U ekstradua dy ditë më parë nga Spanja, GJKKO lë në burg ish-kreun e bandës së Durrësit! Lulzim Berisha mohon njohjen me Luftar Reçin: Nëse më provoni një kontakt, më dënoni si të doni

Ish kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha doli këtë të enjte para GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë ‘arrest në burg’ të dhënë ndaj tij. Gjykata vendosi lënien në fuqi të masës së sigurisë ndaj ish kreut te bandës së Durrës, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Spanja ndërsa akuzohet për disa vepra kriminale.

Në vitin 2020, GJKKO caktoi ndaj Berishës masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana cilësuese”, kundër 2 ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Në seancë, Lulzim Berisha ka mohuar të ketë njohje me bashkëpunëtorin e drejtësisë Luftar Reçin.

“Nuk e njoh fare atë njeri, nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse më provoni një kontakt me Luftar Reçin apo një telefonatë me të, se un kam qenë në Turqi, më dënoni sa të doni. Njëlloj siç më ra akuza tjetër, do të bjerë edhe kjo”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të seancës, edhe avokati i tij, Detar Hysi foli për mediat, duke thënë se Luftar Reçi po mashtron institucionet e drejtësisë. Ai kërkoi që prokurorët e posaçëm të jenë më të kujdesshëm me deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë pasi po cenohet siguria kombëtare.

“Nisur nga përmasat mediatike që ka marrë çështja, dua të sqaroj se i ashtuquajtur bashkëpunëtor i drejtësisë Luftar Reçi, një mitoman permanent, që nga dita që është futur në burgje, bën kërkesa dhe krijon artifica duke mashtruar institucionet shtetërore. Përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje ndërgjegjes profesionale të prokurorëve të posaçëm, që përdorimi i bashkëpunëtorëve të drejtësisë cenon rëndë sigurinë kombëtare, sigurinë e jetës dhe sigurinë e pronës dhe duhet të heqim dorë nga ky standard ekstra ligjor. Prokurori duhet t’i përkushtohet përgjegjësisë dhe pavarësisë në ushtrimin e detyrës”, tha avokati Detar Hysi.

54-vjeçari në bashkëpunim me disa persona të tjerë kanë plagosur 2 persona në vitin 2004, në 2005 ka vrarë me armë zjarri tre persona dhe ka plagosur një tjetër.

Lulzim Berisha u arrestua në shtetin spanjoll në dhjetor të vitit 2023 me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Ai mbante një identitet bullgar ndërsa ishte transformuar tërësisht, me mjekër të bardhë dhe tatuazhe në të gjithë krahët.

Fillimisht u shpall në kërkim në 2020-ën për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të vitit 2005, të cilët u zbardhën 15 vite më vonë. Për vrasjen e Lames çështja u pushua për mungesë provash, ndërsa aktualisht ishte në kërkim vetëm për Klodian Saliun, i cili u vra në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”.

Lulzim Berisha, i dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vrasje dhe trafiqe ilegale në vitet 1998-2000, mundi ta ulë dënimin nga burg përjetë në 25 vjet burg me vendim të Gjykatës së Lartë në vitin 2014. 2 vjet më vonë, ish-kreu i bandës së Durrësit mundi të lërë qelinë me vendim të Apelit të Durrësit, e cila përmes një llogaritje matematikore arsyetoi se 3 e 4-ta e dënimit ishte shlyer, sjellja e tij ishte e mirë dhe i faleshin 5 vite të mbetura dënimi.

Megjithatë, do ishte Gjykata e Lartë, e cila në dhjetor 2021 do të prishte vendimin e Apelit të Durrësit për faljen e 5 viteve, duke kërkuar rikthimin në qeli për vuajtjen e tyre. Me këtë arsye Prokuroria e Durrësit e shpalli në kërkim në janar 2022 dhe u arrestua në Spanjë në dhjetor 2023. Me rikthimin në Tiranë, Lulzim Berisha ka dy llogari me drejtësisë, përmbylljen e dënimit të vjetër dhe gjykimin për vrasjen e 2005-ës të Klodian Saliut.

Xh.D/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 21 Mars, 10:09

    Sa e dëshironi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?



×

Lajmi i fundit

‘Na nxore gjumin’, Basha i përgjigjet Ramës: Ngele duke pyetur për shokët e mi! S’ke faj, vetëm bufi të ka ngelur, jeni të pandashëm

‘Na nxore gjumin’, Basha i përgjigjet Ramës: Ngele duke pyetur për shokët e mi! S’ke faj, vetëm bufi të ka ngelur, jeni të pandashëm