TIRANË-Kjo video e siguruar nga Shqiptarja.com e Report Tv është dëshmia e vetme për Policinë mbi ngjarjen në një parking të Tiranës ku u dogjën 3 makina, mes tyre një automjet i shtrenjtë i këngëtarit Flori Mumajesi.

Autori është ende në arrati dhe blutë e Tiranës nuk kanë ende një emër konkret, por pamjet në video do të ndihmojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes së mbrëmjes së të dielës, 18 Dhjetor, ku një zjarr i qëllimshëm dogji 3 automjete në një parking privat ku si pasojë një person u dërgua në spital i asfiksuar.

Siç duket dhe në pamje, në orën 22 e 15 minuta shfaqet një person në hyrje të parkingut privat. Me xhup, me kapuç dhe me një çantë në dorë ku supozohet se aty ndodhet një bidon me naftë, personi që dallohet se në moshë të re, i është drejtuar hyrjes së parkingut. Keto jane sekondat deshmi per Policine mbi te cilat po hetohet.

Më pas, ajo çfare ndodhi në brendësi të parkingut nuk është në video. Autori, ka thyer xhamin e makinës 70 mijë euroshe të këngëtarit Flori Mumajesi dhe ka hedhur në sendile lëndën djegëse të cilën e ka ndezur më pas me çakmak.

Me shpejtësi ai ka dalë nga parkingu, ndërsa zjarri u përhap me shpejtësi duke rrezikuar jetën e një personi që ndodhej në parking në ato momente si dhe djegien e dhjetra automjeteve të qytetarëve të tjerë.

Policia po heton aktualisht mbi pistën e zjarrvënies së qëllimshme. Në pyetje është marrë dhe këngëtari Flori Mumajesi mbi ndonjë episod konflikti të mundshëm që ai ka pasur kohët e fundit.