Për lulet janë thurur vargje,janë kënduar këngë; me lule vlerësohen njerëz nëpër konferenca, ditëlindje, përvjetorë; njerëzit krahasohen me lulet; lulet bëhen kurora… por përpara të gjithave këtyre që përmenda më sipër, dikush duhet të kujdeset për lulet, që më pas të flitet për to.

Ky është rasti i djaloshit 10 vjeçar, Anduen Thomait, i cili pasditen ja kushton kujdesjes së luleve, ndërsa paraditen shitjes së tyre. Kjo ndodh gjatë verës, ndërsa kur fillon shkolla, koha e tij është më e kufizuar.

Andueni po ecte Bulevardit Zogu I ose siç njihet rrugës së Trenit në kulmin e nxehtësisë të ditës  me duart e zëna me lule, njëra me luledielli, tjetra me lule astra. Për të lulja e preferuar është astra. Ashtu i shkujdesur, pa u sikletosur nga njerëzit që kalonin pranë tij, Andueni më përshëndet dhe bëjmë së bashku rrugën për tek e ëma e tij, Mirela Thomai, e cila po e priste.

Djaloshi sapo kishte zbritur nga autobusi i Paskuqanit, pasi kishte shkuar në shtëpinë e tij në kopshtin nga ku merrte lulet që ai shiste. I pyetur pse mes luleve nuk gjendej dhe trëndafili, 10 vjeçari shpjegon me detaje për Shqiptarja.com se koha e trëndafilave ka ikur.

”Trëndafilave u ka ikur koha. Këtë periudhë lulet që mbeten janë lulediellit që duan patjetër të rrinë në ujë pasi vyshken, karafilat e vegjël që zgjasin gati dy javë, tërfilat dhe astrat pastaj që preferohen nga kalimtarët se të mbushin duart”, u shpreh Andueni. 10 vjeçari shton se një ndër eksperiencat më të bukura me shitjen e luleve ka qenë teksa ngiste biçikletën. “Më thonë që jam pak mistrec, por mua më pëlqen të punoj. Madje mami nuk do që unë të dal bashkë me të dhe merakoset shumë, por unë e kuptoj që është e vështirë të jetojmë duke shitur vetëm mami lule,” tha Andueni duke buzëqeshur.

Përveç të ëmës, i ati i tij punon si punëtor ndërtimi por të shumtën e kohës është pa punë. Ndaj, prej 6 vitesh Mirela qëndron në një cep të bulevardit Zogu i I duke shitur lule, këtë vit bashkë me djalin e saj. Ndërkohë, Andueni ka edhe dy motra më të mëdha, 18 dhe 15 vjeç, të cilat këtë muaj kanë filluar të punojnë, njëra si shitëse akulloresh, ndërsa tjetra në një furrë buke.

Teksa e ëma më flet për rezultatet e tyre shumë të mira në shkollë, Andueni ndërhyn duke thënë: “Nuk po i shikoj motrat me sy, qëkur kanë filluar të punojnë”. Vështirësia me të cilën po përballet Andueni që në moshë fare të vogël, e ka bërë atë djalë shumë të shkathët dhe të komunikueshëm me njerëzit. Ndaj ëndrra e tij është që kur të rritet të bëhet gazetar,që përveç mundësisë të rrijë në zyrë të ketë edhe kontakt me njerëzit.

”Dua të punoj si ti. Të takoj njerëz të ndryshëm që të dëgjoj historitë e tyre, por më pëlqen të qëndrojë edhe në zyrë. Rrini në zyrë ju?”, pyet me kuriozitet djaloshi 10 vjeçar. Përveç kërshërisë që lexoj në sytë e tij, vë re edhe dëshirën për të mos ndenjur në vend. I gatshëm për çdo dëshirë dhe kërkesë të kalimtarëve.

E ëma e tij, Mirela, rrëfen për Shqiptarja.com se 2 vitet e fundit, është rritur dëshira për blerjen e luleve nga qytetarët, megjithatë sërish njerëzit që i preferojnë më shumë janë moshat e mëdha, rinia më pak.

Ajo thekson se pavarësisht krizës ekonomike, varfërisë së njerëzve, dëshira për blerjen e luleve është shtuar. Edhe pse fitimet nga lulet nuk janë shumë të mëdha, Mirela përpiqet që të plotësojë me aq sa ka mundësi nevojat e fëmijëve të saj, si shpërblim për ndihmën që i japin.

Kur i pyes nëse pranojnë bakshishe, tundin kokën duke mohuar. ”Jo, rrallë shumë rrallë, kur këmbëngulin. Por në përgjithësi jo, madje kur duan të lënë 50 lekë më shumë, ato lekë ua jap lule. Fal shumë në fakt, por më mbarë ma ka bërë zoti”, tregon Mirela. Andueni na jep një mesazh të fortë që na vjen si shuplakë në fytyrë për përtesën apo dembelizmin e treguar ndonjëherë karshi punës.

Për Anduenin kujdesi ndaj luleve nuk është punë por dashuri, dhe këtë e ndan edhe me ne, të panjohurit. Historia e tij është si një ftesë për të gjithë ne, për të gjetur secili dashurinë tonë, e për të punuar për të.

Dashuria për punën
”Trëndafilave u ka ikur koha. Këtë periudhë lulet që mbeten janë lulediellit që duan patjetër të rrinë në ujë pasi vyshken, karafilat e vegjël që zgjasin gati dy javë, tërfilat dhe astrat pastaj që preferohen nga kalimtarët se të mbushin duart”.

Ëndrra e Anduenit
”Dua të punoj si ti. Të takoj njerëz të ndryshëm që të dëgjoj historitë e tyre, por më pëlqen të qëndrojë edhe në zyrë. Rrini në zyrë ju?”.
[gallery]23192[/gallery]

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com