Avioni i presidentit të SHBA preku të premten tokën keniane. Është hera e parë që Obama viziton atdheun e babait të tij si njeriu më i fuqishëm i botës. Kenia kishte vënë në dispozicion rreth 10.000 forca policie për të garantuar sigurinë e presidentit amerikan, ndërkohë që ishin bllokuar akset kryesore të vendit.

Obama në një fjalim të mbajtur që në ditën e parë në Nairobi ka vlerësuar potencialin ekonomik të Afrikës.

“Afrika është në lëvizje ... Njerëzit janë duke u ngritur nga varfëria, të ardhurat janë rritur dhe klasa e mesme po fuqizohet, "tha ai një takim biznesi. “Afrika duhet të jetë qendra e rritjes ekonomike globale", u shpreh Obama përpara biznesmenëve dhe ndërmarrësve të rinj duke shtuar se qeveritë duhet të kontribuojnë në uljen e korrupsionit.

Presidenti amerikan më pas tha se Kenia ka bërë "tepër progres" që nga vizita e tij e fundit "Kur isha këtu në Nairobi 10 vjet më parë, dukej shumë ndryshe nga ajo që duket sot," u shpreh ai.

Ndër të tjera Obama pritet të zhvillojë bisedime dypalëshe me Presidentin e Kenias, Uhuru Kenyatta rreth çështjes së sigurisë si dhe do të vizitojë edhe qendrën përkujtimore, në vendin ku ambasada amerikane u shkatërrua ne 98 nga një sulm terrorist i Al Qaedas ku mbetën të vdekur më shumë se 200 njerëz.

Autokolona e presidentit amerikan u shoqërua me brohorima nga turma të mëdha njerëzish që kishin dalë për ta pritur, ndërsa mediet lokale e quajtën këtë vizitë si kthim në shtëpi.