 18 qershorit rrezikohen njësoj si ato lokale të Korçës dhe Dibrës, të cilat, siç akuzojnë demokratët, u blenë me paratë e drogës.
"Të themi se PD kërkon pushtetin në tavolinë, është e pranueshme që të bëhet nga kushdo, por s'ka bazë. Opozita nuk po kërkon në mes të mandatit të largohet Rama dhe ta zëvendësojë Basha. Ne po kërkojmë të largohet Rama, të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jemi në fundin e një mandati politik të këtij parlamenti. Jo më larg se 19 maji, parlamenti shpërbëhet. Pas kësaj date, Rama është thjesht një kryeministër teknik. Rekordi i tij është shumë i rëndë si në Dibër, Korçë, dhe me të nuk mund të bëhen zgjedhje. Ministri i Brendshëm është thjesht një nga instrumentet që projektonte këtë qasje të Ramës për pushtetin. S'duhet parë cili ministër ikën dhe cili ministër vjen. Nuk mund t'i lihen zgjedhjet një vullneti kaq malinj të Edi Ramës, i cili zgjedhjet nuk i konsideron si një instrument demokracie, por instrument për marrje pushteti dhe për ta mbajtur atë. E ka faktuar në Korçë në 2015-ën, në zgjedhjet e Dibrës, që bëri gjithçka duke blerë votat, blerë kartat, duke përdorur kriminelë, manipuluar zgjedhësit. Lexoni raportin e OSBE/ODIHR dhe ka një rekord të skajshëm negativ, na ka kthyer në standardet e 2001-2003 kur Shqipëria ishte një dele e zezë në rajon për standardet zgjedhore", tha ai.
Qeveria teknike mbetet kushti i demokratëve për të lënë çadrën, në të kundër siç tha Bylykbashi, protestat do të shtrihen edhe në rrethe.
"Shqipëria nuk mund të bëjë dot në zgjedhje me këtë qeveri. Problemet më të rënda sot po ndodhin rreth procesit, shitblerja e votës me para të drogës, marrja e kartave të identitetit nga bandat, lirimi i kriminelëve të dënuar me burgim të përjetshëm në qeverinë e PD dhe lirimi sot, përbën një mesazh të qartë dhe janë tregues sesi Edi Rama do i organizojë zgjedhjet. Ndaj, Edi Rama të largohet dhe të krijohet një qeveri teknike me mandat të pastër. Rama do ta kuptojë që nuk ka më hapësirë dhe do të largohet.
Ndaj, ne do ta hapim këtë rrjetë që do të ndodhë jo vetëm në këtë çadër, por në të gjithë vendin. Shqiptarët kanë filluar të kenë shpresë te kjo çadër", tha deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com