Sipas njoftimit zyrtar të Institutit të Statistikave, publikuar dje, eksportet shqiptare u rritën me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tetë muaj, eksportet shqiptare kanë arritur në afro 177 miliardë lekë, 13% më shumë krahasuar me tetëmujorin e vitit të kaluar.
Rritja e eksporteve këtë vit po udhëhiqet sidomos nga rritje e lartë në grupin “materiale ndërtimi dhe metale”. Eksportet e këtij grupi janë rritur me 40% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, grupi me peshën kryesore në eksporte ngelet i “tekstileve dhe këpucëve”, që zë afro 44% të vlerës totale të tyre.
Eksportet e këtij grupi u rritën sërish për gushtin, ndërsa për gjithë tetëmujorin rritja është afro 9%.
Ndërkohë, grupi tjetër me rëndësi për ecurinë e eksporteve në vitet e fundit “minerale, lëndë djegëse, energji”, ende nuk arrin dot një rimëkëmbje të qëndrueshme. Eksportet e këtij grupi pësuan rënie gjatë gushtit, ndërsa për 8-mujorin ato ruajnë një rritje të papërfillshme kundrejt vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për gushtin deficiti tregtar u zgjerua me 3% ndaj të njëjtit muaj të vitit të kaluar. Për tetë muaj, deficiti në këmbimin e mallrave arriti në 223 miliardë lekë, rreth katër miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2016-ës. Përcaktues në zgjerimin e deficitit është tendenca në rritje e importeve që në gusht u rritën me 6%. Në tetë muaj, Shqipëria ka importuar mallra në vlerën e 400 miliardë lekëve, 6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Inspektime të përbashkëta AMF-Tatime tek siguruesit
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ushtrojnë kontrolle të përbashkëta pranë kompanive të sigurimit, si dhe subjekteve të tjera nën mbikëqyrje.
Kjo përfshihet në një marrëveshje të re bashkëpunimi të nënshkruar mes AMF dhe Tatimeve, duke vendosur si fokus kontrollin e shpenzimeve të kompanive, policat e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, si dhe ligjshmërinë e veprimtarisë së subjekteve nën mbikëqyrjen e AMF-së.
Objekt i inspektimeve të përbashkëta do të jenë zbatimi i dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e tregjeve financiare në mbikëqyrje, ligjshmërinë e kryerjes së shpenzimeve nga ana e shoqërive të sigurimeve, policat e sigurimit të detyrueshëm, etj.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com