​SHBA thirrje opozitës: Merrni
pjesë në zgjedhjet parlamentare

​SHBA thirrje opozitës: Merrni<br />pjesë në zgjedhjet parlamentare
Pas Bashkimit Europian edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës apelojnë për pjesëmarrjen e të gjithë spektrit politik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

Deklarata vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit përmes nënsekretarit për Çështjet Politike, Thomas Shannon, i cili inkurajon përfshirje të gjerë të partive politike, duke u pozicionuar kështu kundër paralajmërimeve të opozitës për bojkot të zgjedhjeve. 

Apeli gjatë takimit Shannon-Bushati
Në një deklaratë të lëshuar të enjten nga Departamenti Amerikan i Shtetit, thuhet se Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, Ambasador Thomas A. Shannon, u takua me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati, për të folur mbi interesat e përbashkëta në marrëdhëniet dypalëshe dhe në rajon.
bushati shannon
(Deklarata e DASH për zgjedhjet parlamentare)

Nënsekretari Shannon, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit, riafirmoi partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mbështetjen e fortë të SHBA ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për reformën e gjyqësorit dhe angazhimin e përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
 
Nënsekretari Shannon, thuhet në deklaratë, theksoi gjithashtu rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Rama në Facebook: Po tani kush gënjen?
Pas shuplakës së DASH i cili në një deklaratë në faqen e vet zyrtare i bënte thirrje PD-së të votonte Vettingun dhe të hynte në zgjedhje, ka reaguar edhe kryeministri Rama.

Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri hedh këtë fakt duke thënë “Kush gënjen”. Kjo pasi shpesh PD ka abuzuar me faktet ndaj dhe kryeministri Rama publikon në çdo rast faktet.

KUSH GËNJEN (22)
Departamenti i Shtetit kërkon reformën në drejtësi dhe pjesëmarrjen e të gjitha partive në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Ja edhe njoftimi i plotë, publikuar në faqen zyrtare të DASH:
“Ambasadori Thomas A. Shannon, Nënsekretar për Çështjet Politike, u takua sot me Ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati për të adresuar interesat e përbashkëta në marrëdhëniet tona bilaterale dhe rajonin. Nënsekretari rikonfirmoi partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mbështetjen tonë të fortë për përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi dhe angazhimin tonë të përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ambasadori Shannon theksoi gjithashtu rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. https://www.state.gov/r/pa/prs/ps/2017/04/270374.htm
”, shkruan Rama.

Ministria e Jashtme zbardh takimin Bushati-Shannon
Ministria e Punëve të Jashtme ka zbardhur takimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati me zv/Sekretarin Amerikan të Shtetit, Thomas Shannon me zhvillimet e brendshme, duke u ndalur te reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, kryesisht reforma në drejtësi dhe përpjekjet për zbatimin e Vetting-ut.
 
Teksa rikonfirmoi partneritetin e ngushtë midis dy vendeve, zv/sekretari Shanon nënvizoi “mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për zbatimin e reformës në drejtësi si dhe angazhimin e përbashkët në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”.
 
Ministri Bushati falënderoi Zv. Sekretarin Shanon “për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe rajonin, në forcimin e paqes, stabilitetit demokratik dhe reformave shtet-konsoliduese”.
 
Në këtë kontekst, Shannon bëri thirrje që “të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.
 
Bashkëbiseduesit u ndalën mbi zhvillimet e fundit në rajon, rolin konstruktiv të Shqipërisë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe rëndësinë e kontributit të vendit tonë në përmirësimin e mjedisit të sigurisë në Europën Jug-Lindore.
 
Palët ranë dakord se progresi i reformave shtet-konsoliduese dhe fryma e bashkëpunimit, në frymën e vlerave dhe perspektivës euro-atlantike, mbeten akset kryesorë të përforcimit të paqes dhe stabilitetit demokratik në rajonin tonë.
 
Ditmir Bushati: Rrisim investimet për mbrojtjen
Në takimin me Nën-Sekretaren e Politikave të Mbrojtjes, Theresa Whelan, Ministri Bushati falënderoi SHBA-të për mbështetjen e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë në reformën e sektorit të sigurisë dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura.
 
Biseda pati në fokus nevojën e forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në përgjigje edhe të sfidave të sigurisë me të cilat po përballet hapësira euro-atlantike.
 
Ministri Bushati e njohu Whelan me rolin e shtuar të Shqipërisë në misionet dhe operacionet e NATO-s, si dhe mbi kontributin e saj të qenësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
 
Bushati rikonfirmoi vendosmërinë e vendit tonë për të vijuar me materializimin e angazhimeve të marra në Samitet e NATO-s në Uells dhe Varshavë, përfshirë rritjen e buxhetit dhe investimeve në fushën e mbrojtjes.
 
Bashkëbiseduesit theksuan nevojën e një vëmendje të shtuar ndaj rajonit dhe të bashkërendimit të përpjekjeve për të forcuar stabilitetin demokratik dhe përmirësuar mjedisin e sigurisë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Gjashtë vite zvarritje, Agro-Ushqimori nuk paguan gjobën, vetëm 24 mijë euro nga 430 mijë! Allajbeu abuzoi me pozitën dominuese e çmimet

Gjashtë vite zvarritje, Agro-Ushqimori nuk paguan gjobën, vetëm 24 mijë euro nga 430 mijë! Allajbeu abuzoi me pozitën dominuese e çmimet