​“Karamel” me regji të Shatrollit,
shfaqja e Prishtinës vjen në Tiranë

​“Karamel” me regji të Shatrollit,<br />shfaqja e Prishtinës vjen në Tiranë
“Karamel” është dramë njerëzore e ndërthurur me thupra të absurdit, e vendosur në hulaqë kujtese. Mbase, është metaforë e mendësisë së mullirit të kafes që piqet e digjet brenda gjenezës historike, shprehet regjisori Naser Shatrolli. Teatri “Metropol” në Tiranë më 3 tetor, ditën e shtunë, do të vijojë sezonin artistik me shfaqjen e Prishtinës “Karamel”. Shfaqja me skenar e regji të Naser Shatrollit do të ngjitet në skenë me skenografinë e Mentor U. Berishës, kostumografinë e Shirka Dermakut dhe konsulentët Maj Samadraxha e Ylber Murtezi, ndërsa ndriçimi dhe mjeshtrit e skenës janë të Liman Llazit, Skënder Gergurit, Dashuri Rexhepit e Ekrem Xhakës. Mel e luajtur nga Driada Matoshi, dëshmon forcën femërore, meqë lufton për të shtrirë rrënjët e pemës së saj në sheshin “Nëna Terezë“.

Maksi, i luajtur nga Ismet Azemi, do të ngelet shenjë kujtese për nostalgjikët e radios së vjetër, për hekurudhat e së shkuarës, për “tryezën e begatë” të Jugosllavisë së Titos, për cakrrimën e gotës me verë. Janë këto copëza meditacioni nga autori i shfaqjes që vjen nëpërmjet episodeve. Shfaqja shtrin stacionin e saj hekurudhor brenda binarëve të familjes. Në muret e ndryshkura të familjes do të plasin sherre për të kuptuar kush është babai ideal, kush është vajza ideale në një raport, relacion dhome. Në dhomë do të thuhen e luhen të gjitha. Aty do të piqet e digjet “Karameli” shpirtëror, ëmbëlsira për një kënaqësi reale familjare do të shndërrohet në hidhërim.

Maksi shfaqet në këtë lojë të dyfishtë në raport me punën si hotelier, metaforë e të parit të fronit, në rrethana komunizmi në një qytet të ndëshkuar nga vitaliteti emancipues i vonuar, siç duket në raportet me vajzën e tij Mel. Dhe ja Mel, vajza e vetme do të gjykoj çdo veprim të tij, do të penalizojë jetën e tij, të bëmat e tij, padrejtësitë e tij, dashurinë e tij të rreme, etj. Këto e të tjera gjetje regjisoriale të Naser Shatrollit i japin shfaqjes një natyrë simbolike.  

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rama e deputetët e vjetër të PS në lista të hapura, është vendimi i duhur?



×

Lajmi i fundit

'Komplimenta Gjeorgjisë, por barazimi do ishte më i duhuri', Sylvinho: Në tetor tentojmë kalimin e grupit

'Komplimenta Gjeorgjisë, por barazimi do ishte më i duhuri', Sylvinho: Në tetor tentojmë kalimin e grupit