Sigurisht, kjo shtëpi, kjo Bashki, nuk është pa pengje të së kaluarës. Një ndër pengjet e së kaluarës, një ndër ato barra që na u lanë në qafë, ishin disa leje ndërtimi të dhëna në kundërshtim me ligjin. Leja që është ndoshta më abuzivja nga 17 lejet që po heton Prokuroria, është ajo te Diga e Liqenit. Bëhet fjalë për 5 pallate, më i larti prej tyre 17 kate, në total 220 mijë metra katrorë, në një vend i cili sipas bordit të digave që ka kërkuar anulimin e kësaj leje në gjykatë, është një vend i papërshtatshëm i cili rrezikon jetën e banorëve të qytetit të Tiranës në momentin që një masiv kaq i madh ndërtohet në buzë të digës së liqenit. Kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës, unë e thashë në fushatë dhe po e mbaj këtë fjalë tani, ka vendosur që në këtë gjyq i cili zhvillohet nesër, të mos jetë më palë me kompaninë “Gener 2”, por të respektojmë vendimin e Komitetit të Digave i cili kërkon që kjo leje të anulohet.
Kjo është arsyeja pse nesër, Bashkia e Tiranës do të shkojë në gjykatë si palë me Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të kundërshtuar këtë leje. Ndërkohë që sot kanë ndodhur disa gjëra totalisht të pakëndshme, të paligjshme dhe që fyejnë inteligjencën dhe vullnetin e qytetarëve të Tiranës. Bashkia e Tiranës, Avokatura e Shtetit, IKMT dhe IMT i kanë kërkuar gjykatës, duke ditur se kemi prova të pakundërshtueshme që familjarë të ndërtuesve, të njerëzve që janë aksionerë në kompaninë ATU dhe “Gener 2”, janë po ata që do të gjykojnë nesër çështjen për lejen, janë gjyqtarë të cilët sapo janë caktuar nga Presidenti i Republikës posaçërisht për këtë gjyq, në këtë trupë që është e blinduar me familjarët e tyre, bëmë një kërkesë për ndryshimin e trupës gjykuese në gjykatë.
Në një kohë që nuk është shpallur data dhe ora e gjyqit dhe nuk janë njoftuar palët, një gjyqtare në fshehtësi ka marrë vendimin për të rrëzuar kërkesën për ndërrimin e trupës gjykuese, pa i dhënë mundësi palës që e kërkon ndryshimin e trupës të japë argumentet e saj. Kjo është e paprecedentë dhe ky është një argument më shumë se pse është emergjente dhe ulëritëse nevoja për reformën në drejtësi, për një drejtësi ku imagjinoni, institucioni më i fuqishëm i qytetit që është Bashkia e qytetit nuk dëgjohet, nuk ftohet si palë dhe nuk njoftohet për datën, imagjinoni se çfarë ndodh me pronat e qytetarëve, se çfarë ndodh me padrejtësitë që u shkelen qytetarëve, se çfarë ndodh me gjithë qytetarët që kërkojnë ashtu si Bashkia e Tiranës të drejtën e tyre.
Kur një bashki dhe institucioni më i votuar në këtë qytet nuk arrin dot të ketë një seancë të ndershme, nuk paragjykojmë vendimet, por të paktën të ketë një seancë që siç e konfirmuam me kancelerinë, sipas ligjeve, nenit 75, duhet të shpallet data. Në fakt nga dita që e morën kërkesën tonë për këtë gjykim deri kur dhanë vendimin kaluan vetëm pak orë. Brenda pak orësh u bë gjyqi dhe u mor një vendim që të mos e konsiderojë vendimin e Bashkisë.
Kjo na çon në një situatë kritike nesër. Për sa kohë që këta ishin të fuqishëm, që ky gjyq të kalonte radhën, pra në vend që të fillojë me gjyqet e 2013, 2014, fillon me gjyqet e 2015, për sa kohë këta kishin fuqinë, të bënin gjyqe të panjoftuar e të pashpallura me datë e pa njoftuar palët, ju garantoj që e kanë edhe fuqinë nesër që ta “kopsisin” si deri më tani vendimin e gjyqit për të lejuar ndërtimin e pallatit tek liqeni.
