Këngëtarja me famë botërore, Lady Gaga, ka anuluar koncertin në Rio dhe ka përfunduar në spital, pasi vuante nga “dhimbje të rënda fizike”. Gaga do të shfaqej në Brazil të premten, për një koncert, por ka njoftuar në rrjetin e saj Instagram se do të tërhiqej, pasi zbuloi se vuante nga fibromyalgia. 

"Lady Gaga vuan nga dhimbje të rënda fizike, që kanë ndikuar aftësinë e saj për të marrë pjesë në koncert. Si rezultat, ajo fatkeqësisht duhet të tërhiqet nga performanca e Rock In Rio të premten", thuhej në deklaratë.
Ndërkohë, vetë këngëtarja iu ka drejtuar një mesazh fansave në Brazil për mungesën e saj, teksa shkruan se ndjehet e shkatërruar dhe nuk mund të marrë pjesë. 

"Brazili, unë jam e shkatërruar që nuk jam mirë për të ardhur në Rock In Rio. Do të bëja gjithçka për ju, por tani duhet të kujdesem për trupin tim, kërkoj mirësinë dhe mirëkuptimin, dhe premtoj se do të kthehem për ju së shpejti, më vjen keq dhe unë ju dua kaq shume”, shkruan ylli i pop-it. 

Ajo, gjithashtu, postoi një foto ku tregonte një tatuazh në pjesën e pasme të qafës, në të cilin shkruhej “Rio”. 

"Unë u dërgova në spital, jam me dhimbje të forta, por jam në duar të mira me mjekët më të mirë. Ju lutem mos harroni dashurinë time për ju”, shton më tej këngëtarja.

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com