Kështu zv/kryeministri Niko Peleshi deklaroi vendimin e marrë sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar, duke drejtuar nje apel ndaj banorëve të Zharrëzës lidhur me protestën disa ditore që ata po bëjnë para ministrisë së Industrisë e Energjitikës.
“Banorët e Zharrëzës janë të ftuar të mbështesin grupet e vlerësimit të dëmeve në terren dhe siç parashikon Vendimi i Këshillit të Ministrave, më pas të marrin dëmshpërblimin”, deklaroi Peleshi ndaj banorëve që ankohen se Bankers po u shkatërron shtëpitë me shpërthimet që kryen në zonë për naftën e gazin.
Zv/kryeministri Peleshi kujtoi se në datën 27 shkurt është urdhëruar Bankers që të ndalojë injektimin e ujit në gëlqerorë dhe të gjejë alternativa të tjera, për të shmangur kështu lëkundjet e tokës.
Po kështu në emër të qeverisë, Peleshi bëri thirrje që të mos përfitojë e spekulojë askush nga problemi i banorëve të Zharrëzës.
“Sot dëshiroj ti bëj apel cdokujt që instrumentalizon përpjekjet me maskën e shoqërisë civile
nga sot nuk ka vend për dyshim apo mosbesim për zgjidhje të çështjes së Zharrëzës, nuk ka më vend për spekulantët, ata banorë nuk mund të jenë me lodra e tyre, nuk kemi nevojë për të shtuar problemet artificialisht, ka shumë cështje të tjera që presin zgjidhje”.
Banorët e Zharrëzës e kanë mikpritur deklaratën e Peleshit dhe kanë ndërprerë protestën para ministrisë së Energjitikës.
Të kontaktuar me telefon nga ana e report Tv, grevistët u shprehën se u arritën 2 nga kërkesat e tyre siç është ndalimi i punimeve dhe shpërthimeve si dhe dëmshpërblimi në masën 100 %.
Fjala e plotë e Niko Peleshit
Në mbledhjen e ditës së sotme të Këshillit të Ministrave, sic ishim angazhuar më herët, kemi miratuar vendimin “Për marrjen e masave për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tokës në - Njësitë administrative Zarrëz dhe Patos, Bashkia Patoz dhe - Njësia administrative Kuman, Bashkia Roskovec. Ky vendim përcakton afate për vlerësimin në mënyrë të përshpejtuar për banesat e dëmtuara rëndë apo të shkatërruara plotësisht dhe dëmshperblimin e tyre në masën 100%, nga buxheti i shtetit dhe kompania Bankers, sipas marrveshjes hidrokarbure me Ministrinë e linjës (MEI).
Vendimi përcakton gjithashtu afatin për të gjitha kategoritë e tjera të dëmtimeve, në të gjithë zonën e prekur nga lëkundjet. Ndërkohë ka filluar puna për kontraktimin e ekspertizës së pavarur ndërkombëtare për vlerësimin shkencor të shkaqeve të lëkundjeve. Në datën 27 Shkurt 2017, Ministri i Energjisë dhe Industrisë ka urdhëruar kompaninë Bankers Petrolium, të ndalojë operacionet e injektimit të ujit në gëlqeror në zonën e Zharrës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit pa dëmtuar mjedisin, sipas standarteve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat negative për komunitetin. Me këto akte Qeveria Shqiptare finalizon punën dhe angazhimin e filluar menjëherë sapo u shfaq fenomeni i lëkundjeve në Dhjetor të vitit të kaluar. Në fund të Dhjetorit Ministri i Energjisë dhe Industrisë pezulloi menjëherë operacionet e injektimit të ujit në gelqeror në zonën e Zharrez.
Më pas Kryeministri urdhëroi ngritjen e Grupit ndërministror të punës të drejtuar nga Zëvendëskryeministri për vlerësimin e situatës dhe rekomandimin e zgjidhjes. Aktet e kësaj jave janë në zbatim të raportit të Grupit ndërministror të punës dhe diskutimeve me përfaqësuesit e banorëve të Zharrëz disa ditë më parë. Në fakt VKM e sotme adreson problematikën për të gjithë zonën e prekur, pra jo vetëm NJësinë Administrative Zharrës por edhe Patos e Kuman.
Sot dëshiroj t'i bej apel çdokujt që përpiqet të instrumentalizojë shqetësimet dhe sakrificën e një pjese të banorëve të Zharrëz, me kostum politikani apo me maskën e shoqërisë civile. Për fatin e tyre të keq nga sot nuk ka më vend për dyshim apo mosbesim në zgjidhjen e problematikës së Zharrëz dhe njesive të tjera administrative në zonat naftëmbajtëse dhe per rrjedhojë nuk ka më lëndë të parë për spekulantet. Sakrifica e disa banorëve të Zharrëz, të genjyer dhe nëperkëmbur për vite me rradhë, nuk mund të jetë lodra e tyre.
Nuk kemi nevojë për të shtuar problemet artificialisht, por kemi nevoje për vetëdije qytetare dhe ndershmëri. Ka plot cështje që mirëpresin kontribut politik dhe civil të individëve apo të organizatave. Banorët janë të ftuar të mbështesin grupet e vlerësimit në terren, të cilat nga kjo VKM, ngarkohen të fillojnë punën menjëherë. Afati i parë është përshpejtuar, 30 ditor, pra duhet të punojnë intensivisht në terren.
Kërkojmë mirkuptimin dhe mbështetjen e banorëve në mënyrë që sic e thashë, për shtëpitë e dëmtuara rëndë, brenda 30 ditëve, sic detyron VKM-ja të mund të kemi vlerësimet përfundimtare, duke llogaritur edhe kontestimet e mundshme të cilat duhet të merren në konsideratë nga grupet e punës dhe pastaj të fillojë menjëherë dëmshpërblimi i tyre Problematikat e trashëguara të sektorit hidrokarbur do ti zgjidhim përmes bashkëpunimit dhe impenjimit maksimal të institucioneve që kanë rol për të luajtur në këtë sektor të rëndesishëm për ekonominë e vendit.
(d.b/Shqiptarja.com)