Dorëheqja e 3 gjyqtarëve të deleguar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për dosjen e të ashtuquajturës “Hakmarrja për Drejtësi” është bërë shkak që këtë të hënë ky proces të mos zhvillohet në apelin e Krimeve të Rënda.

Burime për ReportTv bënë me dije se gjyqtarët Agim Bendo, Zamir Poda dhe Fatos Qato të deleguar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në këtë proces kanë kërkuar dorëheqjen me argumentin se e kanë gjykuar më parë mbi këtë dosje.

Në këtë trup kanë mbetur Alaudin Malaj dhe Artur Kalaja dhe në pamundësi të formimit të pesë gjyqtarëve procesi është shtyrë.

Ende nuk dihet nëse KLD do të rimblidhet për të deleguar një trup tjetër gjykuese, e deri atëherë “Hakmarrja për Drejtësi” dhe të pandehurit Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Çaka, Nikolin Novruzaj, do duhet të presin.

Kjo dosja në 12 vite nisur nga 2004 ka kaluar nga Shkalla e parë e krimeve rënda deri në Kushtetuese, për t’u rikthyer tashmë në rigjykim në Apelin e Krimeve aty ku në vitin 2009 nuk u ndryshuan burgimet përjetë dhënë nga shkalla e parë me akuzën e organizatës kriminale, vrasjeve dhe grabitjeve me dhunë.

(d.b/Shqiptarja.com)