Ministri Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka kërcënuar shqiptarët e Luginës së Preshevës që mos ta “themelojnë Asociacionin paralele të komunave siç është rasti me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
 
Në një miting parazgjedhor të zhvilluar në Medvegjë ku ditën e diel do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, Daçiç tha se shqiptarët në këtë komunë dhe në Komunat Bujanovc dhe Preshevë nuk duhet të jenë të diskriminuar por duhet të respektojnë Kushtetutën dhe rendin e vendit ku jetojnë.

“I paralajmëroj ata që të shtunën në Preshevë mos të themelojnë ndonjë Bashkësi paralele me atë që është në Kosovë. I paralajmëroj ata që mos të luajnë me zjarrin dhe ta respektojnë rendin Kushtetutës të Republikës së Serbisë. Ajo që Serbia është për dialog, nuk do të thotë se është e dobësuar, përkundrazi, ajo është e fuqishme, më fuqishme në 20-30 vitet e fundit”, - u shpreh Daçiç. 

Ndërsa për çështjen e pavarsisë së Kosovës Daçiç përgënjeshtroi në mënyrë kategorike njohjen e Kosovës, por u zotua se Serbia është e gatshme për të krijuar marrëdhënie të mira në rajon.

"Sot kam dëgjuar se kryeministri shqiptar thotë se Serbia ka njohur pavarsinë e Kosovës duke zhvilluar negociatat në Bruksel. Kjo është një gënjeshtër. Dua ti bëj me dije të gjithë shqiptarët që Serbia dëshiron marrëdhënie të mira në rajon dhe garanton barazi të pakicës kombëtare shqiptare, por Serbia nuk do të lejojë askënd të ofendojë dhe të rrezikojë integritetin e saj territorial ", ka thënë Daçiç.

Reagimi i Daçiç ven menjëherë pasi kreu i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka deklaruar se asociacionin do ta themelojnë për të realizuar të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Politikanët shqiptarë në Serbi kanë lajmëruar se ditën e shtunë do të shpallin themelimin e Bashkësisë së Komunave shqiptare në këtë shtet.

Redaksia Online
(o.m/shqiptarja.com)