​Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta

Të nderuar kolegë deputetë,
 
Të nderuar ministra,
 
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
 
Të dashur drejtues të klerit në vendin tonë,
 
Të dashura Motra të Urdhrit të Nënë Terezës që na nderoni sot këtu,
 
Hapja e këtij sesioni të ri parlamentar përkon me një moment kur të gjithë shqiptarët në mbarë globin kanë ndjerë krenarinë dhe frymëzimin e jashtëzakonshëm nga ngjarja madhështore e shenjtërimit të Nënë Terezës.
 
Me thjeshtësinë e qenies dhe me madhështinë e veprës së saj, Nënë Tereza është ngritur në piedestalin e figurave më të shquara, jo vetëm të kishës katolike, por edhe të historisë së njerëzimit në tërësi.
 
Kjo humaniste e jashtëzakonshme me shtat të vogël, por me zemër të madhe, bëri që mbarë bota të njihte shpirtin e saj të madh, të gjerë dhe të pafund të dashurisë.
 
Ky personalitet i fuqishëm, fitoi admirimin dhe respektin me përmasa gjithëbotërore, duke u përçuar mesazhin se mjafton një kurajo, guxim, besim, mirëkuptim dhe vullnet për të kryer vepra që çlirojnë dashuri dhe harmoni, zbusin plagët dhe dhimbjet dhe mbjellin qetësi në trup dhe në shpirt.
 
Nënë Tereza është bërë simbol i ndihmës për më të varfrit e të varfërve, të cilëve ajo i kushtoi jetën e saj. Një njeri me solidaritet të pashoq me të pamundurit dhe të përjashtuarit. Për veprën misionare dhe humanitare të saj, ajo do të nderohej në vitin 1979 me çmimin Nobel të Paqes.
 
Nderimi i Nënë Terezës është nder dhe vlerësim për Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar.
 
Data 4 shtator 2016 do të shënohet në Kalendarin Apostol, si dita e shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës, krenari e ligjshme kjo për çdo shqiptar kudo ku jeton dhe punon në mbarë botën. Përgjegjësia jonë është të reflektojmë dhe të përçojmë mesazhin e Shenjtores Nënë Tereza në jetën dhe në aktivitetin tonë të përditshëm.
 
Të mësojmë nga humanizmi i saj për të humanizuar edhe politikën tonë, për ta sjellë atë më pranë njerëzve dhe në mbështetje të njerëzve të thjeshtë. Për ata që vuajnë më shumë dhe që presin nga ne që të jemi më njerëzor dhe më pranë halleve të tyre.
 
Me këtë rast, urimi vjen për një fillim të mbarë të punëve që na presin për përmbushjen me sukses të reformave që kemi nisur.
 
Së pari, për të ecur me finalizimin e reformës në sistemin e drejtësisë, për miratimin edhe të projektligjeve të tjera prioritare, përveç atij të vettingut që do t’i hapë rrugë zbatimit të plotë të dispozitave të reja të Kushtetutës që miratuam me konsensus të plotë në 21-22 korrik të këtij viti.
 
Finalizimi i reformës në drejtësi merr rëndësi të veçantë edhe në kuadër të detyrimeve që vendi ynë ka për procesin e integrimit në Bashkimit Europian, si dhe në përmbushje të detyrimeve prioritare të përcaktuara për marrjen e një rekomandimi pozitiv nga Komisioni Europian, por edhe Këshilli për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
 
Po kështu ky sesion që po fillojmë sot duhet të ecë përpara dhe të përmbyllë edhe reformën për procesin zgjedhor.
 
Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore duhet të fillojë të nxjerrë frytet e para të punës për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it si dhe në bashkëpunim me të gjithë aktorët e shoqërisë civile dhe të institucioneve të interesuara për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të standardeve më të larta europiane.
 
Njëkohësisht, në fokus të punës së këtij sesioni do të vijojnë të jenë proceset integruese të vendit në Bashkimin Europian, në kuadër të përmbushjes së detyrimeve për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit tonë ne Bashkimin e Europian.
 
Ndaj komisionet parlamentare besoj se do të vijojnë që të kenë prioritet angazhimet që vendi ynë ka ndërmarrë në këtë proces për të vijuar me të gjitha detyrat serioze për mbikëqyrjen dhe monitorimin edhe të reformave të tjera kyçe për procesin e integrimit europian. I uroj këtij sesioni parlamentar një fillim të mbarë pune për realizimin e këtyre reformave, për një bashkëpunim sa më konstruktiv të të gjithë forcave politike që përfaqësohen në Kuvendin tonë.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?