​Votimi elektronik, Borchardt: Ka
probleme, nuk është më i miri

​Votimi elektronik, Borchardt: Ka<br />probleme, nuk është më i miri
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, është shprehur se votimi elektronik nuk është detyrimisht më i mirë se ai tradicional.
 
Partia Demokratike pretendon se kjo është mundësia më e mirë për zgjedhje të besueshme, por Borchard thotë se edhe tek ai ka mosbesim dhe Gjermania e ka hequr këtë lloj votimi.
 
Ambasadori nuk ngurron të thumbon Partinë Demokratike, e cila ka pasur mendim të ndryshëm për këtë çështje kur ishte në pushtet, ndërsa tani shfaqet me tjetër qëndrim.
 
Vizion Plus: Zoti Ambasador, kanë mbetur 5 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Ka një komision të reformës zgjedhore, mandati i të cilit është shtyrë deri më 18 shkurt. Si e konsideroni ecurinë e reformës zgjedhore, duke marrë parasysh që palët janë larg njëra-tjetrës, larg gjetjes së konsensusit?
 
Ambasadori Borchardt: Ky është problemi. Mbeten vetëm pesë muaj deri në zgjedhje dhe nuk është arritur ndonjë përparim thelbësor me reformën zgjedhore. Na vjen keq të shohim se procesi është zvarritur për një kohë të konsiderueshme, pa arritur ndonjë rezultat konkret. Mbetet shumë pak kohë, për të mos thënë fare, për një reformë kuptimplotë dhe të hollësishme zgjedhore, që do të ishte në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, angazhimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare. Ndryshimet që mund t’i bëhen legjislacionit në minutë të fundit mund të dëmtojnë besimin e publikut te procesi. Kjo do të thotë që zgjedhësve dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’u mbetet jashtëzakonisht shumë pak kohë për t’u njohur me ligjin e ndryshuar.
 
Megjithatë, ne besojmë se pavarësisht kohës së shkurtër në dispozicion, Komisioni i Posaçëm mund të trajtojë me sukses të paktën katër fusha.
 
E para, është rritja e transparencës dhe bërjes publike të financimit të fushatave. Kjo është një çështje thelbësore.
 
E dyta, është forcimi i sanksioneve ligjore për kriteret gjinore të listave të kandidatëve të partive politike.
 
E treta, është forcimi i sanksioneve për shkeljen e ligjit, si për shembull për blerjen e votave apo për fotografimin e fletëve të votimit në dhomën e fshehtë të votimit.
 
Fusha e katërt është nevoja për përmirësimin thelbësor të dispozitave për mbulimin mediatik të fushatave zgjedhore. Njerëzit që shohin kronikat në televizion kanë të drejtën ta dinë nëse një kronikë është përgatitur nga një gazetar i pavarur apo nëse po shohin një produkt partiak, që është, sigurisht, i njëanshëm.
 
Prandaj, do të doja t’i bëja thirrje Komisionit të Posaçëm kuvendor që të angazhohej me të gjitha forcat në aktivitetin e tij dhe të ecë me shpejtësi përpara për t’i dhënë parlamentit ndryshimet ligjore për t’u votuar. Partitë duhet të lënë mënjanë interesat e veta politike dhe të fokusohen ekskluzivisht në atë çka ka vërtet vlerë, në mënyrë që kjo reformë e rëndësishme të ketë sukses. Unë besoj se partitë duhet të jenë të interesuara t’i japin më shumë legjitimitet procesit zgjedhor. Për këtë qëllim, ne sugjerojmë që palët të bien dakord mbi ato që mund të bien dakord dhe të përpiqen të arrijnë kompromis për çështjet e sipërpërmendura. Ajo që kanë thënë partitë në të shkuarën lidhur me këtë duket shumë e ngjashme. Tani është koha për vepra.
 
Vizion Plus: Z. Ambasador, janë mbi 50 rekomandime të OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore, ndërkohë që debati i madh mes maxhorancës dhe opozitës po zhvillohet për sa i përket aplikimit të teknologjisë në zgjedhje, procesit të numërimit dhe votimit elektronik. Nga opozita është cilësuar si kusht thelbësor për pasjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Ju si e vlerësoni këtë kërkesë dhe a mundet që aplikimi i teknologjisë në zgjedhjet e 18 qershorit të bëhet? A ka kohë të mjaftueshme?
 
Ambasadori Borchardt: Çdo ndryshim madhor i procedurave zgjedhore të zhvilluara prej një kohe të gjatë në një kontekst të caktuar zgjedhor kërkon kohë për t’u bërë e për t’u zbatuar si duhet. Si shumë elemente të tjera të sistemit zgjedhor, përdorimi i votimit dhe numërimit elektronik dihet se ka avantazhe dhe disavantazhet e tij. Sipas studimeve të  OSBE/ODIHR-it, numërimi elektronik mund të rrisë pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim, të ulë kostot e administrimit zgjedhor në planin afatgjatë, të reduktojë gabimet njerëzore (përfshirë votat e pavlefshme), të përmirësojë saktësinë e numërimit, si dhe të rrisë shpejtësinë e nxjerrjes së rezultateve përfundimtare.
 
Megjithatë, nga ana tjetër, votimi dhe numërimi elektronik mund të paraqesin edhe disa sfida. Votimi elektronik është një proces shumë kompleks që kërkon një planifikim të imtësishëm dhe në kohën e duhur të mënyrës se si do të blihen pajisjet (ky duhet të jetë një proces i komplikuar prokurimi); mënyrës se si do të vlerësohet, certifikohet dhe garantohet siguria e sistemit. Nevojiten fushata intensive për edukimin e zgjedhësve. Duhet të trajnohen edhe zyrtarët zgjedhorë.
 
