Nga një prej policëve të preferuar të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, në pranga. Marko Kriçak, kreu i Drejtorisë së Policisë Kriminale në Serbi, është arrestuar mëngjesin e kësaj të diele, me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimin për shpërdorim detyre.

Sipas medias serbe arrestimi është kryer pas një kallëzimi penal nga avokati i Veselin Miliç, ndihmësdrejtor i policisë.

Kriçak dyshohet se ka falsifikuar prova dhe ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve dhe të akuzuarve në hetimin për vrasjen e Aleksandar Neshoviç Baja, në restorantin “27” në lagjen Senjak të Beogradit.

Ai kishte drejtuar operacionin policor pas vrasjes, ndërsa tani dyshohet se ka ndërhyrë në prova dhe dëshmi për t'i përshtatur faktet me një version të paracaktuar të ngjarjes.

Kush është Marko Kriçak, polici që vlerësohej nga Vuçiçi?

Marko Kriçak u emërua në krye të Drejtorisë së Policisë Kriminale në fund të dhjetorit 2025, duke marrë një nga postet më të rëndësishme drejtuese në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.

Përpara këtij emërimi, ai kishte drejtuar Njësinë për Sigurinë e Personave dhe Objekteve të Caktuara (JZO), një strukturë policore që është përmendur vazhdimisht në lidhje me akuzat për dhunë ndaj protestuesve.

Karriera e tij nisi në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), përpara se të kalonte në Ministrinë e Brendshme. Pas emërimit të Bratislav Gashiç si ministër i Policisë, Kriçak u bë zëvendëskomandant i JZO-së, ndërsa në vitin 2023 mori drejtimin e kësaj njësie.

Sipas “Danas”, Kriçak nisi punën në polici pa kryer asnjë ditë trajnim bazë policor, pasi legjislacioni serb lejon kalimin e punonjësve të BIA-s në polici.

Politikanë të opozitës dhe gazetarë kishin ngritur pikëpyetje për mungesën e trajnimit të tij, si dhe kishin pretenduar se përpara punësimit në BIA kishte punuar si shitës makinash. Ministria e Brendshme serbe i kishte mohuar këto pretendime.

Akuzat për dhunë ndaj studentëve

Emri i Kriçakut është lidhur me disa episode të dyshuara të dhunës policore gjatë protestave studentore në Serbi.

Megjithëse njësia JZO nuk ishte krijuar për ruajtjen e rendit publik, Kriçak dhe efektivët e saj ishin të pranishëm në rrugët e Beogradit gjatë protestave.

Studentja Nikolina Sinxheliç ka dëshmuar publikisht se Kriçak e kishte kërcënuar personalisht me përdhunim dhe e kishte goditur me shuplakë pasi ishte dërguar në garazhin e Qeverisë së Serbisë.

Ajo paraqiti kallëzim penal ndaj tij dhe disa pjesëtarëve të tjerë të njësisë, por sipas “Danas”, hetimi nuk pati përparim të konsiderueshëm.

Ndërkohë, Kriçak ka ngritur së fundmi një padi private kundër studentes.

Ai është lidhur gjithashtu me një video ku dyshohet se ushtronte dhunë fizike dhe i merrte me detyrim një deklaratë një studenti të ndaluar gjatë një proteste në Jagodinë.

Sipas raportimit, edhe brenda Ministrisë së Brendshme serbe, njësia që ai drejtonte përshkruhej nga disa efektivë si “policia brenda policisë”.

Një tjetër episod lidhet me inspektorët Milenkoviç dhe Mitiç, të cilët ruhen nga Njësia Speciale Antiterroriste për shkak të informacioneve se po përgatitej eliminimi i tyre. Më herët, Ministria e Brendshme kishte propozuar që mbrojtjen e tyre ta merrte përsipër JZO-ja nën komandën e Kriçakut, por ata e kishin refuzuar.

Nga vlerësimet e Vuçiçit te arrestimi

Pavarësisht akuzave të shumta, Kriçak u emërua në fund të vitit 2025 në krye të Drejtorisë së Policisë Kriminale, duke marrë nën autoritetin e tij edhe Shërbimin për Luftën kundër Krimit të Organizuar (SBPOK), strukturë që bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë për Krimin e Organizuar.

Kriçak konsiderohej një nga policët e preferuar të presidentit Aleksandar Vuçiç.

Presidenti serb kishte vlerësuar publikisht disa herë punën e tij dhe kishte dekoruar si Kriçakun, ashtu edhe njësinë që ai drejtonte më parë.

Tashmë, drejtuesi i policisë që kishte marrë këto vlerësime përballet me dyshimet për shpërdorim detyre, falsifikim provash dhe ushtrim presioni ndaj dëshmitarëve dhe të akuzuarve në një çështje vrasjeje.