Në një konferencë të biznesit me temë “Inovacioni në projektim për zhvillimin e infrastrukturave të qëndrueshme”, kanë dalë në pah segmentet kryesore të infrastrukturës, që janë planifikuar të ndërtohen në vitet në vazhdim nga qeveria. Aktiviteti është organizuar ditët e fundit nga shoqata italiane e organizatave të inxhinierisë, arkitekturës dhe konsulencës tekniko-ekonomike, OICE, në bashkëpunim me Agjencinë Italiane të Tregtisë ICE dhe me mbështetjen e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), duke patur në fokus zhvillimin e infrastrukturës së qëndrueshme në vendin tonë.
 
Rrugët
Përfaqësuesve të bizneseve nga Italia iu është prezantuar programi më i ri i qeverisë “OneBillion”. Në kuadrin e planit të investimeve, me një vlerë të përgjithshme prej 1 miliard eurosh, të financuara nga organizmat ndërkombëtarë dhe buxheti i shtetit në disa vjet, synohet të ndërtohen të paktën kstër akse të mëdha rrugore. Nëpërmjet kësaj skeme pritet të financohet ndërtimi i infrastrukturës kombëtare rrugore në Rrugën e Arbrit, rrugën Kardhiq-Delvinë, aksin Tiranë-Ndroq-Plepa, si dhe aksin Thumanë-Vorë-Rrogozhinë.

Gjatë mandatit katërvjeçar të qeverisë Rama, në fakt, janë ndërtuar shumë pak kilometra rrugë e re në rrjetin kryesor kombëtar, ndërkohë që ka patur një theks më të rëndësishëm tek rrugët dytësore. Kjo, në përmbushje të programit ekonomik qeveritar, që vinte theksin përparësor tek ulja e borxhit galopant publik. Rruga e Arbrit praktikisht është e ndërprerë, pasi janë realizuar vetëm disa nga segmentet më të lehta për t’u ndërtuar, ndërkohë që mbeten ende pa u prekur ato, ku parashikohen tunele apo ura të mëdha. Realizimi i saj është, ndërkohë, edhe një premtim i qeverisë për të modernizuar aksin drejt Matit dhe Dibrës, deri në Maqedoni, duke kontribuar në zhvillimin e një zone që nuk favorizohet nga infrastruktura.

Ndërkohë, rruga nga Kardhiqi në Delvinë shkurton shumë daljen në Sarandë nga aksi kryesor i Jugut (Gjirokastër), pa dalë në Rivierë. Aksi nisi të realizohej nga qeveria Berisha, e cila e braktisi krejtësisht edhe punë e bërë, që duhet bërë, në shumë raste, nga e para.

Rruga e Ndroqit gjithashtu shkurton shumë trafikun drejt plazhit të Durrësit dhe Jugut të vendit, duke lehtësuar edhe autostradën aktuale Tiranë-Durrës. Në të nuk është vënë dorë prej vitesh dhe rruga është në gjendje skandaloze.

Sa i përket aksit të ri nga Thumana në Rrogozhinë, ky është një projekt i gatshëm në letër dhe i hëdhur për zbatim që para 12-13 vjetësh, por i lënë vazhdimisht në harresë më pas. Segmenti shkurton shumë rrugën nga aksi i Veriut në atë të Jugut, duke anashkaluar Durrësin dhe Kavajën, si për automjetet që vijnë nga Kosova apo Shkodra psh, ashtu edhe ato nga Tirana.
 
Projektet
Kompanive të huaja iu është thënë nga përfaqësuesit e shtetit shqiptar se Shqipëria paraqet mundësi të shumta për sipërmarrjet italiane, veçanërisht në fusha të tilla si projektet në infrastrukturë, transport, energji, mjedis etj. Në vëmendjen e sipërmarrësve italianë është sjellë edhe fakti që Shqipëria, ashtu si edhe rajoni, është pjesë e të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit”, i cili ka si synim ndërlidhjen më të mirë të rajonit me Bashkimin Europiane.
 
Hekurudha
Ndërkohë, edhe transporti hekurudhor shqiptar është ofruar si një fushë e mundshme investimesh, duke përmendur linjat më të rëndësishme, që kanë nevojë urgjente për modernizim: Durrës-Tiranë- Vorë-Shkodër-Hani i Hotit e Durrës-Elbasan-Lin-Maqedoni, si dhe linjat e reja Shqipëri-Kosovë dhe Shqipëri-Greqi, që i përkasin perspektivës.

Borxhet
Infrastruktura kaloi në plan të dytë sipas programit ekonomik qeveritar, që vinte theksin tek ulja e borxhit galopant publik
 
Rrugët
Gjatë mandatit katërvjeçar të qeverisë Rama, në fakt, janë ndërtuar shumë pak kilometra rrugë e re në rrjetin kryesor kombëtar, ndërkohë që ka patur një theks më të rëndësishëm tek rrugët dytësore
 
Akset
Investitorëve u janë prezantuar këto ditë mundësitë për të ndërtuar rrugën e Arbrit, segmentin nga Kardhiqi në Delvinë, Tiranë-Ndroq-Plepa, si dhe dhe ai nga Thumana në Vorë e më pas në Rrogozhinë 
 
Hekurudha
Ndërkohë, edhe transporti hekurudhor shqiptar është ofruar si një fushë e mundshme investimesh, duke përmendur 4 linja të rëndësishme. 

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com