Për të mos përmendur pastaj shqetësimin kryesor, sidomos nga këndvështrimi i zgjedhësve, rreth transparencës së procesit: çfarë ndodh me votën time brenda atyre pajisjeve? Ky ishte edhe shqetësimi kryesor i Gjykatës Kushtetuese gjermane kur ndaloi votimin elektronik në Gjermani. Në Shtete të tjera pjesëmarrëse të OSBE-së votimi elektronik lejohet dhe ndodh. Ajo çka është vendimtare: përdorimi i votimit elektronik jo domosdoshmërisht krijon besim. Përkundrazi, ai kërkon besim paraprak në administrimin e zgjedhjeve nga të gjithë aktorët e përfshirë, në mënyrë që të zbatohet me sukses. Pa u adresuar plotësisht të gjitha sfidat, ato munden madje ta dobësojnë besimin e publikut te rezultatet e zgjedhjeve të dala nga një proces elektronik.
 
Para zgjedhjeve të 2013-s, opozita e atëhershme, pra qeveria e tanishme, kërkoi futjen e votimit elektronik, po ashtu pak kohë para zgjedhjeve. OSBE-ja, në atë kohë, këshilloi se duhej më shumë kohë për përgatitje. Tani jemi në të njëjtën situatë dhe që prej tetorit 2016 kemi këshilluar – në të njëjtën linjë me këshillat tona të mëhershme – se votimi elektronik kërkon më shumë kohë sesa koha e mbetur. Sa për t’ju dhënë një shembull: dera hyrëse e zyrave tona të OSBE-së këtu në Tiranë është e mbrojtur me një sistem elektronik të kontrollit të hyrjeve. Dhe unë shoh përditë sesa i brishtë mund të jenë sisteme të tilla. Kjo më bën shumë skeptik në lidhje me një sistem, i cili do të duhej të mbështetej në transmetimin e të dhënave nga zona të thella në serverët qendrorë në Tiranë, nëse kjo nuk bëhet me përgatitje dhe testime shumë të imtësishme.
 
Vizion Plus: Pra, z. ambasador, për të qenë me i drejtpërdrejtë, më 18 qershor nuk kemi shanse për të aplikuar teknologjinë në zgjedhje?
 
Ambasadori Borchardt: Siç thashë: kjo kërkon shumë kohë dhe, pa atë kohë, ne nuk mund të këshillojmë të bëhet një gjë e tillë.
 
Vizion Plus: Zoti Ambasador, në tryezën e Komisionit të Reformës Zgjedhore është hedhur një propozim për sa i përket shmangies së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në procesin e ankimimeve që partitë politike bëjnë për sa u përket rezultateve në zgjedhje dhe kalimi i ankimimit nga ana e subjekteve direkt në Kolegjin Zgjedhor. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
 
Ambasadori Borchardt: Institucionet që merren me ankimet dhe apelimet ndryshojnë nga një vend në tjetrin, madje edhe mes Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së, në varësi të sistemeve të tyre zgjedhore dhe gjyqësore. Disa sisteme përdorin organet e administrimit të zgjedhjeve, të tjera përdorin drejtpërdrejt gjykatat, por ka edhe vende si Shqipëria, ku ankimet adresohen fillimisht nga organi i administrimit të zgjedhjeve dhe pastaj apelohen në një gjykatë të posaçme. Të gjitha këto janë zgjidhje të mundshme dhe u takon autoriteteve shqiptare të vendosin se cili sistem është më i miri. Megjithatë, këshillohet, dhe kjo rekomandohet edhe nga Kodi i Praktikave të Mira të Komisionit të Venecias për Çështjet Zgjedhore, që, në çdo rast, të ketë një formë mbikëqyrjeje gjyqësore nga një nivel i dytë i apelit. 
 
Vizion Plus: Z. Ambasador, pavarësisht se edhe këtë pikë mund ta vlerësoni si çështje të politikës së brendshme shqiptare: po diskutohet edhe një çështje tjetër, sa i përket sanksionimit në Kodin Zgjedhor të listave të hapura të kandidatëve për deputetë nga partitë politike. Mendimi juaj për sa i përket kësaj pike?
 
Ambasadori Borchardt: Në botë dhe mes Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së ka një gamë të gjerë sistemesh të ndryshme zgjedhore. Kështu që, zgjedhja e një sistemi zgjedhor nga ana e vendeve duhet respektuar. Për sa kohë respektohen parimet themelore të demokracisë, nuk ka sistem zgjedhor të mirë apo të keq, në vetvete. Ky është një vendim që i takon vendit. Për këtë arsye, OSBE-ja dhe ODIHR-i nuk rekomandojnë ndonjë listë specifike sistemesh prej nga vendet mund të zgjedhin dhe, sigurisht, që nuk rekomandojnë as ndonjë sistem specifik për vende specifike. Është e drejta ekskluzive e autoriteteve shqiptare që të vendosin se cilin model të zbatojnë dhe se çfarë është më mirë për vendin. Megjithatë, siç është theksuar edhe nga Këshilli i Evropës dhe nga ne, elementet themelore të ligjit zgjedhor – sidomos sistemi zgjedhor, përbërja e komisioneve zgjedhore dhe ndarja e zonave zgjedhore – nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit përpara zgjedhjeve. Ky është një rekomandim ndërkombëtar. Çdo ndryshim i elementeve të sistemit zgjedhor duhet të bëhet kohë më përpara dhe të jetë pjesë e diskutimi gjithëpërfshirës dhe transparent.
d.i./Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!