Këtu ku gjëmon vallja”, Festivali Mbarëkombëtar i Këngës Folklorike Shqiptare ka mbërritur në natën e tij të dytë në qytetin e Vlorës. Një aktivitet që përmes këngës, valles dhe traditave popullore sjell në vëmendje vlerat më të mira të trashëgimisë sonë kulturore, duke bashkuar artistë dhe grupe folklorike nga të gjitha trevat shqiptare.

Në edicionin e tij të parë, festivali zhvillohet në Vlorë në kuadër të 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe festave të Nëntorit, duke i dhënë qytetit një tjetër dimension artistik dhe kulturor në këto ditë festive.

Përmes interpretimeve muzikore, valleve karakteristike dhe kostumeve tradicionale, festivali synon të ruajë, promovojë dhe përcjellë nga brezi në brez identitetin kombëtar dhe pasurinë e folklorit shqiptar.

Dhjetë grupe folklorike nga trevat shqiptare, nga Prizreni, Prishtina, Çamëria, Ulqini, Shkupi dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë, kanë sjellë një atmosferë të veçantë në skenën e Teatrit “Petro Marko”, përmes interpretimeve dhe performancave të tyre artistike.

Në përfundim të festivalit, të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikata vlerësimi për kontributin e tyre në këtë edicion të parë mbarëkombëtar. Ndërkohë, juria e përbërë nga Sejmen Gjokoli, Guri Gjeci dhe Skënder Spahiu vlerësoi interpretimet më të mira, duke ndarë edhe çmime të veçanta.

Çmimi special për kostumin më të bukur iu dha grupit “Kruja Folk”, ndërsa çmimi për kostumet tradicionale shkoi për “Trojet Tina” nga Ulqini. Valltari më i mirë u shpall Nardi Qafleshi nga Prizreni, ndërsa titullin e valltares më të mirë e mori Sumela Hajdini nga Prishtina. Çmimi për ansamblin më të mirë dhe fituesin e edicionit të parë të festivalit e rrëmbeu ansambli “Shqiponjat” nga Shkupi.

Drejtoresha e Qendrës së Kulturës në Vlorë, Anxhela Kapllani, është shprehur se ky festival solli në skenë vlerat më të mira të këngës, folklorit dhe valles shqiptare, duke theksuar synimin që aktiviteti të kthehet në një traditë të përvitshme në qytetin e Vlorës.

Këtu ku gjëmon vallja” vjen në edicionin e tij të parë, duke bashkuar në Vlorë traditat dhe kulturën e trevave shqiptare. Një aktivitet që synon të vijojë edhe në vitet e ardhshme, duke u kthyer në një takim të përvitshëm artistik në prag të festave të Nëntorit, ndersa ne fund grupet kane dhuruar efhe nje performance fantastike ne rruge.


Lajmi kryesor:

114-vjetori i Pavarësisë, nesër festë e protestë! Qeveria ngre flamurin në Vlorë, PD mbështet tubimin! Protestuesit dy orare për nisjen