Në këtë situatë, kur gjyqësori në Shqipëri ka rënë dhe nuk i garanton askujt të drejtën të dëgjohet në gjykatë dhe t’i thotë këto prova përpara një gjykatësi, nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveçse të ftojmë të gjithë qytetarët nesër në orën 11:00, në Gjykatën e Apelit Administrativ që gjendet aty ku ka qenë Ministria e Mjedisit, në rrugën e Durrësit. Kush ka vendosur që të rrisë fëmijët në këtë qytet, nesër në orën 11:00 duhet të jetë përpara gjykatës, kush i thotë vetes ambientalist, kush i thotë vetes shoqëri civile, ja ku e kanë provën e besnikërisë ndaj idealit për të qenë shoqëri civile dhe për të mbrojtur një kauzë që nesër, sipas gjithë gjasave, do të bëhet realitet nga një gjykatë që tashmë është e kompromentuar.
Unë kam disa ditë që dal në media dhe bëj një apel publik: Presidenti i Republikës të prononcohet; ish - Kryeministri që banon dhe shkon në zyrë në pronat e këtij ndërtuesi të prononcohet; ish - kryetari i Bashkisë që sot drejton PD dhe kinse kërkon reformë në drejtësi të prononcohet. Fakti që kanë kaq ditë që heshtin, i bën fajtorë. Fajtorë për vendimin e nesërm është Bujar Nishani, Sali Berisha, Lulzim Basha. Unë nuk kam turp t’i thërras në emër ata njerëz që shkatërruan Shqipërinë kur e kishin pushtetin në qeveri e Bashki, nga ata njerëz që ndonëse janë në opozitë kontrollojnë gjyqësorin në mënyrë të pacipë, kur familjarët e tyre nesër do të vendosin se si do të shembet diga e Liqenit dhe shkatërrohet Parku i Tiranës.
Për të gjithë ata që bënë gurgulenë për këndin e lojërave që do të hapet për dy javë dhe siç e shihni, është afër fundit dhe nuk ka as kafe apo ndërtesa për interesin e askujt, por po merr kornizat e një parku lojërash për fëmijë, nesër kanë provën me opinionin publik, që nëse janë realisht ambientalistë dhe besojnë në këto kauza, nesër duhet të jenë aty. Përpara Gjykatës së Apelit Administrativ duhet të shkojë çdo familje, të gjithë qytetarët që kanë vendosur që të jetojnë në Tiranë dhe qytetarët që besojnë se Tiranë po shkon në drejtimin e duhur, që nesër të bashkohen me Bashkinë e Tiranës në orën 11.00, tek ish-Ministria e Mjedisit, në rrugën e Durrësit, për të protestuar dhe për t’u thënë gjyqtarëve se kjo nuk do të shkojë pa ndëshkuar.
Nëse kjo do të ndëshkohet prej reformës në drejtësi, nëse ndëshkimi do të vijë prej apelit që ne do i bëjmë KLD, për të disiplinuar gjyqtarin e sotëm që bëri gjyq pa njoftuar datë dhe palët, gjyqtarët e nesërm që sipas gjithë gjasave kaluan radhën, bashkuan dy gjyqe dhe kanë provuar deri tani se nuk pyesin përpara një investimi, përpara një fitimi 220 milionë euro, nuk pyesin për një milionë qytetarët e Tiranës, ndëshkimi për ta do të vijë, nëse do të merret një vendim kundër interesit të qytetit.
