Një bulevard në Kamëz ka marrë sot emrin ‘Donald Trump”. Kjo është sërish një vepër e Kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu ndërsa është përshëndetur sot dhe nga kryetari i PD, Lulzim Basha.
“Më mirë emrin e lirisë e demokracisë që përfaqëson Donald Trump sesa emrat e xhelatëve e kriminelëve të komunizmit që mbajnë rrugët e shkollat tona. Se Mziu është njeriu që e do lirinë, demokracinë ndaj e sulmojnë më shumë nga të gjithë”, tha Basha duke shtuar dozen e akuzave ndaj kryeministrit.
"Para disa muajsh me guximin e të korruptuarit, të droguarit dhe të inkriminuarit, Edi Rama vendosi të sulmojë Presidentin amerikan. E bëri këtë i nxitur jo nga interesat kombëtare por ato personale. Dy ditë më parë kur mbarë Shqipëria e mori vesh gjestin tuaj për të emëruar këtë rrugë për presidenti amerikan u hodhën në sulm konet e tij. Harron se ai vetë dhe paraardhësit e tij kanë emëruar rrugët e sheshet e shqiptarëve me emra kriminelësh, me emra xhelatësh dhe emra kriminelësh të vrarë në pusitë e krimit të zi.
Ky njeri që tregohet me gisht nga shqiptarët si njeriu që ngriti karrierën e tij në aleancë më krimin e organizuar, ka guximin të sulmojë vendimin tuaj për t’i dhënë këtij bulevardi emrin e kampionit të lirisë. Kjo tregon se sa e thellë është kriza morale e Edi Ramës. E falënderojmë presidentin amerikan Donald Trump, simbolin e lirisë e demokracisë në Botë. Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët!", theksoi Basha.
Pak kohë më parë Kryetari i Bashkisë Kamëz fitoi vëmendjen e të gjithëve duke e shpallur Donald Trump, ‘Qytetar nderi i Kamzës’.
Por pasi Presidenti i SHBA-ve tashmë ka një cmim për të tërhequr si ‘Qytetar Nderi i Kamzës’, një rrugë rreth 500 metra në Kamëz e ka kthyer në bulevard merr emrin e tij, “Donald Trump”.
Mbetet që ndonjë shqiptar të sinjalizojë këshilltarët e Donald Trump që kryetari Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu ia ka skalitur emrin ne vepra.