“Nuk duroja dot më, më falni, e humba toruan". Këto janë fjalët e 73-vjeçarit Marino Tripodi nga Sanremo, i cili gjendet në qeli në Imperia, ku do të qëndrojë deri në përfundim të hetimeve. Dje pasdite, Tripodi shtiu disa herë me pistoletë kundër dy vëllezërve shqiptarë, qiraxhinj të tij, duke plagosur në krah njërin, 35-vjeçarin  Mario Boçi, i cili më pas ia mbathi me makinën e tij, një Renault Twingo. Do t'i duhen njëzet ditë për t'u shëruar. Vëllai tjetër është Altin Boçi, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në lagjen San Lorenzo.
 
Pensionisti italian, me disa precedentë, u ndalua pak më vonë nga karabinierët, të cilët shkuan në vendngjarje. 73-vjeçari nuk bëri rezistencë dhe pranoi që kishte shtirë kundër dy shqiptarëve. Sipas tij e kishin kërcënuar: “Plakush muti, do të bëjmë copa e do të hedhum në koshin e plehrave".
 
Karabinierët gjetën armën të hedhur në rrugë, një pistoletë e kalibrit 7.65, me numrin të fshirë, me të cilën kishte shtirë të paktën gjashtë herë. Tripodi, i arrestuar tashmë, nuk kishte leje për mbajtjen e armës dhe mbi të rëndon akuza e vrasjes së mbetur në tentativë.
 
Nga të dhënat e para, del se dy vëllezërit shqiptarë kishin marrë me qira, në të zezë, apartamentin dhe prej muajsh nuk e kishin paguar të zotin. Grindja për qiranë e papaguar degjeneroi në të shtëna me armë dhe plagosjen e njërit prej vëllezërve.
d.i./Shqiptarja.com