Ky nuk është kërcënim, ky është premtim. Premtimi im publik është sot: Sa të kem jetë dhe sa të jem i angazhuar publikisht, dhe sa të jem i votuar nga qytetarët e Tiranës, do mbroj interesin e qytetarëve të Tiranës, ndaj u bëj thirrje gjithë qytetarëve që nesër në orën 11:00 të jemi dëshmitarë të kësaj maskarade dhe ta ballafaqojmë vendimin e nesërm me qëndrimin e heshtjes së turpshme të Bujar Nishanit, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.
PYETJE: Ku i bazoni ju fjalët se ka ndërhyrje sa i përket vendimit që do të japë gjykata? E dyta, kjo thirrje është një lloj presioni ndaj vendimit të gjykatës?
Aspak! Ajo që po bëj është të ftoj qytetarët të një gjyqi që është në fakt i paralajmëruar. Nëse ju kërkoni prova, atëherë po ju jap prova. Nëse një familjar i juaji që në vitin 2013 ka apeluar llogarinë e pensionit të vet, llogarinë e rrogës së vet, një shkelje administrative, sot nuk ka datën e gjyqit dhe krejt papritur njerëz të thjeshtë që kanë që nga viti 2013 që presin këtë Gjykatë Apeli nuk respektohet data në gjyq, por krejt papritur, gjyqi i fundit i 2015 gjykohet i pari. Fakti që këta kanë fuqi të ndryshojnë radhën e gjyqeve do të thotë që kanë fuqi të marrin edhe vendimet që duan në gjyq; fakti që kanë fuqi të bëjnë një shkelje si kjo e sotmja ku as në Kancelari, as në web-site, as në shpalljet publike nuk njoftohet data, nuk njoftohet fare.
Ne, para disa orësh bëmë kërkesën, si u bë gjyqi? Duhet të jetë gjyqi më i shpejtë në historinë e Shqipërisë, ku merret kërkesa dhe printohet menjëherë vendimi?! Nuk kaluan as disa orë nga protokollimi i kërkesës dhe u morr vendimi. Kur unë shikoj gjurmët, sigurisht që kuptoj edhe ujkun dhe gjurmët e kësaj shkelje janë aq ashiqare dhe janë bërë me aq pakujdesi, sa që provojnë se kjo është një gjykatë kriminale dhe kjo është një sjellje kriminale ndaj qytetit.
Unë e kuptoj, kur dikush do të fitojë 220 milionë euro në zemër të liqenit të Tiranës, sigurisht që i interesonte që në muajt përpara këtij vendimi të bëjë një gurgule për parkun e lojërave, të hiqej vëmendja nga ajo që është realisht gjëma tek liqeni, të gjenden disa njerëz që ndoshta naivisht besuan se Bashkia do të bënte hatanë dhe siç u provua Bashkia nuk bëri as kafe, nuk preu pemë, përkundrazi po merr kornizat e këndit të lojërave dhe të mobilizohet një parti politike në këtë lloj beteje, sigurisht që janë shenja që unë nuk mund të sillem si naiv dhe të bëj sikur nuk i shoh.
Provat, konkretisht tek ngjarja e sotme. Nëse sot do të kishim marrë një datë në gjykatë, për të paraqitur se pse dy kushërinj nuk mund të jenë edhe i gjykuari, edhe gjyqtari, nuk ndodh kjo, është nepotizëm dhe mjafton të shihni sot edhe në QKR edhe mediat tuaja e kanë kuptuar se si dy familjarë kanë të njëjtin mbiemër, janë të lidhur dhe është e provuar kjo, se si janë të lidhur me njeri tjetrin, njëri shkon të mbrojë lejen dhe tjetri të japë nesër vendimin për lejen. Pasi kanë parë gjithë këto shenja, do të ishte mëkat të mos paralajmëronim publikun se çfarë do të ndodhë nesër.
E thashë edhe njëherë. Nuk është kërcënim, është premtim që unë nesër do jem i pari aty dhe do shoh se si kryetari i Bashkisë si të gjithë qytetarët e Shqipërisë fundja poshtërohet nga një gjykatë që nuk respekton as datë, as të drejtë, as faktet. Është një gjykatë e cila shpall tender, Bashkia nuk ka ato lloj parash, por as është e ligjshme që Bashkia të paguajë dhe në një tender ku ofrohet vetëm ai që ka para, sigurisht që ai fiton gjyqin.
