​Speciale Drejtësia/ 2016, viti i
Vettingut e dosjeve të bujshme

​Speciale Drejtësia/ 2016, viti i<br />Vettingut e dosjeve të bujshme
Nga nisja në përfundim të tij, viti 2016 kaloi në ankthin e të konsideruarit “Dosja Vetting”. 
Pas miratimit në parlament, për disa javë rresht ky ligj u ngri së funksionuari, pasi pas politikës, edhe gjyqtarët e ankimuan në Kushtetuese, duke kërkuar shpalljen e tij si të papajtueshëm me ligjin themeltar të vendit dhe si një proces që cenonte të drejtat themelore të gjyqtarëve.
Përgjigjja mbërriti nga Venezia dhe gongu i Kushtetueses ra më 22 dhjetor 2016, kur u bë publik vendimi se Vettingu ishte në përputhje me Kushtetutën dhe zbatimi i tij nuk cenonte asnjë të drejtë të palëve që përfshihen nga ky proces, gjyqtarë, prokurorë dhe drejtues të sistemit të drejtësisë.
E teksa 22 dhjetori do të mbahet mend si dita kur Vettingu mori certifikatën e ligjshmërisë nga gjykata, prej janarit ky vit nisi me plot dosje dhe procese të cilat ndikuan jo pak 
Janari 2016 do të sillte dhe pushimet e hetimeve ndaj Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit. Ky vendim do të vinte nga prokuroria e Fierit, e cila prej disa kohësh hetoi për një përfshirje të mundshme të ministrit Tahiri në shkelje ligjore, kjo pasi kallëzimi ishte bërë nga Drita Zagani, një ish-efektiv policie, sot në arrati por i kërkuar për shpërdorim detyre dhe dekonspirim operacionesh ndaj narko-trafikantëve.
Përgjatë 2016-ës, në gjykatë përfunduan dhe të arrestuarit për laboratorin e kokainës në Xibrakë, ku sërish kjo dosje mbetet e hapur dhe pa një vendim dhe pse janë zhvilluar 18 seanca.
Drejtësia shqiptare në 2016 mundi të mbyll me një vendim përfundimtar të formës së prerë dhe ndër dosjet e konsideruara delikate atë të rekrutimeve të xhihadistëve drejt Sirisë.
Nëntë imamët e vetëshpallur u dënuan përfundimisht me 110 vite burgim në total dhe pas këtij vendimi ata u shpallën persona të cilët Kombet e Bashkuara dhe Qeveria shqiptare duhet ti mbaj nën vëzhgim dhe t'iu bllokojë llogaritë bankare e pasuritë.
Një tjetër dosje e rëndësishme u mbyll përgjatë këtij viti nga krimet e rënda dhe pas 65 seancash u shpall vendimi për vrasësit me pagesë të organizuar nga bandën e tritolit të Vlorës. Ndër të dënuarit ishte dhe vrasësi i kësaj bande Julian Sinanaj, i cili falë statusit të bashkëpunëtorit arriti të shmangte burgimin e përjetshëm.

E mbartur që më 2015, dosja që u mbyll me një vendim të formës së prerë ishte dhe ajo e Lazaratit me të pandehurin Razip Mahmutaj, njohur si Gatja i cili mbeti në burg së bashku me të birin dhe bashkëpunëtorët e tij.
Dënimit me burg për plot 8 vite nuk mundi t'i shpëtonte as piloti italian Girgo Rifformato, i përfshirë në transportin e drogës nga Shqipëria drejt Italisë me avion. Për Rifformaton, ka dhe një vendim për ta transferuar në Itali, për ta kryer atje dënimin e mbetur, por ai ende qëndron në burgun e Fierit.
2016-a solli para drejtësisë dhe një sërë zyrtarë të këtij sistemi të cilët në këmbim të parave e favoreve nuk i shpëtuan tundimit për t'u korruptuar. Ndër të dënuarit ishin gjyqtari i Sarandës, Rasim Doda, gjyqtarja e Lezhës Parashqevi Ademi, Prokurori i Fierit Petrit Vukaj, gjyqtari i Tiranës Ibrahim Hoxha. 
Për herë të parë ky vit nën akuzë vuri dhe një gjykatës të lartë dhe ishte gjyqtarja Majlinda Andrea e cila u pezullua me kërkesë të prokurorisë dhe tashmë është e pandehur për korrupsion.

