Në një konferencë për shtyp nga zëdhënësja e Presidentit, Brikena Arapaj tha se kreu i shtetit mund të kontribuojë për zgjidhjen e krizës, duke i bërë apel kryeministrit të tregojë kujdes me retorikën e adresuar ndaj Kreut të Shtetit.
“Askush nuk mund të fyejë dhe keqpërdorë dinjitetin e institucionit më të lartë të shtetit të shqiptarëve. Institucioni i Presidentit i bën thirrje palëve të ulen në tryezë me axhendë serioze”, tha zëdhënësja e Nishanit duke iu referuar deklarates së sotme të Ramës.
Rama tha se ia besoi dhe iu pergjigj pozitivisht tryezës se dialogut dhe Presidentit Nishani, pavarësisht rezervave që ka ai për këtë të fundit.
“E kam treguar gatishmërinë për nismën e presidentit për dialog, dhe pavarësisht për rezervat e mëdha që kam për qëndrimet e Presidentit Nishani kur vendi kishte nevojë për paanshmërinë e tij, por pavarësisht vullnetit të mirë të Nishanit, mesa duket dhe nisma e tij nuk po sjell sukses për ta bindur Bashën të ulet në tryezë edhe përse i është lënë atij dorë e lirë cfarë do të diskutojë në tryezë”, tha Rama.
DEKLARATA E PLOTE
Institucioni i Presidentit të Republikës shpreh keqardhjen për adresimet e sotme me sfond politik të Kryeministrit ndaj angazhimeve dhe përmbushjes së funksioneve kushtetuese të Presidentit të vendit.
Në asnjë rast dhe asnjë rrethanë Presidenti i Republikës nuk ka shfaqur dhe nuk ka ushtruar tagrin e tij kushtetues në mënyrë të njëanshme në favor të një pale politike apo me qëllime politike.
Për fatin e trishtë të demokracisë shqiptare dhe në dëm të përpjekjeve për të konsoliduar një kulturë politike civilizuese dhe evropiane, ka qenë Kryeministri i vendit, i cili ka sulmuar dhe shantazhuar në mënyrë të njëanshme dhe sistematike Institucionin e Presidentit të Republikës.
Kemi shprehur në vijimësi shqetësimin ndaj kësaj platforme politike për të delegjitimuar Institucionin e Presidentit të Republikës dhe kultivimit të modeleve autoritariste në raportet e ndarjes dhe balancimit të pushteteve si një parim fondamental dhe i pamundshëm për t’u ndryshuar në Shqipëri.
Presidenti i Republikës ka ofruar vullnetin e tij dhe është angazhuar për të krijuar të gjitha kushtet e nevojshme dhe realizimin e një dialogu politik midis maxhorancës dhe opozitës.
Por askush nuk mund të fyejë dhe të keqpërdorë seriozitetin e vullnetit dhe angazhimit, dinjitetin dhe inegritetin e Institucionit më të lartë të Shtetit të shqiptarëve.
Presidenti i Republikës i vlerëson si shumë të rëndësishme rekomandimet teknike të OSBE/ODIHR-it për Kodin Zgjedhor, por këto janë çështje për diskutim dhe zgjidhje në tavolinën e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore dhe jo e agjendës presidenciale për tejkalimin e krizës politike në vend.
Institucioni i Presidentit të Republikës u bën edhe njëherë thirrje palëve të ulen në tryezën e dialogut me axhendë serioze dhe të gjithëpranuar duke u larguar nga retorika pa produkt, në shërbim të çtensionimit të situatës dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj qytetarëve shqiptarë për të pasur mundësinë të votojnë të lirë në zgjedhjet e ardhshme politike në vend.
Rama i përgjigjet Nishanit: Keqardhje, provuat se s'jeni i paanshëm
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratës së Presidencës sa i takon komenteve të kreut të qeverisë ndaj Bujar Nishanit, për tryezën e dialogut të forcave politike.
Përmes një reagimi në Facebook, Rama theksoi se Nishani provoi se nuk është i paanshëm. Shefi i ekzekutivit përsërit sërish se është i gatshëm për dialog pa kushte.
"Z.President ju meritoni gjithë keqardhjen time për sa sapo thatë!Prapë provuat që nuk jeni dot i paanshëm!Unë jam gati për dialog.Pa kushte", shkruan kryeministri Edi Rama.
(d.b/Shqiptarja.com)