Deri tani kanë arritur të fitojnë datën jashtë radhe, të bashkojnë dy gjyqe në një seancë në një datë dhe kanë arritur të refuzojnë pa njoftim ndryshimin e trupës gjykuese. Na kanë dhënë të gjitha provat, me paturpësi ekzemplare që këta e kanë “kopsitur” këtë çështje. Nëse sot kemi heshtje, heshtja të bën fajtor. Nëse sot Bujar Nishani hesht, është fajtor, është njeriu që me dorë caktoi këtë Kolegj. Nëse sot Lulzim Basha hesht, hesh se është fajtor se me dorën e tij shkoi e firmosi. Nëse Berisha është sot i heshtur, është se është fajtor, jeton në shtëpinë e tij dhe shkon në zyrën e tij.
Krejt papritur këta tre njerëz që pretendojnë të kthehen prapë nga fiku ku kanë rënë, janë ata njerëz që edhe pse janë në opozitë, kanë tentakulat e tyre në pushtetin gjyqësor dhe të shkatërrojnë një front në mes të Tiranës. Kush është i velur me gjithë këtë teatër këta muaj, me demek ambientalistë e dhëndurë që nuk ia dinë fare për mjedisin sepse dhanë ato leje që dhanë kanë nesër shansin të vijnë në orën 11:00 dhe të shohin se si gjykata e cila refuzoi të dëgjojë popullin e vet në sallë, le të dëgjojë popullin e vet në rrugë! Nuk është kërcënim, është premtim se unë kësaj historie do i shkoj deri në fund. Edhe gjyqtarja e sotme që bëri seancë pa palë dhe të panjoftuar, edhe gjyqtarët nesër, kushërinjtë e atyre që po bëjnë pallatin, do shkojnë para drejtësisë. Drejtësia mund të vonojë, por do të vijë. Besoj se sot kemi një provë të jashtëzakonshme për reformën në drejtësi, e cila poshtëron qytetarët si ky shembull që ju dhashë sot, përditë i poshtëron dhe nëse dikush nuk paguan tenderin e këtyre, sigurisht që humbet. Tendera e ankande nuk duhet të ketë më në Shqipëri, një vend që do të shkojë drejt Evropës, të bëhet pjesë e familjes evropiane nuk duhet t’i kthejë togat e zeza në tregtarë e pazare të drejtësisë.
Për sa kohë shumica e Tiranës vendosi që ky të ishte drejtimi i duhur, që të anuloheshin ato ndërtime, dhe shumica e qytetit përkrah këtë lloj zhvillimi që po i japim Tiranës e këtë lloj energjie të re, unë besoj se edhe nesër shumica do ta mbështesin lëvizjen qytetare që do u kërkojë gjyqtarëve të japin drejtësi, të largohen kushërinjtë nga bankat, të largohet konflikti i interesit.
Një reformë drejtësie është sot më ulëritëse, urgjente se kurrë më parë. Besoj se kjo reformë do të heqë një herë e mirë kushërinjtë nga bankat e gjyqtarëve dhe kjo reformë do të na japë për herë të parë një reformë të vërtetë ku nuk gjykohemi në varësi të parave që kemi për të korruptuar gjyqtarin apo mbiemrit që kemi si nepotizëm ndaj atij që gjykohet, por të gjykohet për fakte dhe të drejta. Populli i Tiranës ata të tre nuk do i falë më dhe drejtësia mund të vonojë, por nuk do të harrojë. T’i vënë gishtin kokës dhe të respektohet vendimi i Komitetit të Digave, aty nuk ndërtohet se përmbytet Tirana. Nëse nuk e bëjnë këtë, sigurisht që do kenë pasoja. Nuk është kërcënim, është premtim.