Nga i pandehur, i pafajshëm më pas dhe përgjatë 2016 në Paditës në dosjen e drejtësisë 2016 ish-guvernatori Adrian Fullani mundi të fitojë në gjykatën administrative 12 paga mujore pasi sipas gjykatës ai duhet të ishte shkarkuar në një tjetër mënyrë nga ajo e ndjekura për largimin e tij nga posti i Guvernatorit.
Prokuroria e Vlorës përgjatë 2016 me mbi 10 dosje arriti të sekuestrojë mijëra hektarë tokë në zonën e jugut të Shqipërisë, Rivierë dhe Bregdet e deri në Ksamil. Sipas hetimeve të cilat janë ende të hapura, pas përvetësimit të pronave me dokumente të falsifikuara qëndron një grup i strukturuar kriminal në mesin e të cilëve ka dhe zyrtarë të lartë publik.
Një vendim i gjykatës së Apelit të Durrësit do të përfshinte opinionin publik dhe komenti për të nuk do të linte jashtë politikën apo selitë diplomatike. Lulzim Berisha, i cili deri në 2014 ishte i dënuar me burgim të përjetshëm, dy vite më pas më 5 dhjetor 2016 fitoi lirinë me kusht. 
Tani ky vendim është në fuqi dhe prokuroria ka depozituar rekurs në gjykatën e lartë aty ku gjithçka përfundimtare do të vendoset në vitin 2017.
Mesnata e 17 prillit 2016 për llogari të drejtësisë dhe prokurorisë së krimeve të rënda çoi pas hekurave Emiliano Shullazin e Gilmando Danin. Ata e kundërshtuan disa herë arrestimin në gjykatë, duke revokuar masën e sigurisë dhe kërkuan lirinë, por për prokurorinë tashmë ata janë në hetim për kërcënim, gjobëvënie e shantazh dhe ndaj tyre ka prova të mjaftueshme. Pas arrestimit për llogari të drejtësisë në sekuestro u vendos dhe ish Hotel Vollga në Durrës pronar i të cilës rezulton të jetë Emiliano Shullazi.
Kush u përgjua, si dhe nga kush për më shumë se 4 muaj do të mbante të ndezur debatin për të konsideruarën “Dosja Imsi Catcher”. Hetimi për përgjimet e paligjshme për disa ditë solli pezullimin nga detyra të kryepolicit Haki Çako e vartësit të tij Artion Duka, por ishte gjykata e apelit që rrëzoi këto masa dhe hetimet konsiderohen ende të hapura.
Nuk munguan dhe deklarime e dëshmi në prokurori, por kjo dosje më shumë krijoi një debat politik se sa zbardhi një rezultat nga prokuroria e cila dhe pse 2016 mbaroi nuk dha një rezultat se kush përgjoi kë dhe u shkel apo jo ligji me pajisjen e italianëve të cilët zyrtarisht deklaruan se ishte përdorur vetëm për arsye trajnimi.
Dosja “Cez” ishte sërish pjesë e prokurorisë e gjykatës për 2016-ën, u pushuan hetimet për Ministrin Damian Gjiknuri të paditur nga KLSH për shpërdorim detyre e dëm ekonomik në miliona euro.
U pushuan dhe hetimet për politikan ish zyrtarë të qeverisë Berisha të përfshirë në marrëveshjen me kompaninë Cez, ndërsa në gjyq vazhdon të mbetet vetëm Kastriot Ismailaj, ish administrator i borxheve të kësaj kompanie.
Në bankën e të akuzuarve nga drejtësia në 2016 përfundoi dhe ish deputeti Kristian Demokrat Mark Frroku, procesi i të cilit është ende i hapur ndërsa gjykata rrëzoi një ndër provat më të forta të prokurorisë, atë të hetuesve belgë, që bënin përgjegjës Frrokun për vrasjen .
Dekriminalizimi zuri një vend të rëndësishëm përgjatë 2016 në dosjet e prokurorisë shqiptare. Nëpërmjet drejtoreshës së kabinetit prokuroria e përgjithshme kërkoi zyrtarisht më 20 dhjetor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t'i ndërpriste mandatin dy deputetëve, Dashamir Tahiri e Shkëlqim Selami, si dhe kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi.
Një dosje e nisur në 2016 e cila do të vazhdojë të jetë e hapur dhe për 2017 është ajo e një ndër hetimeve më të mëdha ku DEA amerikane është përfshirë në luftën kundër narkotrafikut në Ballkan dhe Evropë. Nga ky hetim ka rezultuar i përfshirë ish zyrtari i transportit në qytetin e Sarandës Klement Balili, ndaj të cilit ka një urdhër arresti ndërkombëtar ende të paekzekutuar. Prej më shumë se 7 muaj, Balili nuk u kap dhe tashmë kërkimet për të janë shtrirë në Shqipëri, Greqi, Kosovë dhe Mal të Zi e Maqedoni.
Ndaj Balilit ka nisur dhe hetimi pasuror, ndërsa pritet që rezultatet e këtij hetimi të bëhen publike përgjatë 2017-ës.
Shqiptarja.com
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim